JORDANIA DHE SHQIPËRIA TË ANGAZHUARA PËR NXITJEN E BASHKËPUNIMIT EKONOMIK

Shqipëria dhe Jordania angazhohen të thellojnë marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën ekonomike.

Në kuadër të vizitës që zhvilloi të hënën në Tiranë, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë, Abdulkarim Al Doghmi, u prit nga homologia Jozefina Topalli.

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryeparlamentarja e konsideroi ‘historike’ vizitën e zyrtarit të lartë jordanez, e para në nivelin politik që pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, në vitin 1987.
“Vizitën e kryetarit Abdulkarim Al Doghmi, që bëhet në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, e shoh si një mundësi shumë të mirë për të nxitur dhe intensifikuar jo vetëm shkëmbimet parlamentare, por dhe ato politike e për t’i hapur rrugën zhvillimeve ekonomike mes dy vendeve”, tha Topalli.
Ajo theksoi se nga investitorët e të dy vendeve duhet bërë një punë e rëndësishme, duke filluar nga nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe, për ta parë Jordaninë si një mundësi për investime nga ana e biznesit shqiptar, por dhe Shqipërinë si një mundësi investimesh për biznesin jordanez.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi veçanërisht autoritetet jordaneze për qëndrimin mbështetës që kanë shprehur ndaj Kosovës në OKB. Ajo gjithashtu, u shpreh dhe për nxitjen e shkëmbimeve në fushën e trashëgimisë kulturore, për të cilën Jordania është e njohur.
Ndërsa kryeparlamentari jordanez Abdulkarim Al Doghmi, e vlerësoi mbresëlënëse vizitën në Shqipëri. Ai nënvizoi se në të ardhmen do të ketë intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes reciprok.
“Pavarësisht se është vizita e parë e ndjej veten si në shtëpinë tonë dhe shpresojmë se ka shumë gjëra të përbashkëta që na lidhin ne dy popujt dhe marrëdhëniet tona do të vijojnë në një stad tjetër në të ardhmen”,
u shpreh ai.
Gjatë vizitës në Tiranë, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë, Al Doghmi, do të takohet me Presidentin Bujar Nishani, me Kryeministrin Sali Berisha dhe me Ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti./ao/kohaislame

Artikulli paraprakE tërë mjekësia në gjysmën e një ajeti kuranor
Artikulli vijuesPrezantuesi kanadez përqesh nikabin gjatë emisionit