BIZNESI, KORRUPSIONI DHE KRIMI NË KOSOVË:
Ndikimi i ryshfetit dhe i krimit tjetër në ndërmarrjet private
Kjo anketë e bizneseve private në Kosovë nxjerr në pah se korrupsioni dhe format e tjera të krimit janë një pengesë e madhe për ndërmarrjet private, dhe se kanë një efekt negativ
në investimet private. Një përqindje e konsiderueshme e bizneseve iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publikë, në mënyrë të përsëritur, gjatë gjithë vitit. Bizneset, në sektorët e
prodhimit industrial, të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe ujë, janë më të prekurit nga ryshfeti, të pasuar nga bizneset në sektorin e tregtisë me shumicë dhe të tregtisë me
pakicë. Zyrtarët publikë, me rrezik më të lartë të ryshfetit në bashkëveprim me bizneset, janë: zyrtarët e doganave, zyrtarët tatimorë/të hyrave, zyrtarët komunalë ose provincialë.
Përderisa, treguesit e perceptimeve të korrupsionit, padyshim janë të dobishëm për ngritjen e ndërgjegjësimit, kjo anketë e mat përvojën aktuale të korrupsionit dhe krimit
përmes anketave me përfaqësues të bizneseve, të bazuara në mostër, në mënyrë që të sigurojë një vlerësim më real, një vlerësim të korrupsionit dhe krimit, që prekin sektorin e
biznesit, që është i bazuar në prova. Duke vepruar kështu, anketa përqendrohet në masën dhe modelin e ryshfetit sipas bizneseve, nga pesë sektorë të ndryshëm (të llogaritur për
rreth 79.7% të të gjitha bizneseve në Kosovë) në bashkëveprimet e tyre të shpeshta me administratën publike.
Sipas anketës, nga të gjitha bizneset, që kanë pasur kontakt me një zyrtar publik, në 12 muajt para anketës, 3.2% e tyre i kanë paguar ryshfet një zyrtari publik. Përhapja
mesatare e ryshfetit të biznesit në Kosovë është më e ulët sesa përqindja e qytetarëve të zakonshëm të Kosovës (11.1%), të cilët janë sprovuar me të njëjtën gjë në Anketën e
UNODC-së, të vitit 2011, për popullsinë e përgjithshme.
Shqyrtimi i përvojës së bizneseve, që iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publikë thekson faktin se korrupsioni luan një rol në biznesin e përditshëm të shumë kompanive. Bizneset
ryshfetpaguese paguajnë mesatarisht 7.7 ryshfete në vit, ose rreth një ryshfet në gati çdo shtatë javë. Përhapja e ryshfetit është më e lartë kryesisht në mesin e bizneseve të mesme
dhe të mëdha (me mbi 50 të punësuar) sesa në mesin e bizneseve të madhësive të tjera.
Një përqindje e konsiderueshme e gjithë ryshfetit, që u është paguar zyrtarëve publikë, nga bizneset në Kosovë, është paguar në para të gatshme (59.2%), pasuar me sigurimin e
ushqimit dhe pijeve, në këmbim të një “favori” të paligjshëm nga ana e zyrtarit publik (58.4%) dhe të mira ose përfitime të tjera (12.1%). Kur ryshfeti është paguar me para të
gatshme, shuma mesatare e paguar për ryshfet është 844 Euro, ose ekuivalente e 1,787 EUR-PFB.
Sa i përket asaj se cila palë, në fakt e inicion çështjen e ryshfetit, në rreth 38% të të gjitha rasteve, pagesa e ryshfetit është ofruar nga një përfaqësues i biznesit, pa bërë një kërkesë
paraprake. Ndërsa, në gjysmën e rasteve (rreth 50.1%), pagesa është kërkuar nga zyrtari publik, qoftë në mënyrë eksplicite (13.3%) qoftë në mënyrë implicite (30.3%). Në 6.5%
të rasteve të tjera, ryshfeti është paguar pas kërkesës së palës së tretë.
Qëllimet më të shpeshta të pagesës së ryshfetit, të cilat janë përmendur nga bizneset, janë: për t’i “përshpejtuar procedurat lidhur me biznesin” (28.4% e gjithë ryshfetit); “marrja e
një trajtimi më të mirë” (14.7%); dhe “mundësimi i finalizimit të procedurës” (13.1%). Në të njëjtën kohë, pothuajse një e katërta e ryshfetit të paguar (23.9%) nuk shërben për
asnjë qëllim të veçantë të bizneseve, që e paguajnë atë. Këto lloje të ryshfetit konsiderohen si “ëmbëltues”, që iu jepen zyrtarëve publikë për t’u “përkujdesur” për ta,
gjatë bashkëveprimeve të ardhshme në interes të kompanisë.
