Haradinaj: AAK i ka ndarë rrugët me VV-në dhe Nismën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se partitë opozitare mund të vazhdojnë të bashkërendohen në kundërshtimin e marrëveshjeve që çuan në krizën politike, por, rrugët e tyre janë të ndara në të gjitha proceset tjera.

Haradinaj tha se përdorimi i dhunës nuk është në vullnetin e forcave politike, ndërsa u shpreh i bindur se zhvillimet e deritashme nuk i kanë dëmtuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Blloku opozitar në Kosovë, tashmë nuk është më bllok i bashkuar. Çfarë ka ndodhur?

Haradinaj: Kundërshtimi ynë për disa tema ka ndodhur në bazë të temave, ka filluar shumë herët dhe ka evoluuar me kundërshtimin kundër versionit të bashkësisë së komunave serbe, çfarë ka ardhur dhe versionit të tashëm të shënimit të kufirit me Malin e Zi. Mirëpo, në etapat tjera se si mendojmë ne me qenë së bashku, nuk kemi arritur ndonjë dakordim.

Cilët janë faktorët që nuk kanë lejuar dakordimin midis jush?

Haradinaj: Tani secili prej nesh ka krijuar një vizion, si e mendon Kosovën, si i mendon marrëdhëniet e Kosovës me të tjerët, si e mendon ekonominë, rendin e ligjin. Aleanca e ka bërë këtë ndër vite. Pra, ka një profil politik të qartë dhe për ne është e paarsyeshme me dorëzue këtë profil, këtë vizion tonin politik në një vizion tjetër. Pra, ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm në vazhdimësi që të bëjmë partneritet me forcat politike të vendit, por duke ruajtur vizionin tonë për Kosovën.

A është kërkuar nga ju që ta dorëzoni këtë vizion dhe cili është në fakt ai, zoti Haradinaj?

Haradinaj: Po, ne jemi për partneritet vizionesh, jo për shkrije vizionesh. Nuk kemi kërkuar nga të tjerët që të shkrijnë vizionin e tyre në tonin, por edhe nuk e kuptojmë pse duhet Aleanca, ta zëmë të japë nga vizioni i vet për Kosovën për hir të një partneriteti.

Ku janë dallimet me elementare, nëse mund të jeni më i saktë?

Haradinaj: Ne e shohim se Kosova është në një situatë jo të lehtë, të rëndë. Por, ne edhe kundërshtimin dhe angazhimin tonë duhet ta kemi për hapa përpara, Pra, me kujdesin me të madh dhe seriozitetin më të madh që gjatë këtij kundërshtimi të bëjmë hapa përpara nëpër ato fusha të jetës që ka vështirësi, ta zëmë në rend e ligj, në ekonomi, në depolitizim të institucioneve, kundër korrupsionit që është në vend por edhe për marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet në rajon edhe trendet integruese dhe synimet integruese të Kosovës. Pra, në të gjitha këto ne kemi një vizion tonin i cili mendojmë se është i qëndrueshëm, se është një vizion real dhe i japim përparësi, krahasuar me aspekte ose vizione të partnerëve.

A i ka dhënë fund realisht kjo asaj që është quajtur për muaj të tërë “opozita e bashkuar”?

Haradinaj: Ndoshta ajo që është shpresuar se do të ndodhë një listë e përbashkët, një opsion i përbashkët qeverisës, tash është shumë më larg se sa që është shpresuar. Por, prapë se prapë ne në bazë të detyrës jemi opozitë dhe do të koordinojmë si opozitë për me kundërshtue një gjendje jo të mirë në vend dhe marrëveshjet që janë gjetur të gabuara. Për shembull Gjykata Kushtetuese gjeti se marrëveshja për bashkësinë e komunave me shumicë serbe është jo në harmoni me Kushtetutën e vendit. Pra, ne do të vazhdojmë një kundërshtim me këto tema dhe temat që mendojmë se janë me rëndësi me qene bashkë, por duket larg mundësia për të qenë bashkë për një ofertë qeverisëse për vendin.

Mendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe gatishmëria e përsëritur tashmë e Podgoricës zyrtare për të ri diskutuar çështjen e kufirit sikur janë dy situata të reja që duheshin shfrytëzuar nga opozita t’i zgjidhur çështjet brenda institucioneve që është kërkesë edhe faktorit ndërkombëtarë drejtuar juve?

