Të hënën ka vazhduar mbledhja e Asamblesë komunale në Gjakovë, e cila ishte ndërprerë javën e kaluar si pasojë e mungesës së kuorumit për shkak të largimit të asamblistëve të opozitës.
Kuvendarët në pikën e radhës të rendit të ditës, e kanë revokuar një vendim të vetin, të marrë disa muaj më parë, sipas të cilit ia patën pamundësuar KEDS-it vendosjen e njehsorëve në ambientet e jashtme të lokaleve dhe shtëpive, konkretisht vendosjen e tyre në shtyllat elektrike.
Mësohet se ky revokim i vendimit ka ardhur si pasojë e presionit që KEDS-i ka bërë te Komuna e Gjakovës, për ndërprerjen e investimeve në rrjetin e tensionit të lartë në disa fshatra të kësaj komune, shkruan “Zëri”.
Në fakt, kjo edhe ka qenë arsyeja që javën e kaluar e shtyri opozitën (AAK-në dhe LVV-në) që ta lëshojë seancën, pasi që qëndrimi i tyre ishte që Komuna në asnjë mënyrë nuk duhet të lëshojë pe karshi presioneve të KEDS-it. Ky vendim është revokuar me rezultat të ngushtë të votave, gjegjësisht me 16 vota për dhe 15 kundër.
Gjithashtu, në vazhdimin e mbledhjes së Asamblesë Komunale me vota unanime i është dhënë mbështetja peticionit të 14.000 qytetarëve të komunës së Gjakovës, të organizuar nga shoqëria civile, për të ngritur kallëzim penal ndaj ish-ministrit serb Jabllanoviq për deklaratat ofenduese ndaj nënave gjakovare. Kryesuesi i Asamblesë komunale Luan Gola, ka thënë se ani pse Jabllanoviq është shkarkuar, Gjakova ka të drejtë të kërkojë edhe ndëshkimin ligjor për fyerjet që ai i ka bërë sa ka qenë ministër.zeri/kohaislame