Ndërsa, 3.7% e ryshfetit të paguar nga bizneset është raportuar te autoritetet zyrtare, kryesisht në polici, që tregon se bizneset në Kosovë shpesh ndihen të detyruar të marrin
pjesë në ryshfet. Kjo është reflektuar edhe në arsyet kryesore, të përmendura, për mosraportimin e ryshfetit: “e pakuptimtë të raportohet pasi askujt nuk do t’i interesonte”
(28.2%); “frika nga hakmarrja” (19.2%); dhe “pagesa ose dhurata është dhënë si një shenjë mirënjohjeje” (19.4%).
Ryshfeti në sektorin privat, jo vetëm që përfshin ryshfetin që bizneset ua paguajnë zyrtarëve publikë, por ajo gjithashtu ndodh edhe ndërmjet vetë bizneseve, në mënyrë që
të sigurohen transaksionet e biznesit. Megjithëse, më e ulët sesa përhapja e ryshfetit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, me 0.6%, përhapja e ryshfetit biznes-me-biznes
tregon se kjo praktikë ekziston në Kosovë. Ky lloj i korrupsionit nuk duhet të ngatërrohet me marketingun normal ose me aktivitetet e marrëdhënieve me publikun, në kuptimin që
në mënyrë specifike synon, përmes mjeteve të paligjshme, ta shkelë integritetin e ryshfetmarrësit në këmbim të një ryshfeti. Asnjë nga bizneset në anketë nuk kanë
raportuar, te autoritetet përkatëse, incidente të tilla të ryshfetit biznes-me-biznes.
Rreth 3.3% e përfaqësuesve të biznesit kanë vendosur që të mos bëjnë investim të madh në 12 muajt para anketës, për shkak të frikës se duhet të paguajnë ryshfet për t’i marrë
shërbimet e kërkuara ose lejet. Kështu që, ndikimi i ryshfetit në aktivitetin e biznesit mund të jetë thelbësor.
Pasojat e krimeve të tjera, më tradicionale, në pronën e një biznesi dhe aktivitetet ekonomike, gjithashtu mund të jenë të konsiderueshme, si në aspektin e kostove të
drejtpërdrejta, që rrjedhin nga dëmtimi fizik, po ashtu edhe në kostot indirekte në formën e premive të sigurimit, shpenzimet e sigurisë dhe mundësive për investime të humbura.
Për shembull, rreth një në dhjetë biznese në Kosovë (10.1%) bien viktimë e vjedhjeve në aspekte të ndryshme (të llojllojshme) në një vit dhe bizneset e tilla janë të viktimizuar
mesatarisht 1.9 herë në atë periudhë kohore.
Normat vjetore të përhapjes për mashtrim (8%) dhe vandalizëm (3.2%) në sektorin privat janë gjithashtu domethënëse. Të tilla janë numri mesatar i herave, që bizneset kanë rënë
viktimë e këtyre krimeve (5.3 respektivisht 1.3). Për më tepër, gjatë 12 muajve të fundit, rreth 0.4% e të gjitha bizneseve në Kosovë kanë rënë viktimë e zhvatjes. Një krim ky, që
mund të jetë i lidhur me grupet e organizuara kriminale.
Për dallim prej korrupsionit, një pjesë e madhe e krimeve të zakonshme (mesatarisht 59.3% për pesë lloje të krimit) është raportuar në polici nga bizneset në Kosovë.
Përderisa, shumica e përfaqësuesve të biznesit (70.5%) konsiderojnë se rreziku nga krimi për kompaninë e tyre ka mbetur i qëndrueshëm në krahasim me 12 muajt e kaluar.
Pothuajse, një në dhjetë (9.8%) mendojnë se krimi është në rritje dhe 16.2% mendojnë se është në rënie. Frika nga krimi luan një rol shumë të rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes së udhëheqësve të biznesit, kur vjen puna për të bërë investime të mëdha.
Megjithëse, ka disa dallime sipas sektorit ekonomik, mesatarisht 9.1% e ndërmarrësve në Kosovë deklarojnë se ata nuk kanë bërë investim të madh në 12 muajt e mëparshëm, për
shkak të frikës nga krimi.
Megjithatë, rreth katër të pestat e bizneseve në Kosovë (80.4%) përdorin të paktën një sistem mbrojtës të sigurisë kundër krimit. Vetëm një e treta (33.5%) kanë ndonjë lloj të
sigurisë kundër shpenzimeve ekonomike të krimit. Së bashku, korrupsioni dhe format e tjera të krimit, i vënë një barrë të konsiderueshme zhvillimit ekonomik në Kosovë. Vënia
në vend e masave më të shumta dhe më të mira, të synuara për mbrojtjen e bizneseve kundër krimeve, si dhe për parandalimin e korrupsionit (të tilla si masat efektive të
pajtueshmërisë së brendshme dhe politikat e tjera lidhur me korrupsionin) do të mund ta bënin atë, në mënyrë të konsiderueshme, barrë më të lehtë.
Gjetjet kryesore
- Përfaqësuesit e biznesit në Kosovë e radhisin korrupsionin si pengesën më të madhe për të bërë biznes, pasuar nga taksat e larta dhe mungesa e stabilitetit politik.
