Jabllanoviqit, Beogradi i thotë të japë dorëheqje!?

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, pritet të japë dorëheqje gjatë kësaj jave.

Këtë lajm e ka bërë të ditur për Republika24, një burim brenda Qeverisë së Kosovës. Sipas këtij burimi, Jabllanoviqi ka gjasa që dorëheqjen t’ia ofrojë kryeministrit Isa Mustafës edhe para mbajtjes së protestës e cila është paralajmëruar për këtë të mërkure.

 

Gjithnjë sipas këtij burimi, Jabllanoviq për dorëheqjen e tij ka marrë dritën e gjelbër edhe prej Beogradit, për ta lënë këtë post e për t’u emëruar në një detyrë të re.

 

“Ai do të jetë udhëheqës i Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë ky burim qeveritar.

 

Jabllanoviq i kishte quajtur “egërsira” protestuesit e 6 janarit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

 

Më 24 dhe 27 janar, në protestat që u mbajtën në Prishtinë, situata eskaloi në përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë, që si pasojë solli dhjetëra të lënduar si nga protestuesit ashtu edhe Policia e Kosovës. /Republika24/

Artikulli paraprak“Nënat e ushtarëve” rusë thonë se djemtë po u dërgohen në Ukrainë
Artikulli vijuesTerrorizmi sui generis i Thaçit!