INTERVISTA/ Nënkryetarja e BESËS, Ermira Asani – Salija: Familja dhe gruaja si pjesë e shoqërisë nuk janë barrë, por janë vlera

Intervista e dhënë për Lajmpress

Zonja Ermira Asani – Salija së fundmi jeni zgjedhur edhe nënkryetare e Lëvizjes BESA, pos postit si kryetare e Forumit të Gruas, çfarë domethënie ka kjo për ju?

Ermira: Postet, titujt dhe titujt e ndryshëm për mua janë një barrë e rëndë morale dhe, realisht, një pengesë në jetën praktike. Kjo për arsye se nga natyra jam person që asnjëherë nuk bëj premtime, parapëlqej ta kryej punën në heshtje për t’u siguruar, që nuk mbetet përgjysmë. Megjithatë, koha në të cilën jetojmë nuk të lë hapësirë ta bësh ndershmërisht punën në asnjë lëmi, ngaqë në këto troje heshtja shndërrohet në bashkëfajësi.
Më është dashur të kaloj veten për të pranuar këto dy përgjegjësi duke qenë e vetëdijshme se vetëm haptazi, publikisht dhe në mënyrë të organizuar mund të bëhet ndryshimi i gjendjes së rëndë në vend. E mira është se në Forumin e Gruas kam fatin përkrah meje të kem një numër të madh femrash që janë shumë më të mira se unë, si nga aspekti profesional, ashtu edhe njerëzor. Kjo më krijon rehati, ngase e di se gabimet e mia nuk e kalojnë dot këtë filtër dhe, nga ana tjetër, vlerat e tyre ma japin tërë fuqinë dhe vullnetin për të punuar më shumë.
Akoma nuk arrij ta perceptoj plotësisht përgjegjësinë e të qenit nënkryetare e Lëvizjes më me BESË në vend, andaj e ndjej veten sa të nderuar, aq edhe të sfiduar dhe për këtë e rezervoj të drejtën të flas tjetër herë.

Në Platformën e BESËS pjesë të rëndësishme i kushtohet edhe Familjes dhe Gruas, a po gjejnë gratë shqiptare mundësi për ti realizuar aspiratat e saja në BESË?

Ermira: Kushdo që mendon se mund të ndryshojë qoftë edhe lagjen e vet pa pjesëmarrjen e gruas në veçanti dhe familjes në përgjithësi, vetëm e gënjen veten. Kjo dhe vendi i gruas në botën shqiptare bën që Lëvizja BESA të zotohet të mos bëjë, qoftë edhe një hap të vetmin, pa pasur parasysh interesat e dy grupeve më të margjinalizuara nga shoqëria: femrave dhe të rinjve.
Theks i veçantë i është dhënë platformës, për të bërë hapat e parë në drejtim të veprimit politik në bazë të një programi, që nuk është veçse letër, që duhet mbajtur në sirtar, por që është vetë shpirti i Lëvizjes.
Familja dhe gruaja si pjesë e shoqërisë nuk janë barrë, por janë vlera, mbi të cilat është ndërtuar BESA si koncept ndër shqiptarë dhe s’ka si të mos jetë e nderuar në Platformë dhe në Lëvizje.
Formimi i Forumit të Gruas, konform Statutit, u bë pikërisht për të dhënë pa vonuar mundësinë që të gjitha femrat që janë aktive në Lëvizje, të gjitha simpatizueset, por edhe qytetaret, që nuk janë në politikë, të kenë një qendër rreth së cilës mund të gravitojnë për ta dhënë kontributin e vet në proceset politike, demokratike dhe shoqërore.

Ju si nënkryetare dhe kryetare e Forumit të Gruas në Lëvizjen BESA, sa keni arritur të krijoni hapësirë për përfshirjen e sa më shumë gra në Lëvizje?

Ermira: Forumi i Gruas ka për mision të nxisë gratë në Lëvizjen BESA që të marrin pjesë në politikëbërje, të krijojë një komunitet dinamik të grave udhëheqëse dhe të sigurojë rrjetin e nevojshëm për të mundësuar faktorizimin jo të rolit të gruas në të gjitha sferat e jetës, por për ta lehtësuar kontributin e gruas në të gjitha sferat.
Gratë nuk kanë nevojë për ndihmë, sepse gratë janë ndihma që i duhet shoqërisë. Nga emërimi im në krye të Forumit të Grave dita-ditës mahnitem me energjinë pozitive që e rrezatojnë anëtaret e tij dhe me idetë dhe kontributin që vërtet kanë potencial për të ndryshuar në të mirë shoqërinë tonë, por edhe për ta çuar BESËN përpara.
Do të isha jo vetëm e padrejtë, por edhe gënjeshtare po të thosha se më është dashur “të krijoj” hapësirë për përfshirjen e grave në Lëvizjen BESA. Hapësira ka qenë dhe është akoma aty. Mjafton vetëm që gratë të kenë vullnetin e mirë, qëllimin e pastër dhe puna e tyre në të mirën e të gjithëve mund të fillojë që sot. Vetë unë jam shembull i diskriminimit pozitiv në favor të grave, një politikë që e ka adoptuar BESA pa presion dhe me vetëdëshirë.

A është e gatshme BESA për zgjedhjet e 5 qershorit?

Ermira: Qëndrimi jonë lidhur me zgjedhjet, si edhe çdo qëndrim tjetër, është parimor dhe për këtë nuk parapëlqej t’i qasemi problemit dytësor që në këtë rast është data.
Unë do të shkoj edhe më larg, duke thënë se diskutimi rreth kohës së mbajtjes të zgjedhjeve është sa i gabuar, aq edhe i dëmshëm. Pa pastrimin e listës zgjedhore dhe pa reforma të pranueshme në media, për ne dhe për ndërkombëtarët, pak rëndësi ka nëse zgjedhjet mbahen në qershor ose në shtator, ngase ato do të jenë të komprometuara dhe, si të tilla, të papranueshme për ne.
Thelbi i debatit duhet të jenë mekanizmat garantues për një proces zgjedhor të mirëfilltë dhe të mos lejojmë të humbim energji duke diskutuar për tajmingun. Tërë kjo mund të bëhet vetëm me veprimin e të gjithë aktorëve politikë dhe bashkësisë ndërkombëtare si garant i këtij procesi.

Artikulli paraprakTronditet Maqedonia , KSHZ zbulon se kanë votuar edhe qytetar të vdekur
Artikulli vijuesKomiteti i Helsinkit: Refugjatëve mysliman në Gjevgjeli po i shpërndahet mish derri