Rreth tetë milionë euro llogaritet vlera e energjisë elektrike të pafaturuar për vitin 2016 në veri të Kosovës. Nga viti 1999, banorët e kësaj pjese të vendit nuk kanë paguar asnjëherë për rrymën e harxhuar, duke bërë që pagesa t`u faturohet banorëve të pjesës tjetër të vendit.
Për energjinë e pashpenzuar, qytetarët që nuk janë të veriut do të vazhdojnë të japin të holla nga xhepi i tyre edhe për një kohë të pacaktuar. Kjo pasi tarifat e energjisë do të vazhdojnë të mbesin të njëjta.
Sipas zyrtarëve të rregullatorit të energjisë, këto tarifa mund të ndryshojnë vetëm kur të formohet bordi.
Krejt këto deklarime të zyrtarëve të ZRRE-së, për avokatin e popullit, Hilmi Jashari, janë të pakuptimta. Ai thotë se vendimet e gjykatës duhet të zbatohen e jo të vlerësohen nga bordet.
Në anën tjetër, kryetarja e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, Sala Berisha, deklaron se edhe Kuvendi është i interesuar që bordi i ZRRE-së të plotësohet sa më shpejt në mënyrë që të zbatohet vendimi i gjykatës.