Kryeministri i Kosovës , Ramush Haradinaj në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së vendit, ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane, “Basler Zeitung”, gjatë së cilës ka folur për zhvillimet e fundit politike, gjykatën speciale, Serbinë etj.
Ai ka thënë bërja e Kosovës shtet të pavarur nuk ishte proces i lehtë dhe nga kjo çështje, vendi ka marr shumë mësime.
“Ne duhet të përmirësojmë qeverisjen tonë, sundimin e ligjit dhe ekonominë. Jemi ku jemi tani, por nuk do të heqim dorë, duhet të përballemi me problemet, sepse ky është shteti jonë, ne nuk kemi vend tjetër për të jetuar. Ka shumë gjëra në Kosovë për të cilat nuk mund të jesh i kënaqur. Kosova është ende një punë e papërfunduar. Institucionet qeveritare së pari duhet të fitojnë besimin e qytetarëve të saj në luftën kundër korrupsionit. Ne duhet të sjellim më shumë investitorë në Kosovë që të kemi potencial më të madh ekonomik” theksoi Haradinaj.
Ai nuk la pa përmendur edhe nismën për Gjykatën Speciale, për të cilën tha nuk mund të bëhej.
“Iniciativa për zhbërjen e kësaj Gjykate edhe ashtu do të dështonte, sepse për këtë proces duhet dy e treta e votave, prandaj ishte e pamundur dhe e pasuksesshme, pra nuk ka ndonjë epilog për këtë proces, por gjithashtu kritika për këtë Gjykatë kanë dhënë edhe plot avokatë”, tha ai, duke shtuar se në vitin 2014 kur u votua Specialja, edhe partia e tij votoi kundër.