Jeta vazhdon edhe pa ne të dy

Dr Aid Elkarnij

 

Kujdes se mos të vë në lojë shejtani dhe të fillosh të besosh se je pjesë e pandarë e këtij universi, se rrjedha historike fillon e mbaron tek ti. Nëse të ka ndodhur kjo, duhet të shpejtosh dhe të kërkosh derman.
Në varreza dergjen njerëz të cilët besonin fort se jeta do të çekuilibrohej me vdekjen e tyre, por në fakt nuk ndodhi asgjë kur vdiqën, jeta vazhdoi si më parë dhe asgjë nuk u pakësua.
Kur Zoti e dënoi faraonin bashkë me ushtrinë e tij, duke e mbytur brenda disa minutave, tha:”nuk i qau as qielli dhe as toka”. Atë ditë dielli ndoqi trajektoren e vet, njëlloj si hëna, pa ndryshuar as dhe një grimcë. As era nuk e ndryshoi drejtimin dhe gjithçka ndoqi rrjedhën e vet.
Ka njerëz të cilët për shkak të komplimenteve dhe elozheve që u bëhen, falë edhe cytjeve të shejtanit, u duket se janë bereqeti i njerëzimit, sikur janë frymëmarrja e universit dhe se Zoti i ka dashur të mirën njerëzimit me ardhjen e tyre në jetë. Në fakt, njerëzit kanë pasur me miliona syresh, të cilët qëndrojnë në pozita shumë herë mët ë larta, por që jeta vazhdoi rrjedhën e saj edhe me vdekjen e tyre.
Nëse je njeri i ditur dhe egoja jote e sëmurë të pëshpërit se je reformatori i shekullit, i vetmi dhe uniku në idetë dhe mendimet që mbart, krahasoje veten me imamët e mëdhenj të islamit si Ebu Hanife, Mali, Shafij etj… dhe krahaso ithtarët e tyre dhe përfituesit nga dijet që lanë pas, me ata që të ndjekin ty dhe përfituesit e dijeve të tua.
Nëse je shkrimtar dhe je i marrosur pas talentit tënd në të shkruar, krahasoje veten me kolosë si Xhahidh, Ebu Hajan, Haririj… do të shohësh që je një zero me bisht para tyre.
Nëse je poet dhe po i bombardon njerëzit me vjershat e poezitë e tua, të duartroket publiku, të brohorasin ashikët, saqë ke filluar të ndjesh se je poeti i botës dhe uniku i pashoq në këtë fushë, krahasoje pak veten me Imrul Kajs, Ebu Temam, Mutenebi, Shekspirin, Ikbalin etj… Shumë shpejt do të kuptosh se je një grimcë përkrah këtyre maleve madhështorë.
Nëse të duket se je inteligjent dhe i zgjuar, lexo jetëshkrimin e Aristotelit, Farabit, Ibnu Rushdit, Ibnu Tejmijes, Gazalit, Ibnu Haldunit… dhe do të kuptosh sa i vockër je para tyre.
Nëse merresh me biznes dhe të duket se ke në dorë çelësat e depozitave të botës, krahasoje pasurinë tënde me atë të Karunit dhe Ibnu Xhesas, magazinat e të cilit ishin plot me flori, kjo përveç pronave, shtëpive dhe pallateve.
Kam lexuar jetëshkrimet e kalifëve omejadë, abasitë dhe osmanë të historisë islame, ku secili prej tyre kishte autoritet të paparë, të plotfuqishëm mbi tokë, me ushtri të instaluara në të katër anët. Disa nga këta liderë kanë sunduar për dyzet vite me radhë, pastaj u larguan për në botën tjetër. Po ti pyesësh njerëzit sot rreth këtyre burrave, shumë pak prej tyre mund ti njohin. Madje po të shkoj dhe të pyes një mijë studentë rreth kalifit abasit Elmutedid, Elkahir, Erradi, Elmutez, Elmstedij, Elmutteki… se