Kantieri çnjerëzor, si skllavërohen fëmijët në landfillin e Sharrës

Familjarët e 17-vjeçarit të vdekur dhe punonjësit e kompanisë “3R” shpk tregojnë se fëmijë, gra dhe burra u punësuan në shkelje të ligjit dhe u shfrytëzuan në mungesë të kushteve të sigurisë në landfillin e administruar nga Bashkia e Tiranës-ndërkohë që autoritetet bënë një sy qorr.

Pak ditë pas varrosjes së 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj, vëllai i tij i madh u rikthye në landfillin e Sharrës. Me trupin e imët dhe me sy të skuqur nga lotët, Ardiani, 19 vjeç, i kërkoi rojes ta lejonte të shkonte në zyrën e financës së kompanisë “3R”; lajmi për shpërndarjen e rrogave të muajit korrik e shtyu atë sërish drejt vendit të tragjedisë.

Në zyrën e financës, Ardianit i vunë përpara borderonë me emrat e rreth 215 punëtorëve. Ai i tha BIRN se gjeti mes tyre emrin e të vëllait, hodhi një firmë krah tij dhe punonjësja i la në dorë 23 mijë lekë-pagesa e dyzet ditëve punë që Arditi kish kryer në landfill para se të masakrohej për vdekje mes plehrave.

“I mora, pse t’ua lija atyre?! Im vëlla u vra për ato para. Të punoje mes plehrave nuk ishte e lehtë. Unë nuk ia dola dot,” thotë i pikëlluar Ardian Gjoklaj për BIRN.Ardian-Gjoklaj-ok

 

Trupi i Ardit Gjoklajt u gjet i masakruar në landfillin e Sharrës mesditën e 7 gushtit. Sipas dëshmisë së familjarëve, 17 vjeçari ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë “3R” shpk në Sharrë, me shpresën se do të mblidhte paratë e nevojshme për të blerë librat e shkollës, pa rënduar familjen që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit polic.

Pas ngjarjes, katër punonjës të kompanisë “3R” u arrestuan dhe u shpall formalisht në kërkim administratori Edurim Teqja. Sipas hetimeve të policisë, Ardit Gjoklaj ishte punonjës sezonal, i paregjistruar në kompaninë “3R” shpk dhe që mbeti i vdekur si pasojë e goditjes aksidentale nga një ekskavator, në mungesë të kushteteve të sigurisë në punë.

Ardit Gjoklaj nuk ishte as punonjësi i vetëm i mitur dhe as i vetmi i paregjistruar dhe i pasiguruar nga kompania “3R” shpk. BIRN mësoi se një numër i madh punonjësish ishin rekrutuar në të zezë, punonin në mungesën totale të kushteve të sigurisë dhe ndryshe nga ç’u premtua më parë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk ishin të pajisur as me libreza pune dhe as me libreza të sigurimeve shoqërore.

Punonjës apo ish-punonjës të kompanisë “3R” shpk i thanë BIRN në intervista të veçanta se fëmijë, burra dhe gra-pjesa më e madhe e të cilëve nga komuniteti rom punonin në kushte çnjerëzore dhe në mungesë të mjeteve mbrojtëse në mes të plehrave.

Landfilli i Sharrës është nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Por në shkurt 2016, kompania “3R” shpk me seli në Peqin instaloi një impiant për seleksionimin dhe menaxhimin e mbetjeve në landfill. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se kjo kompani ishte pjesë e një ingranazhi më të madh që po përgatitej nga Bashkia e Tiranës për menaxhimin e mbetjeve.

Para vdekjes tragjike të Ardit Gjoklaj, impianti i kompanisë “3R” shpk në Sharrë u vizitua dy herë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në kronikën televizive të një prej vizitave në landfill, të transmetuar me datë 16 qershor, Veliaj lançoi planin e tij për ndalimin e seleksionimit të mbetjeve nga kazanët e plehrave dhe u sugjeroi të gjithë atyre që sigurojnë bukën e gojës përmes këtij aktiviteti që të punësoheshin ligjërisht në landfill dhe të merrnin rrogë me “sigurime shoqërore”.

Ftesa e Veliajt, sipas intervistave të realizuara nga BIRN shërbeu si nxitje për shtimin e krahut të punës në impiantin e instaluar në Sharrë nga kompania “3R” shpk. Në të kundërt, asnjë prej standarteve të premtuara nga Veliaj nuk u aplikua gjatë procesit të punës.

E vënë nën presion publik pas vdekjes së 17 vjeçarit, Bashkia e Tiranës ka refuzuar të sqarojë marrëdhëniet e saj me kompaninë “3R” shpk. Ajo ka injoruar gjithashtu pyetjet e përsëritura të BIRN, të dërguara përmes postës elektronike apo mesazheve telefonike.

