HIJET E VRASJEVE QË NDJEKIN THAÇIN

0
182

A është i sinqertë presidenti Thaçi kur kërkoi zbardhjen e këtyre krimeve? A beson ai se mund të zbardhen këto krime, apo e di se gjurmët janë mbuluar e Prokuroria nuk ka fuqi për t’i zbardhur ato? Apo, po dëshiron që përgjegjësinë për këto krime t’ia faturojë njerëzve të tij, pikërisht në përvjetorin e themelimit të partisë që e drejtoi për 16 vjet?

Ai kishte marrë Scorpinin nga xhipi i zi i Azem Syles. Pak orë më vonë nga tyta e kësaj arme kishin dalë 6 plumba. Ne vend kishte mbetur i vrarë një njeri. Gruaja po ulërinte nga tmerri.

Kriminelët kishin ikur pa lënë gjurmë. Të shtrirë kishin lënë një trup pa jetë të mbytur në një pellg gjaku.

Gjak të një spiuni, siç e kishin cilësuar ata.

Një darkë festive do të shtrohej atë natë. Rreth tryezës do të uleshin vrasësit e një njeriun.

Ibush Kllokoqi “kishte merituar” gjashtë plumba të armës Scorpion, e cila i ishte dorëzuar Nazim Bllacës në veturën e zezë në të cilën ndodhej Azem Syla. Prandaj festohej atë natë vere të vitit 1999.

Ishin bërë një muaj që prej se lufta kishte përfunduar. Vendi udhëhiqej nga Hashim Thaçi, që drejtonte Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Asnjë lëvizje nuk ishte bërë nga ajo qeveri për të parandaluar skuadrat e vrasjeve të krijuara nga njerëzit që keqpërdorin namin e UÇK-së.

Derisa Qeveria e Thaçit nuk i ndalonte, “skuadrat e vrasjeve”, kishin hartuar një listë njerëzish që duheshin vrarë. Numri i të ekzekutuarve kishte nisur të shtohej.

Një tjetër njëri po e priste fati i Ibush Kllokoqit. Edhe darkë mbase do të shtrohej për nderë të vrasjes së tij.

Banush Berbatovcit i kishte ardhur radha e vrasjes më nëntor 1999. Nata ishte e ftohtë në fshatin Varigovc rë Lipjanit. Në ora 22 e 30 dikush do të trokiste në derën e tij.

Do të ftohej për një udhëtim me Opel Omega. Plani ishte që Banushi mos të kthehej më i gjallë në shtëpi.

Do të dërgohej afër një mali për ekzekutim. Vrasësit do të bënin gati armët. Jeta e tij ishte në dorë të grupit kriminal të Nazim Bllacës.

Por, diçka do ta ndryshonte gjithë rrjedhën e ngjarjes. Banushi kishte nxjerr një letër nga xhepi i këmishës. Ishte një vërtetim i lëshuar nga një zëvendësministër në Qeverinë e Përkohshme që drejtohej prej Hashim Thaçit.

“Z. Banush Bërbatovci, nga Dobraja e Madhe, Komuna e Lipjanit është person i cili i ka ndihmuar UCK-së. Ky vërtetim i lëshohet si dëshmi se ky person nuk ka qenë i implikuar në gjërat për të cilat akuzohet”, thuhej në këtë vërtetim të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjës në kuadër të Qeverisë së Përkohshme. Ministër ishte Azem Syla.

Vërtetimin e kishte lëshuar zëvendësministri, Fatmir Limaj.

“E Fatmir he car”, kishte thënë njëri prej vrasësve të Babushit.

Banushi u kishte shpëtuar plumbave falë këtij vërtetimi.

Njerëz tjerë që nuk e kishin pasur fatin të merrnin vërtetime nga Qeveria e drejtuar prej Hashim Thaçit, se nuk janë spiun, po vriteshin çdo ditë.

