Imami-politikan nga Kavaja, replikë me “kuqeziun” Kreshnik Spahiu për sirianët

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Kavajës nga rradhët e PDIU-së, Sulejman Rustemi, një ish-imam në këtë qytet, ka kritikuar qëndrimin e kreut të AK-së, Kreshnik Spahiu, lidhur me qëndrimin e këtij të fundit kundër ardhjes së refugjatëve sirianëve në Shqipëri. Në një status në FB, ish-imami i përfshirë në politikë, i kujton nacionalistit të zjarrtë Spahiu, se janë afro 18 mijë shqiptarë që janë regjistruar me mbiemrin Arnauti në Siri, pjesë e një kontigjenti të madh emigrantësh që shkuan dikur në vendin që sot është përfshirë nga lufta, e që padyshim u pritën me zemër të madhe nga populli sirian që sot është në ditë të hallit. Ja dhe mesazhi i plotë në FB:

A ËSHTË AK E KRESHNIKUT KUNDËR SIRIANËVE!?

Prej dy ditësh Kreshnik Spahiu, kryetari i AK, me anë të zëdhënësve të tij, po kundërshton variantin e ardhjes në Shqipëri si refugjatë të popullit Sirian që po shtypet nga lufta e cila po zhvillohet prej disa vitesh atje. Ardhja e emigrantëve Sirianë apo ngado që të jenë në botë duhet të mirëpriten, sepse ky është një detyrim moral tradicional dhe aktual. Por kurdoherë brenda normave të pranueshme të numërit të tyre duke u bazuar edhe në kapacitetet tona kombëtare.

Populli ynë i përvuajtur ka gjetur strehë kudo që i është dhënë mundësia në botë dhe këtë e ka bërë prej shumë shekujsh. Kujtojmë këtu periudhën para dhe pas luftës së dytë botërore. Mijëra shqiptarë emigruan edhe në Siri. Sipas statistikave të përcjella nga dr. Ferid Arnauti, janë regjistruar vetëm me mbiemrin Arnauti 18 000 banorë në një nga lagjet më të pasura në Damask, ku kam patur rastin të vizitoj vetë disa prej këtyre shqiptarëve në vitin 1999 ndër ta edhe dijetari i madh me famë botërore AbdylKadër Arnauti, mirëpo regjimi Asadist ia rrëmbeu shtëpitë dhe nga pronarë u kthyen në qiraxhinj. Po ashtu kanë jetuar mjaft fise të tjera që kanë ruajtur mbiemrat e tyre.

Atëherë kur kishim ne nevojë, populli sirian na priti me aq mundësi sa kishte. Mbase vërtet vila luksoze nuk u dhanë, por në vendin e tyre i lejuan të shkojnë, qëndrojnë dhe të ndërtojnë atje një jetë të re. Bota është e rrumbullakët, thotë një shprehje popullore. E ku më mirë se në këtë rast, kjo shprehje është një fjalë e thënë me vend. Atëherë, kur ne kishim nevojë, sirianët na treguan vlerat, traditën dhe mikpritjen e tyre. Po ne?

Sipas shumë informaciomeve të fundit në Shqipëri pritet të mbërrijnë 100 mijë refugjatë sirianë megjithëse ende nuk është vendosur plotësisht por një shifër realisht shumë e lartë për shqipërinë ku çdo ditë popullsia mendon të braktisë vendin që zhytet çdo ditë në varfëri.

Por ka edhe një tjetër anë medalja e të kundërshuarit pranimin e emigrantëve sirianë nga Aleanca Kuqezi. Sigurisht kjo forcë politike po përpiqet sërish të rikthehet në qendër të vëmendjes së shqiptarëve pas një pauze dy-vjeçare heshtjeje në një kohë ku shqiptarët kanë humbur besimin te partitë politike. Por AK ka zgjedhur një çështje të vështirë dhe serioze për të kundërshtuar, që bie ndesh edhe me vetë programin e saj politik. Por ka shumë të drejtë kur paralajmëron infiltrimin e rebelëve që kanë zbarkuar të tillë në Europë. Për këtë rast cilido firmëtar i nënshkrimit të një marrëveshjeje për të mirëpritur sirianët. Mospranimi është një çështje e vështirë sepse Shqipëria nuk mund të ndahet nga vendet e tjera të cilat do të pranojnë një kuotë të caktuar emigrantësh. Kjo do të shihej me skepticizëm dhe një kritik nga ndërkombëtarët dhe po ashtu edhe nga aleanca e madhe e krijuar për menaxhimin e refugjatëve.

Nga ana tjetër pranimi i refugjatëve sirianë është një tregues i të gjitha vlerave kombëtare shqiptare. Me pranimin e tyre ne tregojmë se jemi një popull me vlera humane dhe mikëpritës, nuk kemi asnjë arsye të mos i shfaqim këto vlera kombëtare.

Qëndrimi kundër emigrantëve i AK-së së Kreshnik Spahiut, lidhet edhe me pamundësinë e Shqipërisë për t’i pritur dhe akomoduar, në kohën kur për ta është caktuar vendi se ku do të dërgohen dhe janë siguruar kushtet .

Shqipëria dhe shqiptarët duhet të tregohen mikëpritës ndaj refugjatëve sirianë edhe për një fakt të thjeshtë. Por duke pranuar një numër të kufizuar brenda mundësive tona. Sepse në shekuj me radhë kemi qenë dhe vazhdojmë që të rrugëtojmë si refugjatë dhe e dimë shumë mirë se si mund të shërohet një plagë e tillë.

Për në fund fare i dashur Kreshnik Spahiu shpresoj të biem dakort se Sirianët kanë qenë, janë dhe do të jenë miqtë tanë. Ndoshta të kam kuptuar gabim.

Artikulli paraprakKanuni?! – Gjermania e tmerruar nga trajtimi i grave shqiptare në Shqipëri
Artikulli vijuesVIDEO – Një bisedë mes një narko dilerit dhe Hoxhës Mazllam Mazllami