Fusha e prokurimit publik në vazhdimësi është konsideruar si një nga gjeneratorët më të mëdhenj të korrupsionit në Kosovë.
Është raportuar për favorizime, kurdisje të tenderëve dhe shumë shkelje tjera gjatë aktiviteteve të prokurimit publik.
Të gjitha raportet e progresit në vitet e fundit e kanë konsideruar si problem të madh prokurimin publik në Kosovë dhe kanë bërë thirrje që të merren masa konkrete për ta përmirësuar situatën në këtë drejtim, ndërkaq kanë kërkuar më shumë transparencë gjatë proceseve tenderuese.
Edhe Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) gjatë vitit 2016 ka gjetur shkelje të ndryshme të Ligjit të Prokurimit Publik gjatë procese të tenderimeve të ndryshme.
Sipas raportit të AKK-së, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit ka pasur shkelje të procedurave të prokurimit, apo në rastet më të këqija anashkalim të tërësishëm të këtyre procedurave, duke iu shmangur në këtë mënyrë transparencës dhe konkurrencës lojale.
Shkeljet e procedurave të prokurimit paraqiten gjatë gjithë ciklit të prokurimit duke filluar nga planifikimi dhe përgatitja e dosjeve të tenderëve si:
Anashkalim i të gjitha procedurave të prokurimit, për shpenzimin e mjeteve buxhetore të destinuara për projekt të caktuar;
Zyrtari Kryesor Administrativ me qëllim që t’i mundësojë përfitim të dobisë operatorit ekonomik (OE), lidh Marrëveshje Bashkëpunimi për kryerjen e shërbimeve sipas porosisë, pa zbatuar procedura të prokurimit duke i shkelur të drejtat e operatorëve tjerë ekonomik të interesuar të mundshëm në kundërshtim me legjislacionin në fuqi;
Tejkalimi i kompetencave nga ana e Zyrtarit Kryesor Administrativ me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë materiale për persona të caktuar duke bërë pagesa të parregullta për furnizime dhe shërbime, pa pasur kontratë me furnitorët e caktuar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, në fazën e vlerësimit të ofertave dhe nënshkrimit të kontratës Agjencia Kundër Korrupsionit ka evidentuar se paraqiten shkelje si revokim i kundërligjshëm i nenit të caktuar të Ligjit për Prokurimin Publik;
Sipas raportit në fjalë, faza e mbikëqyrjes së realizimit të punëve, ofrimit të shërbimeve dhe furnizimit karakterizohet si:
Pranim-dorëzimi i punëve të kryera nga operatori ekonomik edhe përkundër faktit se puna nuk ishte kryer konform kontratës dhe përmasave të parapara në dosjen e tenderit, por në përmasa më të vogla;
Mundësimi i përfitimit të dobisë materiale operatorit ekonomik, ashtu që, është lejuar tejkalimi i kontratës me porosi të artikujve shtesë të cilët nuk kanë qenë të paraparë paraprakisht në kontratë;
Nënshkrimi i urdhër blerjes për shërbime të cilat kanë qenë dashur të ofrohen sipas kontratës së prokurimit për një periudhë të caktuar kohore.
Në lidhje me rastet për të cilët janë ngritur propozim akuza dhe aktakuza nga ana e prokurorive kompetente, si dhe është duke u zhvilluar proces gjyqësor ndaj gjithsejtë 51 personave.
Ja sa shkelje janë gjetur gjatë vitit 2016 në prokurim
Aktivitetet e parandalimit të korrupsionit në fushën e prokurimit publik nga ana e AKK-së i zhvillon Divizioni për Parandalimin e Korrupsionit në Prokurimin Publik. Për realizimin e këtyre aktiviteteve Agjencia mbështetet fillimisht në Ligjin mbi Agjencinë, Ligjin mbi Konfliktin e Interesit si dhe mbi monitorimin e zbatueshmerisë së këtij kuadri ligjor: Ligjin mbi Prokurimin Publik, Ligjin për Partneritetet Publiko-privat, Ligjin për Standardizimin, Ligjin për shoqëritë tregtare, Ligjin për Administratën Tatimore, Ligjin për markat si dhe ligjet tjera që janë relevante për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas raportit të AKK-së, në vitin 2016 janë identifikuar gjithsejtë 127 raste të ndryshme për shkelje të mundshme të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), për të cilat është marrë vendim për fillimin e procedurës së parandalimit të korrupsionit në prokurimin publik.
Ndërsa për trajtimin e rasteve AKK ka paraqitur 103 kërkesa tek autoritetet kontraktuese të nivelit lokal dhe qendror, me të cilat ka kërkuar dokumentacion për aktivitetet e caktuara të prokurimit dhe i tërë dokumentacioni është ofruar brenda afatit të kërkuar.
Në Divizionin për Parandalimin e Korrupsionit në Prokurim Publik gjatë vitit raportues janë trajtuar gjithsej 127 lëndë në fushën e parandalimit të korrupsionit në prokurimin publik. Nga këto raste kanë rezultuar me 62 opinione të respektuara, 37 raste të mbyllura, 25 këshilla, si dhe 3 raste në procedurë. /tesheshi