- Nëntë nga dhjetë kompani kanë pasur të paktën një kontakt të drejtpërdrejtë me një zyrtar publik ose me një shërbyes civil, në 12 muajt para anketës.
- Norma e përhapjes së ryshfetit në mesin e atyre bizneseve, që kanë pasur kontakt me zyrtarë publikë në atë periudhë është 3.2%.
- Bizneset që paguajnë ryshfet kanë paguar një mesatare prej 7.7 të ryshfetit për zyrtarët publikë, në 12 muajt para anketës.
- Ekzistojnë disa variacione në përhapjen e ryshfetit nëpër sektorët e biznesit në Kosovë: në prodhim industrial, energji elektrike, gaz dhe ujë (4.8%); në tregti me
shumicë dhe tregti me pakicë (3.3%); në akomodim dhe aktivitete për shërbime të ushqimit (2.9%); në ndërtimtari e transport dhe magazinim të kombinuar (1.6%). - Në Kosovë, 59.2% e ryshfetit është paguar me para të gatshme. Shuma mesatare e paguar për ryshfet është 844 Euro, e cila korrespondon me 1,787 EUR-PFB.
- Në gjysmën e të gjitha rasteve të ryshfetit (50.1%) pagesa është bërë ose me kërkesë, në mënyrë eksplicite (13.3%) a implicite (30.3%) nga zyrtari publik, ose
me kërkesë të palës së tretë (6.5%) në emër të zyrtarit. Ndërsa, në 38% të rasteve, ajo është ofruar nga një përfaqësues i biznesit, pa kërkesë paraprake. - Rreth një e treta (34%), e të gjitha ryshfeteve të paguara nga bizneset në Kosovë, është paguar para shërbimit, ndërsa 31.7% është paguar pasi shërbimi të jetë
kryer. - Qëllimet kryesore të pagesës së ryshfetit janë për ta përshpejtuar një procedurë (28.4%) ose për ta bërë të mundshëm finalizimin e një procedure (13.1%). Përveç kësaj, 23.9% e ryshfetit është paguar duke mos i shërbyer asnjë qëllimi të veçantë.
- Norma e përhapjes së ryshfetit të paguar, zyrtarëve publikë, është më e lartë për zyrtarët e doganave (1.9%) dhe për zyrtarët e taksave/të hyrave (1.8%).
- Vetëm 3.7% e të gjitha ryshfeteve të paguara nga bizneset në Kosovë janë raportuar te autoritetet zyrtare. Pothuajse, një e treta e përfaqësuesve të biznesit
(28.2%) nuk e kanë raportuar ryshfetin, sepse ata konsiderojnë se raportimi do të ishte i pakuptimtë, meqë askujt nuk do t’i interesonte për të. Përveç kësaj, 19.2% e
të intervistuarve kanë deklaruar se ata nuk e kanë raportuar ryshfetin për shkak të frikës nga hakmarrja. - Përhapja e ryshfetit, biznes-me-biznes, në Kosovë arrin në 0.6%. Kjo formë e ryshfetit në sektorin privat ka normat më të larta të përhapjes në sektorët e
ndërtimtarisë dhe atë të prodhimit industrial të kombinuar (1.2%) dhe në sektorët e tregtisë, akomodimit dhe transportit të kombinuar (0.5%). - Në më shumë se 90% të rasteve të ryshfetit, biznes-me-biznes, është bërë një kërkesë paraprake nga homologu, ose në mënyrë eksplicite, ose në mënyrë
implicite, ose nga një palë e tretë. Qëllimi më i rëndësishëm i ryshfetit biznes-mebiznes në Kosovë është për ta fituar një kontratë (51.4%). - Bizneset në Kosovë janë të prekura nga forma të ndryshme të krimit, në shkallë të ndryshme: norma e përhapjes 12 mujore e viktimizimit të biznesit është 10.1%
për vjedhje me thyerje, 8% për mashtrim nga të jashtmit, 3.2% për vandalizëm, 0.7% për vjedhje të automjeteve motorike (VAM) dhe 0.4% për zhvatje. - Përqindja e çdo lloji të krimit të raportuar në polici shkon nga 99.1% për VAM, 83% për vjedhje me thyerje, 72% për vandalizëm, 37.6% për rastet e zhvatjes, dhe
19.6% për rastet e mashtrimit nga të jashtmit. - Katër të pestat e të gjitha bizneseve në Kosovë (80.4%) përdorin, të paktën, një masë mbrojtëse të sigurisë kundër krimit.
- Shumica e përfaqësuesve të biznesit (70.5%) kanë deklaruar se konsiderojnë që rreziku nga krimi për biznesin e tyre, të ketë mbetur stabil, në krahasim me 12 muajt e mëhershëm. Ndërsa, 9.8% mendojnë se ai është në rritje; dhe, 16.2%
mendojnë se ai është në rënie.