I vrari nga polici, Ilmi Lufaj kishte provuar ta lironte nga arresti djalin e Agim Elshanit

Ilmi Lufaj, i vrarë në Deçan nga polici Shefqet Kamberaj, ka qenë pjesë e bandës së Bedri Krasniqit të cilët bashkë me dy truproja të Ramush Haradinajt, kishin rrëmbyer biznesmenin, Azem Morina.

Lufaj ishte dënuar nga shkalla e parë me 10 vjet burgim. Por, kur Gjykata e Apelit kishte hequr veprën penale të krimit të organizuar, ndërsa armëmbajtja pa leje ishte amnistuar, Lufaj ishte liruar.

Ditën e vrasjes, Lufaj kishte provuar me forcë ta nxirrte nga arresti, Besart Elshanin, djalin e Agim Elshanit. Agim Elshani ka qenë zëvendës i Ramush Haradinajt gjatë luftës.

I dyshuari Elshani, ishte arrestuar të martën në një kafene në Deçan për shkak të gjuajtjes me armë. Dikush e kishte njoftuar të ndjerin Ilmi Lufaj, i cili kishte shkuar para policisë tek stacioni policor në Deçan. Kishte provuar me forcë ta lironte të arrestuarin, duke sulmuar Policinë.

Për t’u mbrojtur nga sulmi, polici Shefqet Kamberaj e kishte vrarë atë me armë zyrtare gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Rasti është kualifikuar si vrasje nga Prokuroria Themelore e Pejës me kërkesë të së cilës, Gjykata ia ka caktuar 30 ditë paraburgim policit Shefqet Kamberaj.

Agim Elshani, ka qenë zëvendëskomandant i UÇK-së për zonën e Dukagjinit dhe njëri i afërm i eprorit të tij, Ramush Haradinaj.

Ilmi Lufaj, ndërkaq ka qenë pjesë e bandës së Bedri Krasniqit të cilët bashkë me dy truproja të Ramush Haradinajt, kishin rrëmbyer biznesmenin, Azem Morina.

Bedri Krasniqi, ishte dënuar nga shkalla e parë më 17 vjet burgim dhe 200 mijë euro gjobë, Dervish Idrizaj më 13 vjet burgim e 180 mijë euro gjobë. Më 15 vjet burgim dhe 150 mijë euro është dënuar Ahmet Neziraj, derisa Hamdi Krasniqi është dënuar më 12 vjet heqje lirie e 150 mijë euro gjobë. Me nga dhjet vjet burgim dhe nga 150 mijë euro gjobë janë dënuar Hilmi Lufaj, Himë Krasniqi dhe Selman Gashi.

Grupi kishte rrëmbyer pronarin e firmës “Gllareva” nga Gllareva e Klinës, Azem Morina, më 21 shtator të vitit 2010. Ata kërkonin 3 milion euro në këmbim të lirimit. Familja e Morinës kishte paguar 230 mijë euro.

Azem Morina ishte mbajtur mbi 40 ditë i kidnapuar staneve të Deçanit, derisa ishte lënë i lirë në Prishtinë.

Por në maj të vitit 2014, Gjykata e Apelit e ka liruar Ilmi Lufajn nga akuza pasi kishte hequr veprën penale të krimit të akuzuar kundër të gjithë të akuzuarve. Apeli, kishte vlerësuar se nuk ka vepër të krimit të organizuar, ani se grupi në mënyrë të organizuar e kishte rrëmbyer, mbajtur me qëllim të zhvatjes së miliona eurove.

Akuzat për armëmbajtje dhe përdorim të tyre janë amnistuar me Ligjin për Amnisti.

Kësisoj, i ndjeri Lufaj, ish-pjesëtar i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit është liruar nga burgu.

Prokuroria e ka arsyetuar kërkesën për paraburgim edhe “për shkaqe të sigurisë pasi që marrëdhëniet në mes dy familjeve janë acaruar dhe policia është duke ruajtur shtëpinë e policit”.

Në seancën për caktim të paraburgimit, i dyshuari Shefqet Kamberaj ka thënë se i ndjeri ka kryer shumë vepra penale.

“Nuk kam pasur të bëj me një qytetar të thjeshtë dhe të ndershëm, por me një të dyshuar, i cili ka qenë 10 vjet i dënuar dhe ka shumë raste në policinë e Deçanit për vepra të ndryshme penale”, ka thënë polici i akuzuar për vrasje.

Policia dhe Prokuroria nuk kanë dhënë detaje për këtë rast me arsyetimin se rasti është duke u hetuar.

Pos, Sindikatës së Policisë, askush nuk e ka marrë në mbrojtje policin i cili ishte sulmuar nga i ndjeri. Madje, në Deçan është mbajtur marsh protestues. Ilmi Lufajn e kanë cilësuar hero, ndërsa policin vrarës dhe kriminel.

Në marshin protestues është thënë se ish-ushtari i UÇK-së, ka marrë pjesë në tri lufta të ndryshme në Ballkan.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe t’u binden urdhrave të tyre të ligjshme, sepse ata janë të autorizuar të zbatojnë ligjin, t’i mbrojnë institucionet e Republikës së Kosovës, qytetarët, pasurinë e tyre, por edhe vetveten.

“Këto autorizime zyrtarëve policorë ua garantojnë ligjet e Republikës së Kosovës, Ligji i Policisë, andaj, pa pasur qëllim ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, konform legjislacionit në fuqi u bëjmë thirrje organeve kompetente të drejtësisë të rishqyrtojnë ‘domosdoshmërinë’ e masës së paraburgimit”, ka thënë Sindikata. /Insajderi/

Artikulli paraprakPolicia heton donacionin austriak për Kryqin e Kuq
Artikulli vijuesRusinovci: Çdo vit humbim 1000 hektarë tokë bujqësore