Irani ka rritur katërfish eksportin me Korenë e Jugut që nga muaji janar dhe shpreson që ta trefishojë tregtinë vjetore me Seulin, thanë dje liderët iranianë.
Ministri për Naftën i Iranit, Bijan Zanganeh, tha në Teheran se është katërfishuar eksporti i naftës me importuesin e pestë më të madh në botë dhe se i ka dërguar Seulit 400 mijë fuçi në ditë në muajin prill, nga 100 mijë sa dërgonte para tërheqjes së sanksioneve ekonomike, në janar të këtij viti.
Njoftimi i tij vjen në ditën kur OPEC-u (Organizatës Botërore të Vendeve Eksportuese të Naftës) tundi tregjet globale me vlerësimet që tregonin se Irani ka rritur prodhimin e tij ditor të naftës në 3.5 milionë fuçi në ditë gjatë muajit të kaluar.
Kjo nuk është larg nga arritja e qëllimit të Iranit për prodhim të 4 milionë fuçive të naftës në baza ditore, që i kishte para ngritjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Irani i bëri të ditura ambiciet e reja tregtare dhe arritjet gjithashtu, gjatë vizitës së presidentit të Koresë së Jugut, Park Geun-Hye në Teheran, e cila ishte e para për një president nga ky vend që nga koha e nisjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve në vitin 1962.