Ish-Ministri i Shëndetësisë Dëshmitar në Rastin ‘Medicus’

0
252

Ish-ministri i Shëndetësisë Alush Gashi pritet të dëshmojë në gjykimin e mjekëve Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, do të jetë dëshmitar në gjykimin e mjekëve të klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini.

Gashi që drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë në periudhën nëntor 2007- prill 2010 është paraparë të dëshmojë të hënën së bashku me Agim Kasumin, një dëshmitar tjetër.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.