Marseja e mbërthyer nga bandat dhe droga

Dhuna dhe konfliktet mes bandave kriminale në Marsejë të Francës kanë dalë jashtë kontrollit, aq sa një senatore që përfaqëson zonën ka thirrur ushtrinë për të vendosur rendin. Korrespondentja Elaine Cobbe bisedoi me kryetarin e bashkisë së qytetit dhe vizitoi apartamentet e banimit, e shoqëruar me një polic, i cili gjithashtu drejton një organizatë vullnetare të rinjsh:

Marseja është qyteti më i vjetër dhe më i varfër i Francës. 25 për qind e popullatës jeton nën nivelin e varfërisë dhe 18 për qind janë të papunë. Në disa lagje të qytetit papunësia mes të rinjve arrin deri në 50 për qind. Edhe niveli i krimit mes të rinjve po rritet.

“Aktualisht në Marsejë është e njëjta gjendje si në Çikagon e viteve 1930; banda kriminale, dhunë, drogë”, shprehet Mohamed Ziani, një biznesmen që u rrit në këtë qytet port në brigjet e Mesdheut dhe ka përjetuar ndryshimet gjatë viteve. Marseja gjendet në udhëkryqin e rrugëve tregtare nga Italia në lindje, drejt Spanjës në perëndim. Pozita gjeografike e ka ndihmuar të bëhet pikë shpërndarjeje e një pjese të konsiderueshme të drogës që konsumohet në Evropë.

Aktualisht, droga shitet hapur në një numër kompleksesh shumë-katëshe banimi që ndodhen në lagje të ndryshme të qytetit. Armët e dorës shiten lire gjë që ka ndikuar në përmasat kërcënuese që ka marrë krimi dhe lufta mes bandave rivale. Këtë vit 21 vetë gjetën vdekjen në një betejë të përgjakshme mes karteleve për kontroll territori.

Oficeri i policisë Kamel Bassaa nget makinën pranë blloqeve të banimit dhe tregon lulet e vëna në anë të rrugës, që kujtojnë të rinjtë e vrarë në ato vende. Ai thotë se çdo rrugë, çdo pikë në qytet tregon një histori të dhunshme, në shumë raste, akte të panevojshme papjekurie, siç i gjykon ai. Ai sheh dy adoleshentë që patrullojnë zonën për të paralajmëruar shitësit e drogës se po afrohet një makinë policie. Oficeri Bassaa thotë se të rinjtë e zonës shohin filma amerikanë me dhunë dhe për këtë skenar amerikan, ai do të donte një zgjidhje amerikane.

“Tolerancë zero si në Nju Jork dhe shtimin e policëve në zonë”.

Pas pune oficeri drejton një organizatë vullnetare që përpiqet të ndihmojë fëmijët të mos bien pre e bandave kriminale. 23 për qind e të rinjve në Marsejë lënë shkollën pa marrë diplomën e maturës. Organizata Shkolla e Shansit të Dytë u ofron të rinjve një alternativë tjetër:

18-vjeçarja Cynthia Martinez e la shkollën kur ishte 16 vjeç sepse nuk i përlqenin mësuesit dhe tregon se në shkollë nxënësit më shumë rriheshin me njëri-tjetrin se sa mësonin. Tani ajo po zëvendëson disa nga mësimet që ka humbur dhe po përgatitet që një ditë të bëhet mësuese fizkulture.

Biznesmenë si zoti Ziani përpiqen të japin ndihmesën e tyre. Ai drejton një agjenci që përpiqet t’u gjejë punë punëtorëve handikapadë:

“Në këtë zonë nuk kemi vetëm dhunë dhe drogë, nuk kemi vetëm komplekset e varfëra të banimit të financuara nga qeveria. Këtu ka njerëz që hapin bizneset e tyre, që ngrihen herët në mëngjes dhe shkojnë në fabrikë. Shumica e njerëzve punojnë”.

Zoti Ziani synon t’u tregojnë të rinjve të Marsejës se kanë alternativa. Por e vërteta është se ofertat janë më të pakta për ata individë që shkruajnë në aplikimin për punë adresën në komlekset e varfëra të banimit që financohen nga qeveria.

Saida Hidri jeton në një nga këto projekte dhe punon për të ndihmuar pjesëtarë të komuniteteve imigrante. Ajo ka vërejtur gjatë viteve se si shumë nga fqinjët e saj në moshë të re kanë rënë pre e krimit me qëllimin për të gjetur një mënyrë të lehtë për të nxjerrë para, shpesh nga 300-500 dollarë në ditë.

Të rinjtë, thotë zonja Hidri, mendojnë se mund të ndërtojnë jetën me para nga krimi. Por kur përpiqen të shkëputen nga bandat kriminale, është tepër vonë, pasi njohin njerëzit, njohin rrjetin, pra mbeten të bllokuar në atë jetë. Ata që duan të shkëputen vihen në shenjestër, si vetë ashtu edhe familjet e tyre. Të gjithë jetojnë me frikë, thotë ajo.
Senatorja Samia Ghali, e cila u rrit në një nga komplekset e varfëra të banimit, tërhoqi vëmendje të madhe kur i kërkoi ushtrisë të angazhohej për të ndihmuar.

Ajo që i shqetësoi njerëzit më së shumti, thotë senatorja, nuk është fakti që njerëzit po vriteshin, por se ajo guxoi të ngrinte zërin. Ajo e detyroi qeverinë franceze të tregonte vëmendje dhe 200 policë shtesë u dërguan duke krijuar një stacion të ri policor në qytet. Qeveria po krijon edhe një program punësimi për lagjet me problemet më të thella. Ashtu si shumë të tjerë, zonja Ziani thotë se këto masa nuk mjaftojnë.

“Na duhen më shumë policë, sidomos në këtë zonë. Na duhen policë, fonde shtesë, vende pune, sepse po s’pate punë, çfarë të ardhme mund të kesh?”

Zyrtarët lokalë thonë se për shumë të rinj e ardhmja nënkupton një karrierë si shitës droge në moshën 16-vjeçare dhe një fund fatal nga një përleshje me armë në moshën 20 vjeçare. Pikërisht ky është realiteti që ata duan të ndryshojnë.

Artikulli paraprakTre të vrarë në Wisconsin të SHBA-ve
Artikulli vijuesSHBA-ja ndihmon Libanin në hetimin e sulmit me bombë