Rusinovci: Çdo vit humbim 1000 hektarë tokë bujqësore

Kryesuesi i Departamentit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në AAK, Imer Rusinovci, në Ditën Botërore të Tokës, i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që ta trajtojë me kujdes tokën bujqësore.

Ai thotë se institucionet e Kosovës nuk po e ruajnë dhe nuk po e menaxhojnë tokën bujqësore.

Në një konferencë për media ai ka thënë se 1/3 e tokës bujqësore nuk punohet dhe se çdo vit Kosova humb 1000 hektarë tokë bujqësore, si pasojë e degradimit, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.

“Vëzhgimet dhe observimet tona të cilat i kemi bërë si departament në kuadër të këtij subjekti politik, na kanë dhënë vërtet shifra alarmante dhe shumë tronditëse. 1/3 e tokës bujqësore në Kosovë nuk punohet, është djerrinë edhe aty ku punohet koincidon me një kultivim inteziv që nuk përkon me traditën dhe me kulturën e fermerëve tanë, për faktin se fermerët nga Kosova gjatë viteve të 80-ta kanë pajisur tregje të mëdha të nivelit rajonal duke filluar nga Lubjana, Zagrebi deri te Shkupi, ndërsa sot karakterizohemi me shifra marramendëse të importit për produktet bazë që mund të bëhen”, ka thënë ai.

Rusinovci ka shtuar se me rastin e Ditës Botërore të Tokës, Qeveria është dashur sot të mbjellë ndonjë fidan.

“Qeveria e Kosovës është dashur që të dalë sot me ekipet e veta, si në nivel rajonal, ashtu edhe në nivel qendror, që të pastrojë territoret e caktuara ku janë të kontaminuara, që të mbjellë fidanë të caktuara për këtë ditë, e cila është ndërkombëtare dhe të cilën 192 vende të botës e festojnë dhe e mbajnë me përgjithësi të madhe”, ka thënë ai.

Rusinovci ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se pavarësisht rritjes së buxhetit për bujqësi, nuk ka pasur efekte pozitive.

“Në këto dy vitet e fundit është vërejtur një lëvizje në ndarjen e buxhetit, por absurdi është se edhe më shumë fonde për bujqësi, përkatësisht 46 milionë euro, rezultati del më keq sa vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Kosova, sipas tij, ka kapacitete intelektuale dhe materiale që të vërë në funksion fermerët që të kemi sigurimin e ushqimit.

Artikulli paraprakI vrari nga polici, Ilmi Lufaj kishte provuar ta lironte nga arresti djalin e Agim Elshanit
Artikulli vijuesProgrami torturues i CIA’s i (VIDEO)