Nëse kultura islame nuk do i kishte ofruar njerëzimit më shumë se Ibnu Haldunin, kjo do të mjaftonte. Ai është një ndër dijetarët e njerëzimit, me të cilit civilizimi islam ndihet krenar. Ai hodhi bazat e sociologjisë dhe është i pari që këtë shkencë e ngriti në baza moderne. Ibnu Halduni arriti në hipoteza mahnitëse rreth ligjeve të urbanizimit, ngritjes së shtetit, zhvillimit dhe degradimit të tij.
Historia na tregon se mendimet dhe teoritë e tij u paraprinë disa shekuj sociologëve me të famshëm të botës, si francezi August Comte.
Historianët i njohin Ibnu Haldunit një sërë vepra në histori, matematikë, logjikë etj… Ai është autori i një sërë veprave të njohura, ku ajo më e shquara mbetet “Almukaddima”, i cili është vetëm njëri volum i një vepre prej shtatë volumesh. Në këtë libër, Ibnu Halduni sjell mendimet e tij në gjeografi, urbanistikë, astronomi, mjedisin ku lind dhe rritet njeriu, natyrën dhe faktorët që ndikojnë në jetën e tij, të cilët i bëjnë njerëzit të ndryshëm nga njëri-tjetri.
Ibnu Halduni ka lindur ditën e mërkurë me 1 Ramazan (27 Maj) i vitit 1332 dhe ka vdekur ditën e Xhuma 28 Ramzan (19 Mars) viti 1406.
Ai ishte astronom, ekonomist, historian, jurist, matematicien, strateg ushtarak, filozof, burrë shteti dhe njihet si themelues i sociologjisë.
Ai lindi në Afrikën veriore, më saktë në Tunizi, në kohën e hafsavitëve. Familja e tij kishte një fermë në Andaluzi pranë qytetit të Sevilles.
Ibnu Halduni memorizoi Kuranin përmendësh që në fëmijëri. Babai i tij ishte mësuesi i parë prej të cilit mori dije. Gjyshërit e Ibnu Haldunit i përkisnin elitës së Tunizisë dhe Andaluzisë, ku kishin pasur poste të lartë.
Familja e tij e lanë Andaluzinë nga fundi i shekullit të shtatë hixhri dhe u vendosën në Tunizi. Pjesën më të madhe të jetës, ai e kaloi në Tunizi dhe Marok. Një pjesë të Almukaddima-s, ai e shkroi në kalanë e Algjerisë, pati dhënë mësim në universitetin Zejtuna dhe Kajravan në Tunizi, por dhe në universitetin e Fas në Marok. Më vonë ai jep mësim dhe në universitetin e Ez’herit në Kajro.
Nga fundi i jetës, Ibnu Halduni zuri postin e kadiut të medh-hebit Maliki në Egjipt, pasi ishte i shquar në shkencën e fikhut.
Pas një sërë eksperiencash plot konflikte dhe hidhërim për shkak të vdekjes së prindërve dhe të shumë mësuesve të tij nga mortaja që u përhap, Ibnu Halduni u distancua nga aktiviteti i përgjithshëm, duke u fokusuar tek studimi i shkencave humane. Ai shkroi Almukaddima-n, duke hedhur kështu bazat e sociologjisë.
Ibnu Halduni shpiku dhe filozofinë e historisë, gjë e cila konsiderohet si shpikja më e madhe e mendjes njerëzore, pasi studion strukturën e shoqërive dhe zhvillimin e tyre.