Bota e sotme mund të “kapet” dhe të dokumentohet në çdo moment vetëm me njësha dhe zero.
Hardueri që e nisi gjithë këtë koncept ishte një projekt laboratorik, që duhej zhvilluar vetë, në vitin 1974. Qëllimi i tij ishte testimi i disa pajisjeve të vogla të reja dhe rezultati ishte: një pajisje “Frankenstein” për atë kohë. Një pajisje që vite më vonë do të ndryshonte totalisht botën e fotografisë.
Kamera e parë dixhitale
Imazhi tregonte një siluetë të pastër, por detajet nuk dalloheshin. Kamera kishte funksionuar, por duhej të përmirësohej ende. Pas disa problemeve, Steve Sasson kuptoi se çështja qëndronte tek ndryshimi i renditjes së biteve. Vetëm 1-shat dhe 0-t (e zeza dhe e bardha) shfaqeshin në mënyrë korrekte, duke i lënë pjesët e tjera të imazhit në një rrëmujë të vërtetë. Iu desh vetëm një orë për ta rregulluar problemin dhe pas kësaj mundi të shihte fotografinë e parë dixhitale.
Sasson ishte inxhinier elektronik në Eastman Kodak në vitin 1974, ku filloi të punonte me projektin e kamerës dixhitale. Në atë kohë, ai po provonte një “Charge-coupled device – CCD” (pajisje që përdoret për lëvizjen e rrymës elektrike, zakonisht nga brenda pajisjes tek një zonë rryma mund të modifikohet, për shembull të konvertohet në një vlerë dixhitale). Kjo pajisje ishte lançuar atë vit dhe ai vendosi të ndërtonte një kamerë për të kontrolluar cilësinë e imazhit. Gjëja më unike ishte se kamera do të ishte plotësisht dixhitale. Nuk do të kishte nevojë për film, çka ishte një zhvillim mjaft interesant në atë kohë për një kompani që në fakt jetonte dhe fitonte para nga shitja e filmave dhe letrave fotografike.
Sasson shpenzoi rreth një vit me këtë projekt dhe skuadra e tij e punës arriti të bashkonte një kamerë që peshonte 3.85 kg dhe ishte njëkohësisht portabël. Ajo kishte pjesë të ndryshme që përdoreshin në gjithë kompaninë. Ata kishin marrë lentet nga kamera Kodak Super 8, së bashku me një sërë pjesësh që përfshinin një regjistrues dixhital kasetash portabël, 16 bateri nikel-kadmium si dhe plot qarqe të tjera dixhitale dhe analoge, të lidhura bashkë.
CCD-ja ishte një çip imazhesh dixhital, e cila ofronte një matricë “photosite-sh” që ishin të ndjeshme ndaj dritës (ose ndryshe pikselë) si dhe jepte një rreshtim matrice 100 x 100 – e cila është e ngjashme me 0.01 megapixel me standartet e sotme. Struktura e dritës do të godiste sensorin, i cili do t’i konvertonte më pas ato në sinjale elektrike, të cilat më pas mund të konvertoheshin në imazh dixhital. U desh ca kohë, por Sasson dhe skuadra e tij arritën të mos e linin thjesht një ide kamerën e parë dixhitale, por ta bënin atë realitet.
Në dhjetor 1975, ata zbritën në korridorin e kompanisë për të provuar aftësitë e tyre fotografike tek njëri prej teknikëve të laboratorit. Pasi e morën atë me të mirë dhe shtypën butonin e aparatit, u kthyen në laboratorin e tyre për të parë rezultatet. CCD-ja e dërgoi imazhin përmes një regjistruesi dixhital kasetash, proçes që zgjati 23 sekonda. Më pas, ata e nxorën kasetën, e vendosën një njësinë e tyre të playback-ut, të cilën e kishin ndërtuar vetë, dhe i ngulën sytë ekranit për të zbuluar se eksperimenti në fakt kishte qenë i suksesshëm.
Sasson i shpërndau zbulimet e tij me një sërë grupesh në kompani gjatë vitit 1976. Demonstrimi i tij titullohej: Fotografia pa film. Kolegët e mbytën me pyetje të cilat nuk kishin të bënin me teknologjinë, por me zbatueshmërinë e saj. Shumë prej tyre filluan të vrisnin mendjen se çfarë impakti potencial do të kishte pajisja në treg, ndërkohë që të tjerët pyetën se përse do të duhej që njerëzit t’i shihnin në televizor fotografitë. Disa të tjerë u shprehën kuriozë se si do të dukej një “album elektronik fotosh” dhe si do të ruheshin fotot në të. Mbi të gjitha, ata pyesnin se kur do të mund të hidhej në treg pajisja.
Sasson ishte i papërgatitur ndaj këtyre pyetjeve sepse në fund të fundit, ai ishte inxhinier dhe jo futurist. Megjithatë, bazuar në ligjin Moore, ai dha këtë përgjigje: Do të duheshin 15 – 20 vite para se kjo pajisje të ishte gjerësisht e aksesueshme nga publiku. Ishte viti 1976. Në vitin 1977, Kodak filloi qetësisht të regjistronte patentat për teknologjinë e kamerave dixhitale, por nuk e përhapi lajmin për potencialin e fotografive pa film, sepse në atë biznes ishin për të shitur filma kryesisht.
Ligji Moore dha rezultate të sakta edhe në këtë rast. Kamerat dixhitale filluan të përhapeshin nga fillimi i viteve ‘90-të. Dycam Model 1 – i shitur edhe nën emrin Logitech Fotoman FM-1 – ishte një prej të parëve që u gjend në raftet e dyqaneve, por rezolucioni QVGA dhe çmimi prej 1000 $ e vështirësuan shitjen e tij. Me kalimin e viteve, filluan të tentonin edhe kompani të tjera. Për shembull, një prej tyre ishte edhe pajisja Apple QuickTake 100 në vitin 1994. QuickTake ishte e zhvilluar me Kodakun dhe mund të lidhej me kompjuterët me Macintosh dhe ato me Windows, duke ofruar rezolucione 640 x 480 (0.3 megapixel) dhe 320 x 240 (0.077 megapixel).
Edhe pse origjina e kamerave dixhitale vjen nga Eastman Kodak, kompania nuk arriti kurrë të hynte në tregun dixhital. Pasi u gjend në një greminë financiare, u detyrua që në vitin 2010 të shiste patenta me mjaft vlerë për të rregulluar falimentimin e vitit 2012.