Pak ditë para se të arrestohej, ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, ishte informuar nga vartësit e tij për një investim të dyshimtë të parave të pensioneve në një institucion financiar jashtë vendit.
“Shefja e zyrës për mbikëqyrje në atë kohë Shkëndije Himaj më njoftoi se ka vërejtur një investim të dyshimtë të Trustit në një institucion financiar me probleme”, tregon Rexhepi.
Bëhet fjalë për 75 milionë euro në Fondin “Fortis”, kompania amë e të cilit, në momentin kur u investuan mjetet, në vitin 2010, ishte pranë falimentimit dhe po mbahej në jetë vetëm falë ndërhyrjes se qeverisë belge.
Rexhepi pohon se me t’i marrë informatat, kishte urdhëruar stafin e tij për një inspektim të detajuar rreth këtij rasti.
Por ky hetim nuk u krye kurrë, ndërsa Rexhepi do të arrestohej me një mal akuzash për keqpërdorime nga Policia e Kosovës. Pas qëndrimit katër muaj në burgim dhe një gjykimi maratonik, Rexhepi u shpallë i pafajshëm nga të gjitha akuzat për të cilat ngarkohej.
Rexhepi thotë ta këtë nisur këtë hetim nën dyshimin se mund të jetë kurdisje e këshilltarit izraelit të kryeministrit Thaçi, Arie si dhe pas një takimi që kishte pasur me vetë kryeministrin Thaçi e tij.
“Për habi, pas këtij takimi Trusti investoi rreth 75 milionë euro në një fond të Belgjikës i quajtur “Fortis”, e cila ishte nën intervenimin e qeverisë belge me mjete emergjente për shkak te krizës që e kishte goditur. Kurse disa muaj më vonë, Besim Beqaj u emërua ministër i ekonomisë në qeveri”, rrëfen Rexhepi për Gazetën Fjala.
Në këtë takim temë diskutimi sipas Rexhepit ka qenë investimi i parave të trustit në bankat jashtë vendit.
“Në takim ishin Kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministri Ahmet Shala, kryetari i bordit të Trustit Besim Beqaj, drejtori i Trustit Ardian Zalli dhe unë”, tregon Rexhepi i cili këtë takim e ndërlidh me atë paraprak me këshilltarin e Thaçit në Londër, i cili i kishte kërkuar të investoheshin paratë e në nën menaxhim të BQK-së në disa banka në Angli.
Aty Rexhepi kishte propozuar që Trusti të investojë edhe në bankat komerciale të Kosovës në pajtim me ligjin, deri në 5 për qind të mjeteve në një entitet të vetëm, duke arsyetuar se kjo në këtë kohë të krizës globale financiare do të kishte ndikim pozitiv dhe do të mundësonte rritjen e kreditimit të bankave.
“Kryeministri në mënyrë cinike e kundërshtoi propozimin tim, duke thënë se këto janë banka private etj. Ai filloi të më sulmoi gjoja për keqmenaxhim në bankë etj. Kjo më bëri të kuptoj se ky sulm ishte refleksion i refuzimit tim që t’i pranoi kërkesat e këshilltarit të tij, Ari”, tregon Rexhepi.
Zyrën e Presidentit të Kosovës, nuk ka dhënë përgjigje rreth akuzave të ish-guvernatorit Rexhepi.
Edhe Besim Beqaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, asokohe ishte Kryesues i Bordit në Trust, ka refuzuar të flasë për këtë çështje.
Në anën tjetër, Rexhepi thotë se dyshimi i tij bazohet në faktin se investimi u krye pak kohë pas takimit me kryeministrin e atëhershëm Thaçi si dhe në faktin se institucioni ku ishin investuar këto mjete ishte pranë falimentimit.
Ky institucion financiar, me tu bërë ky investim, ndërron pronësinë dhe Rexhepi urdhëron vartësit e tij të nisin hetimet rreth këtij investimi, siç e quan ai, të dyshimtë.
Por Rexhepi rrëfen se gjithçka ishte vonë, pasi u arrestua./Gazeta Fjala/