Të gjithë jemi të vetëdijshëm se organizmi ynë ka nevojë për një sasi të mirë ujë çdo ditë për tu hidratuar në mënyrën e duhur. Uji është vlerësuar nga të gjithë si shumë i dobishëm për shëndetin.
Sipas ekspertëve 75% e muskujve, 90% e trurit, 22% e kockave dhe 83% e gjakut janë të përbërë nga uji, ndaj dhe konsumi i tij rregullisht çdo ditë merr një rëndësi të veçantë për të gëzuar shëndet të plotë. Për të përfituar sa më shumë prej tij, këshillohet që të pihen së paku katër gota ujë në ditë, menjëherë në zgjim, ose thënë ndryshe me stomakun bosh.
Por pse duhet bërë kjo? Të gjitha organet kanë nevojë për ujë për të funksionuar në mënyrë korrekte dhe nuk ka gjë më të mirë se të hidratohen që në mëngjes. Pirja e ujit me stomakun bosh, luan rol të rëndësishëm për eliminimin e toksinave dhe mbetjeve të tjera në organizëm që mund të dëmtojnë shëndetin.
Në këtë mënyrë nëse pini ujë me stomakun bosh, pastrimi i organizmit bëhet më mirë. Kur pini ujë me stomakun bosh, merrni përfitime të tjera, për shkak të rregullimit të temperaturës së brendshme dhe oksigjenimit të qelizave. Gjithashtu pirja e ujit me stomakun bosh, ndihmon për të humbur peshë, për shkak se ky lëng krijon ndjesinë e ngopjes dhe frenon dëshirën për të ngrënë.