Haradinaj: Po, tani ne e mendojmë se Kosova ka nevojë për një fillim të ri në tema. Pra, jo riparim në tema. Meqenëse është humbur besimi për mënyrën se si kemi ardhur deri te këto probleme në vend, atëherë e mendojmë pikërisht edhe këtë momentum përmes një fillimi të ri. Pra, ne duhet me i rivizitue këto tema në të ardhmen, për me gjetë zgjidhjet e duhura, por jo si riparm të pjesshëm dhe me dyshime të ngritura. Kjo është arsyeja pse edhe kërkojmë me i kthye mandatin qytetarit, pra me shpallë zgjedhje në Kosovë, në mënyrë që Kosova të ketë një fillim të ri e në këtë fillim të ri, kuptohet në agjendë do të ishin të gjitha temat.

Por, megjithatë marrëveshjet ndërkombëtarë janë marrëveshje ndërkombëtare dhe edhe një pushtet i ri pas zgjedhjeve të tilla të mundshme të parakohshme do t’i trashëgonte këto marrëveshje. A nuk do të duhej prapë t’i riparonte në fakt?

Haradinaj: Në përputhje me standardet e njohura të marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosova do të kishte mundur t’i rivizitonte këto. Ne nuk kërkojmë të krijojmë precedent në marrëdhëniet ndërkombëtare, por në përputhje me ato praktika tashmë të njohura se si në konteste ose në vështirësi në zbatim ose pamundësi të zbatimit të marrëveshjeve janë gjetur formula se si me i rivizitue, dhe ne në përputhje me këto standarde mendojmë se Kosova do ta nderonte edhe pozicionin e saj ndërkombëtar duke i rivizitue dhe duke gjetur zgjidhje adekuate.

Përse nuk uleni në parlament për të diskutuar këto kërkesat tuaja madhe edhe ato për rrëzimin e qeverisë?

Haradinaj: Ne po e shohim se vështirësitë që i kanë ndodhur jetës politike, qeverisëse e institucionale ne vend, kanë arritur njëfarë kulm, ta quajmë ashtu, kur riparimi është i pamundshëm. Tani, e vetmja mënyre me e kthye në normalitet Kosovën, nuk është duke bërë ndonjë marrëveshje, ndonjë gjysmë marrëveshje, ose ndonjë tolerancë, ose kthim të opozitës në parlament, por është duke ua kthyer mandatin qytetarëve. Pra, ne mendojmë se ndalja nga kjo gjendje është një fillim i ri për Kosovën e që do vinte pas zgjedhjeve. Pra, dalja jonë nga parlamenti është protestë, por është edhe ofertë që mandatin me ua kthye qytetarëve, për t’i dhënë një fillim të ri vendit.

Me gjithë kundërshtimin tuaj, Kosova u bë me president të ri në një periudhë krize politike. Megjithatë, a ka ndonjë rrugë që të bashkëpunoni me të për tejkalimin e situatës aktuale?

Haradinaj: Tani, ai balanci institucional në Kosovë dhe ideja e pushteteve të ndara edhe të një demokracie që i ka ekuilibrat e vet, është e dëmtuar në vend. Është dëmtuar edhe nga një koalicion shumë i gjerë që është konsideruar i paprekshëm e i cili ka filluar të prekte në tema të ndjeshme dhe në jo në mënyrën e duhur, jo me transparencën e plotë, duke mos e konsultuar fare opozitën. Edhe zgjedhja e presidentit, pak a shumë është një kontribut i tillë, pra në prishjen e mëtejme të këtij balanci në mes institucioneve dhe në shoqëri. E shohim bukur të vështirë një mundësi që kjo çfarë ka ndodhur me presidentin të jetë në ndonjë formë një kontribut për dalje nga kriza që është në vend.

Por, zoti Haradinaj, edhe për të shpallur zgjedhje të reja, ju duhet të bashkëpunoni me presidentin, në mandatin e të cilit është shpallja e tyre. A jeni të gatshëm për një gjë të tillë?

Haradinaj: Besojmë që shpallja e zgjedhjeve është çështje e dakordimit të partive politike parlamentare por edhe partive tjera, kuptohet me rol edhe të institucioneve të vendit ku ka rol edhe presidenti, institucioni i presidentit në këtë rast edhe institucionet tjera. Dhe ne nuk jemi kundër që secili institucion të ushtrojë rolin e vet në mënyrë që me i dhënë drejtim daljes nga jo krizë. Mirëpo, e shohim më shumë shpalljen e zgjedhjeve si çështje të vullnetit të forcave politike në vend.

A jeni të gatshëm për këtë të uleni me presidentin Thaçi?

Haradinaj: Zoti Thaçi nuk është më kryetar partie dhe ishte dashur ndoshta udhëheqja e re e PDK-së, kryetari i PDK-së dhe kryetarët e partive tjera politike me gjetë mënyra me komunikue mes vete, për të rënë dakord me shkue ne zgjedhje. Ne zgjedhjet i mendojmë si të jashtëzakonshme.