Grupi i vrasësve po shtrinte pushtetin e dhunës dhe frikës gjithandej. Kundërshtarët politikë dhe spiunët e pandehur si bashkëpunëtorë të regjimit të Millosheviqit ishin cak i këtyre sulmeve.

Këto krime po kryheshin nga njerëz që drejtoheshin prej Azëm Sylës – ministër i Hashim Thaçit.

Rrëfimin e Banush Berbatovcit e pata dëgjuar në dhjetor të vitit 2009 – vetëm pak ditë pas daljes publike të Nazm Bllacës. Bllacën i dënuar për një vrasje dhe i shpallur dëshmitar bashkëpunues për disa të tjera, pretendonte se ishte pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës. Ky shërbim që drejtohej nga kryetari aktual i Kuvendit, Kadri Veseli ishte nën kontrollin e PDK-së.

Një ditë pas botimit të rrëfimit të Banush Bërbatovcit, kisha takuar Fatmir Limajn në Kuvendin e Kosovës. Kishim shkuar bashkë me kolegun, Kastriot Jahaj.

Me vete kisha letrën e nënshkruar prej tij. Atë ditë ishte botuar në “Koha Ditiore”. Donim një koment rreth këtij rasti.

“Sa njerin e kam pshtu kshtu”, na thotë Limaj, teksa më shtërngonte krahun me gjithë fuqinë.

Një të nxirë në krahun e majtë kisha fituar nga Limaj, i cili në vitin 2010 ishte njeriu i dytë me fuqi e autoritet në PDK.

“Sa njerëz nuk i keni pshtu ju”, e pyes unë.

“Kaloni mirë!”, ma tha ai në stilin e ish-shefit të tij, Hashim Thaçi.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, njeriu që drejtonte një qeveri e cila lëshonte vërtetime se kush ishte spiun e kush jo, po kërkon zbardhjen e këtyre krimeve.

Thaçi, këtë e bëri në përvjetorin e themelimit të partisë së tij, PDK-së, por nga pozita e presidentit të vendit.

Pos zbardhjes së një serie masakrash të kryera nga forcat serbe, Thaçi kërkoi zbardhjen edhe të vrasjeve të pasluftës, pavarësisht motiveve të tyre.

Por, nuk mori kurrfarë përgjegjësie, ani se një pjesë e madhe e këtyre krimeve i vihet në barrë atij dhe njerëzve të tij më të afërm.

“Arma me të cilën u ekzekutua Ibush Kllokoqi” u mor nga vetura në të cilën ndodhej Azem Syla – thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut kundër Shaban Sylës, Bekim Sylës, Shpresim Ukës, Driton Hajdarit, e Sadik Abazit të dënuar më 54 vjet burgim.

Syla, ishte ministër në Qeverinë e Përkohshme dhe deputet i PDK-së, deri kah mesi i këtij viti kur dha dorëheqje pas hetimeve për krime ekonomike së bashku me vrasësit e Ibush Kllokoqit.

A është i sinqertë presidenti Thaçi kur kërkoi zbardhjen e këtyre krimeve?

A beson ai se mund të zbardhen këto krime, apo e di se gjurmët janë mbuluar e Prokuroria nuk ka fuqi për t’i zbardhur ato?

Apo, po dëshiron që përgjegjësinë për këto krime t’ia faturojë njerëzve të tij, pikërisht në përvjetorin e themelimit të partisë që e drejtoi për 16 vjet?

Për secilin krim që ka fakte apo zbardhet se prapa tij qëndrojnë bashkëpunëtorët e tij, Thaçi ka përgjegjësi.

Edhe penale madje. Sepse drejtonte një qeveri që lëshonte vërtetime se kush është spiun dhe nuk duhej të vritej.

Ky fakt, tregon se Qeveria e tij kishte autoritet të ndalte këto vrasje.

Këtë nuk e bëri. Ose e bëri fare pak, si në rastin e Banush Bërbatovcit, i cili sot është gjallë falë një vërtetimi të nënshkruar nga Fatmir Limaj.