kur kanë lindur, kur kanë vdekur dhe cilat janë veprat që kanë lënë pas, kam frikë se asnjë student nuk do më japë përgjigje të saktë. Kjo, edhe pse historianët myslimanë Dhehebij, Taberij, Ibnu Kethir, Ibnu Ethir… kanë shënuar ngjarje të tyre të cilat të lanë pa fjalë, si ngjarje pozitive ashtu dhe negative, si suksese ashtu dhe dështime, si fitore ashtu dhe humbje, si drejtësi ashtu dhe padrejtësi. Në fund, të gjithë shkuan sikur të mos kishin jetuar. Kur Zoti i përmend popujt e shkuar pasi u shuan, shton:”A e ndjen ndonjërin prej tyre, ose a dëgjon zërin e ndonjërit prej tyre” Atyre nuk u ka mbetur asnjë gjurmë, asnjë jehonë, asnjë lajm, por thjesht janë shndërruar në mësim për të tjerët. Pikërisht për këtë, kushdo që zhytet dhe studion thellë historinë, ka një qetësi, maturi dhe modesti para madhështisë së Zotit. Sakaq ai që është sprovuar nga njohja e historisë dhe informacionit, beson se kjo botë është krijuar para disa vitesh, se ai është një nga kolonat dhe themelet e universit.
Nëse dëshiron të shohësh kurthin në të cilin kanë rënë shumë prej nesh, s’të mbetet tjetër veçse të lejosh ndonjërin prej këtyre që të flasë për veten, arritjet e tij, sukseset… edhe pse mund të jetë pronar i një kompanie që grumbullon dru për dimër, apo mbledh letra për ti ricikluar. Ai do të mbajë një kumtesë të gjatë lidhur me arritjet e tij, ku do të paraqesë fletë falënderimet, dekoratat dhe dëshmitë që mbajnë emrin e tij. Është mirësi dhe begati e Zotit që ua ka bërë të dashur punën njerëzve, pasi vetëm kështu ndërtohet dhe zhvillohet jeta dhe njerëzimi. Secili falënderohet për aq sa ka kontribuar dhe i ka sjellë dobi njerëzimit. Por është fatkeqësi kur njeriu mburret dhe tregohet arrogant me dhuntitë dhe punën e tij, duke mohuar kontributin e të tjerëve, përpjekjet dhe mundin.
Vëlla njeri! Jeta do të vazhdojë edhe pa mua edhe pa ty. Ashtu siç erdhën dhe u larguan burra më të mirë se ne të dy, burra që tashmë janë në listën e të harruarve, ashtu do të shkojmë dhe unë e ti, do të vdesim siç lindëm, do të harrohemi sikur të mos kishim ekzistuar.
Një filozof dhe burrë i urtë thoshte:”Çdo njeri e ka virusin e arrogancës dhe mendjemadhësisë.”
Një krijese të krijuar nga balta e pjekur, falë pushtetit të pafund të Krijuesit, nuk i shkon për shtat të tregojë arrogancë dhe mendjemadhësi para Krijuesit të saj të Gjithëpushtetshëm.
O bretkosë, përse u dashka të mburresh dhe tregohesh mendjemadhe, ndërkohë që sipër je e mbuluar nga uji, kurse poshtë vetes nga balta?
Askush nuk ka përse të fryhet mbi këllqet e tij, askush s’ka përse ta zmadhojë veten më shumë sesa është. Në fakt, ne nuk jemi veçse thërrmija të hedhura në këtë univers madhështor dhe të mrekullueshëm. Na kanë paraprirë shtete dhe mbretëri të shumta, por që askush nuk i kujton më, u janë harruar dhe emrat.

Artikulli paraprakPse Erdogani nxori tespihet nga xhepi gjatë intervistës
Artikulli vijuesDogana mbledh 567.7 milionë euro