Siç e përmendët edhe vet, zoti Thaçi nuk është më kryetar i Partisë Demokratike dhe rrjedhimisht, për shumë kënd krijon një situatë të re në skenën politike ku partitë identifikohen kryesisht me udhëheqësit e tyre. Sa krijon hapësirë për ju kjo situatë?

Haradinaj: Tash askush më nuk e ka luksin që të mos reflektojë për atë se si ka ardhur kjo gjendje politike, kjo krizë politike në vend. Ne kemi një krizë të rëndë. Përgjegjësitë më të mëdha bien mbi zotin Thaçi dhe PDK-së si parti ose më e madhe ose që ka qeverisë me vendin nga pavarësia. Pra, ata e kanë të pamundur t’i ikin përgjegjësisë për shkallën e lartë të korrupsionit, për gjendjen në rend dhe ligj, për shumë probleme, për gjendjen e rëndë ekonomike, për pozicionin rajonal që ka Kosova edhe integrues, ku shohim ngecje. Nuk na ka njohur pesëshja e BE-së ende, që është një problem serioz për Kosovën. Pra, duke qenë se është kështu, ne presim reflektim pra, ndryshim kursi nga vendimmarrësit, shpresoj nga të gjithë në Kosovë.

Dhe keni pasur kontakte për gjëra të tilla?

Haradinaj: Jo, jo kontakte direkt në drejtim të temave. Na ndodhë me u takue në pritje të caktuara ndërkombëtare, ose në ndonjë ngjarje të caktuar, or nuk kemi mundur t’i diskutojmë në këtë mënyrë. Ajo që për mua është shumë me interes është që spektri politik mos me harrue me u kërkue miqve tanë, në këtë rast Uashingtonit, Brukselit, por edhe qeverive veç e veç, Berlinit e Londrës, që me vazhdue një përkrahje për Kosovë në marrjen e njohjeve. Për ne është e pakuptimtë që pesëshja e BE-së nuk na njeh. Mosnjohja e tillë e vonon njohjen nga Serbia dhe e vonon stabilizimin e Kosovës dhe kësaj pjese të Ballkanit. Vetvetiu kjo ndikon edhe në rend e ligj edhe në ekonomi edhe në shumë procese të brendshme në Kosovë. Ne nuk jemi një punë e kryer ashtu si shpesh po konstatohet. Mendojmë se duhet ta kuptojmë së bashku ne që duhet të lobojmë dhe të jemi aktive tek miqtë, tek partnerët që të mbesim në agjendë, në mënyrë që të paktën pesëshja e BE-së të na njohë dhe të ikim nga ato problemet që i kemi tani si status i pakryer, se mosnjohja e pesëshes vërtetë po e vështirëson pozicionin e Kosovës.

Përmendët partnerët ndërkombëtarë që vazhdimisht muajve të fundi i kanë bërë thirrje opozitës që të heqë dorë nga dhuna. Ka pasur rast edhe kur nuk janë takuar me ta. A keni shqetësim se mund t’i keni lënduar marrëdhëniet tuaja me ta?

Haradinaj: Ne i kemi kuptuar të gjitha thirrjet që të mos përdoret dhuna. Nuk është vullnet, besoj, i forcave politike përdorimi i dhunës. Mirëpo, kemi një krizë politike në vend, një kontest politik për të cilin kemi vizionin se duhet të dilet dhe insistojmë që të hapet pakoja e problemeve të Kosovës. Pra, Kosova ka akumuluar probleme, në rend e ligj, në korrupsion, që ka mbërri shkalën enorme, kemi vështirësi ekonomike dhe kemi nevojë me u hapë, ta quajmë ashtu tema e jonë dhe dalja nga kjo gjendje përmes kthimit të mandatit tek qytetarët. A i kemi lënduar marrëdhëniet? Besoj që jo, sepse ata janë të vetëdijshëm po ashtu për këto sfida që po i kalon Kosova.

Përmendët njohjen nga Serbia e të cilën Kosova është e përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve. Nëse, hipotetikisht, nesër vini në pushtet, cila do të jetë qasja juaj ndaj këtij procesi?

