Dokumentet e prezantuara për herë të parë në Washington që u zbuluan në dosjet e Arkivës Britanike, lidheshin ngushtësisht me një zbulim arkeologjik në bregdetin e Sarandës nga ekipi shqiptaro-amerikan; ky zbulim ishte i destinuar për të ndryshuar një herë e mirë historinë zyrtare të atij që konsiderohet si incidenti i Kanalit të Korfuzit, ngjarja më e rëndësishme midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
Siç dihet, në atë episod tragjik të 22 tetorit 1946, dy anijet britanike kishin rënë në mina ujore në territorin shqiptar, çka solli humbjen e jetës për 44 marinarë britanikë. Në prezantimin e Washingtonit bëhet e mundur zbulimi i të vërtetës së mistershme të kësaj ngjarjeje, duke i ofruar studiuesve të fushës dokumentet origjinale të Marinës Mbretërore Britanike, të cilat u refuzuan t’i jepeshin Gjykatës së Hagës, gjatë procesit që pasoi Incidentin e Korfuzit. Këto dokumente kanë qëndruar të mbyllura nga Ligji i sekretit shtetëror në arkivat britanike për gjysmë shekulli. Ato prezantohen për herë të parë, duke zbuluar, siç pretendojnë ekspertët më në zë të kësaj fushe, një fakt të thjeshtë, por tronditës: Shqipëria nuk do të dënohej nëse shteti britanik do të pranonte t’ia jepte trupit gjykues në Hagë materialin e mëposhtëm. Vlen të theksohet se këto dokumente u mbajtën nga autoritetet britanike dhjetë vjet pas kalimit të afatit që i skedonte si material sekret. Është e kuptueshme se kjo rrethanë diktohej nga konjukturat politike mes dy vendeve, ku çështja e arit shqiptar ishte dominuese.
Në dokumente zbulohet sesi marina britanike u përgatit paraprakisht jo thjesht për një kalim nëpër ujërat shqiptare, siç ka qenë versioni zyrtar, por për një demonstrim force dhe kundërpërgjigjeje, në rast nevoje. Më poshtë po i botojmë të plota dokumentet e korrespondencës së shtabit britanik, që parapriu incidentin e datës 22 tetor 1946 dhe solli rezultatin tragjik që të gjithë e dimë.
Në Dhomën e Lordëve në Londër, më 9 Shkurt të vitit 1981, zhvillohet debati i mëposhtëm ndërmjet një prej anëtarëve të kësaj dhome, Lordit Avebury dhe ish-ministrit të Mbrojtjes dhe më vonë Sekretarit të NATO-s, Lordit Carrington.
Lord Avebury: Pyes Qeverinë e Madhërisë së Saj kur do të mundemi që të kemi një kopje të “Volumit special” që i referohet Çështjes së kanalit të Korfuzit për t’i vendosur në Librarinë e Dhomës së Lordëve? Po kështu kur do të publikohen dokumentet të cilat nuk janë lejuar akoma të publikohen?
Lord Carrington: Kopjet e “Volumit special” nuk mund të jepen. Një kopje është në Zyrën e Rekordeve Publike. Njëqind dokumente nga 1946 deri me 1950 dhe 6 dokumente të Admiraliatit janë ndaluar nën Aktin e 1958 dhe 1967 Seksioni 5 (1). Nuk do të ishte mirë që ne të publikonim një listë të tillë.
Dialogu i mësipërm i shkëputur në një prej ditëve të zakonshme të punës në Dhomën e Lordëve, tregon qartë se disa prej dokumenteve kyçe të ngjarjes së Korfuzit ishin mjaft sensitive. Për këtë arsye, dokumentet e përmendura nga Lord Carrington janë bërë prezente për publikun këto vitet e fundit, qartësisht duke tejkaluar afatin ligjor të nxjerrjes së tyre nga periudha e konsideruar si sekret shtetëror. Materiali i prezantuar për publikun përmban dokumentet e famshme XCU, Plani Operacional i ndërmarrë nga Flota Britanike e Mesdheut mbi të ashtuquajturin Incident i Korfuzit.
Këto dokumente të papublikuara asnjëherë në Shqipëri, japin një pamje të plotë të asaj që është debatuar gjatë në opinionin publik, se kalimi i anijeve britanike në pasditen e 22 tetorit nuk ka qenë një kalim paqësor, por një kalim me qëllim testimin e Qeverisë Komuniste, mbi reagimin e saj ndaj kanalit të Korfuzit. Tashmë, me botimin e këtyre dokumenteve dhe me daljen në dritë të fakteve të reja kohët e fundit, mbi vendndodhjen e pozicionit të anijeve britanike në Gjirin e Sarandës, është e qartë se Shqipëria nuk mund të deklarohej fajtore. Megjithëse vendimi i marrë nga Gjykata e Hagës mbi fajin e Shqipërisë është një fakt real, edhe pse kanë kaluar mbi 64 vjet, ka vend dhe kohë për një rishikim të kësaj ngjarjeje.
Gjykata e Hagës, megjithëse ishte në dijeni të ekzistencës së dokumenteve XCU, nuk insistoi për t’i bërë ato publike gjatë procesit. Një vendim i cili mund të kishte ndryshuar historinë. Megjithatë askush nuk mund të shkruajë më mirë mbi rëndësinë e implikimit të këtyre dokumenteve sesa vetë pala angleze, e cila nga Zyra e Kryeprokurorit të Përgjithshëm, informon Qeverinë e Madhërisë së Tij, në një memo sekrete, ku shpjegohet se në këtë rast dorëzimi i këtyre dokumenteve nuk ka më rëndësi për aspektin ligjor të çështjes, por në këtë rast gjykohet reputacioni i Anglisë.
“Padyshim”, thuhet në këtë memo, “që ka dokumente të cilat janë kaq konfidenciale saqë shteti nuk mund t’i lejojë të dalin në dritë. Por fatkeqësisht në këtë çështje këto dokumente janë ato pa të cilat provat janë të pamundura të diskutohen. Implikime të mëdha politike sigurisht që janë tashmë të mundshme. Nuk mund të hidhet poshtë ideja se Gjykata do të refuzojë të marrë vendime pro kërkesave britanike, me mendimin se nuk mund të jetë e bindur mbi “kalimin paqësor” të anijeve britanike nëpërmjet Kanalit. Gjithashtu, nëse të dhënat e dala nga dokumentet XCU do të bëhen të ditura në vendet jo miqësore për ne, atëherë do të thuhet me plot gojën se çështja britanike – nëse ka fituar- nuk mundet të fitojë me atë që duket qartësisht se është mashtrim i Gjykatës. Po kështu, ne duhet ta kishim menduar se nëse dokumentet XCU do të dilnin në dritë, ose ajo pjesë ku thuhet se një bombardim për mbi një orë ishte planifikuar, me siguri që do të shokonte opinionin publik jashtë dhe brenda vendit. Po kështu XCU e bën të qartë se një aeroplanmbajtëse me një forcë luftarake në bord ishte e gatshme për të mbështetur operacionin, nëse do të kishte nevojë”, përfundon memoja e Kryeprokurorit britanik. /Auron Tare/Gazeta Tema/