Gjyqtari Shkëlqim Miri ka apeluar masën e sigurisë së dhënë nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda, që e la atë në arrest me burg.
I akuzuar për korrupsion dhe i pezulluar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Shkëlqim Miri i është drejtuar Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për zbutjen e masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpiak.
Më 12 nëntor, Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi të ligjshëm ndalimin e gjyqtarit të Apelit të Tiranës e vendosi ndaj tij masën “arrest me burg” me dyshimet se ai ka kryer korrupsion për të lehtësuar pozitën para drejtësisë të Gentian Dodës, i dorëzuar prej amerikanëve si një i shumëkërkuar.
Në atë seancë iu tregua gjykatës mbi përgjimet e kryera ndaj kushëririt të gjyqtarit, Kujtim Mirit, që shfaqet në kamera duke marrë një valixhe me para, të dorëzuara nga ndërmjetësi tjetër Alban Buçi, aktualisht i shpallur në kërkim.
Prokuroria thotë se, pas këtij momenti, Alban Buçi njofton në “Whatsapp” Gentian Dodën, që priste vendimin në burg.
“Rri pa merak, i dorëzuam dokumentet. I thamë s’kemi gjë tjetër, vetëm shpirtin. Do të dalësh nga mesi i muajit tjetër”, thotë ndërmjetësi.
Avokati i Shkëlqim Mirit, Ardian Visha këmbëngul se kjo shumë do të shpenzohej për kurimin e klientit të tij, që sipas tij vuan nga një tumor.
Shkëlqim Miri, gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë u ndalua me urdhër të Prokurorisë për dyshimet e korrupsionit, ndërsa në banesën e tij iu sekuestruan gjatë kontrollit me vendim gjykate 174 mije euro, mbi 10 milionë lekë dhe 1 mijë dollarë.
Shkëlqim Miri ka ndryshuar akuzën nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje për Gentian Dodën, i ekstraduar kohë më parë nga Shtetet e Bashkuara.
Gjykata e Apelit do të shqyrtojë më datë 27 nëntor kërkesën e gjyqtarit për t’i zbutur masën e sigurisë.
Top Channel