Haradinaj: Ne duhet ta ftojmë Serbinë për të filluar një rrethanë e re e marrëdhëniëve, ose një situatë e re e marrëdhënieve, jo me bazuar vetëm në të kaluarën, por në atë që na pret në të ardhmen. Kosova aspiron të jetë anëtare e BE-së, anëtare e NATO-s. Edhe Serbia ka të njëjtat orientime. Pra, duhet të thirremi në atë që synojmë dhe të ikim nga e kaluara. Por, kuptohet që Kosova është e gatshme në një partneritet që është reciprocitet. Prandaj nuk e kuptojmë pse duhet ndonjë tolerancë e caktuar ndaj një fqinji dhe nuk kuptojmë se kështu e ndihmojmë fqiun apo marrëdhëniet në rajon. Duke i qartësuar mirë marrëdhëniet do të kemi një rajon më stabil.

Disa herë e përmendët edhe korrupsionin që ju e keni quajtur enorm në Kosovë. Ku po ngecë lufta kundër tij? Ju vet keni qenë pjesë e qeverisjes në këtë vend. Nuk është se edhe atëherë ishte shumë më mirë. Ku është problemi realisht?

Haradinaj: Janë dy momente ndoshta. Njëri është, nëse je në qeverisje, është kontributi më e ndalë korrupsionin ose kontributi me u zhvillue korrupsioni. Në kohën kur unë kam qenë në qeverisje, që janë 100 ditë vet personalisht, mendojmë se kontributi ynë ka qenë në të parën, që të ndalen praktikat korruptive. Pastaj ka devijuar qeverisja, qysh e dimë për shumë rrethana. E tani mendojmë se duhet të kthehet ai kontributi i parë, pra qeverisja duhet të jetë e angazhuar që të ndalet korrupsioni. Dhe besoj se kjo është detyrë e jona, e të gjithë neve në vend.

Më lejoni t’i kthehemi një çështjeje të përmasave botërore që ka të bëjë me kërcënimin nga forcat radikale të ndikuara nga zhvillimet në Lindjen e Mesme. Si është situata në Kosovë në këtë aspekt nga pikëpamja juaj?

Haradinaj: Mendoj se është përkeqësuar gjendja, ose është rritur rreziku nga këto elemente, ose nga terrori ndërkombëtarë, ose nga luftëtarët islamik. Dikur ka qenë ideja e tyre vetëm të krijojnë një vend ku banorët lokal kanë ndoshta një ndjenjë simpatie për këto procese, por ata kanë evoluuar më shumë duke rekrutuar njerëz dhe duke i kthyer në aleatë, ose duke provuar t’i kthejnë në aleatë për verimet e tyre. Kosova e ka kuptuar këtë, institucionet e Kosovës e kanë kuptuar këtë. E di se janë aktive dhe vigjilente. Mirëpo, rreziku është real, jo më nga vetëm simpatia ose ndjenjat e caktuara, por nga mundësitë e veprimit direkt të luftëtarëve islamistë edhe ne territorin tonë. Për ne kjo i paraqet dy rreziqe për Kosovën. Një është se ata në një mënyrë sulmojnë identitetin tonë shqiptar, historinë, traditën, atë kush jemi, vlerat tona shqiptare dhe të besimit. Dhe në anën tjetër ata rrezikojnë edhe sigurinë. Pra, ne kemi motive të fuqishme që ta luftojmë pa kompromis ndikimin e tyre, apo edhe çdo lloj veprimtarie në territorin tonë.

Kriza politike në vend shpesh ka pasur edhe përmasa tjera edhe me ashpërsimin e gjuhës. A keni pasur shqetësim se kjo mund të krijojë terren të volitshëm edhe për veprime nga jashtë?

Haradinaj: Kualiteti qeverisës, ose mënyra se si qeveriset vendi ynë, në rast se kemi një qeveri që nuk është e aftë t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve, e humbë besimin e qytetarëve, vlerësohet si jo kredibile, atëherë ai vakuum shfrytëzohet nga të gjithë të tjerët. Por, edhe kur opozita kundërshton një qeveri sado të keqe, prapë se prapë, në ato diskutime, në atë kontest mund të gjejnë hapësirë të gjithë. Megjithatë, ne e kemi një situatë që s’është e ndërlidhur me një veprim konkret, të një momenti politik. Por, është një etapë bukur e gjatë kohore që rrymat islamiste, ose ata “muslim brotherhood” që thonë, kanë filluar këtu që nga 1999 aktivisht me ato OJQ-të. Mendojmë se duhet të jemi të kujdesshëm edhe në afat të gjatë. Ata po përgatisin edhe etapa tjera, po punojnë edhe në plane 10 e 20 vjeçare. Pra edhe Kosova duhet të ketë një strategji të veten që është e qëndrueshme, e përhershme./telegrafi/.kohaislame

Artikulli paraprakZjarr pranë Xhamisë së Çarshisë (Foto)
Artikulli vijuesPutin akuzohet se ka formuar ushtri të fshehtë në Evropë