Në landfillin e Sharrës-ku ndodhen edhe zyrat e kompanisë “3R” shpk, akush nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të BIRN për vdekjen e Ardit Gjoklit dhe mungesën e kushteve të punës. Pas vdekjes së 17 vjeçarit, kompania ka pezulluar punimet, ndërkohë që administratori i saj gjendet ende në kërkim.

Shmangia e përgjegjësisë

 

Bashkia e Tiranës nuk është i vetmi institucion që i është shmangur debatit që pasoi vdekjen e Ardit Gjoklajt. Stafi teknik i kompanisë “3R” shpk, i ndaluar nga policia u përpoq gjithashtu të shmangte përgjegjësinë, duke deklaruar se nuk e njihnin si punëtor 17-vjeçarin e vdekur në landfill.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Bujar Daja, ekonomist i kompanisë dhe Astrit Shehu, përgjegjës i turnit të dytë kanë deklaruar para prokurorëve se “nuk kishin dijeni se Ardit Gjokli ishte punonjës i kompanisë”. Në dëshmitë e tyre, ata kanë sugjeruar se “trupi i tij mund të ishte hedhur aty nga ndonjë kamion plehrash gjatë natës”.

Por dëshmitë e tyre hidhen poshtë nga një punonjëse 28-vjeçare, edhe ajo nga Kombinati-e fundit që e ka parë të gjallë Arditin natën e 6 gushtit. Zyrie Bilali, nënë e katër fëmijëve i tha BIRN se atë natë ishte rrebesh, por puna në landfill vazhdoi me të njëjtin ritëm.

“Shkrepëtimat të kallnin datën, ndërsa nuk kishte drita. Rreth orës 3 të mëngjesit kishim orën e pushimit dhe Arditi më kërkoi leje nëse mund të hante bukë te kamionçina ime,” kujton Bilali.

“Atje nuk ka asnjë vend ku mund të hash bukë apo të ndërrohesh, ndaj herë pas herë rahmetliu më kërkonte të hante bukë aty,” shton ajo.

Zyrie Bilali i tha BIRN se edhe pse punonin në fushë të hapur, puna nuk ndërpritej kur kishte mot të keq. Përgjegjësi i turnit, sipas saj, caktonte detyrat për gjithësecilin dhe tregohej i rreptë me këdo që ndalonte punën.

Gruaja nga Kombinati qëndroi me Ardit Gjoklajn rreth gjysmë orë, ndërsa në 3.30 të mëngjesit përgjegjësi Dëfrim Hakrama u kishte përcaktuar vendet e reja të punës.

“Tha se për shak të shiut të rrëmbyeshëm nuk do punonte njeri tek lopata. Do punohej vetëm tek trasportieri i vjetër. Arditin e caktoi tek kanaçet, që janë tek kontinieret e fundit në landfill,” tha ajo.

Më pas, askush nuk e ka parë të gjallë Arditin.

Prokuroria akuzon si autor të ngjarjes shtetasin Edmond Kallari, drejtues i fadromës në landfill. Ai akuzohet për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289/2 i Kodit Penal, ndërsa gjykata ka dhënë masën e arrestit me burg edhe për përgjegjësit e turneve, Dëfrim Hakrama dhe Besnik Braha.

 

Megjithatë, për familjen Gjoklaj në lagjen e Kombinatit në Tiranë, drejtësia ende nuk është vendosur. Fran Gjoklaj, xhaxhai i Arditit i tha BIRN se ata i kishin përjetuar si një vrasje për së dyti deklaratat që sugjeronin se nipi i tij nuk ishte punonjës i landfillit të Sharrës.

“Arditi shkoi vetë për të kërkuar punë atje. Kryetari i Bashkisë njoftoi që asnjëri të mos mbledhë lart poshtë plehra, por të shkojë te landfilli e të punojnë aty, me letra dhe me çdo gjë tjetër në rregull. Arditi vdiq… e tani deklarojnë që as ka punuar aty,” thotë ai me revoltë.

Ndërsa pret e përcjell njerëzit që vijnë ende për ngushëllim, Gjoklaj bën thirrje që t’u jepet fund përpjekjeve për ta fshehur këtë çështje.

“I kërkoj kryetarit të Bashkisë, Ministrit të Rendit, Avokatit të Popullit që të mos mundohet kush ta fshehë këtë çështje, sepse është jashtë çdo norme njerëzore. Mospranimi është vdekje e dytë për ne,” thotë xhaxhai i Arditit.

“Biçikleta dhe rrobat e Arditit janë ende atje..,” shton ai.

“Skllavëri” në Sharrë

Punësimi i paligjshëm i Ardit Gjoklajt për shkak të moshës ende të mitur nuk çudit asnjërin prej punonjësve të landfillit të Sharrës që BIRN intervistoi. Ata tregojnë se praktika e punësimeve në kompaninë “3R” shpk udhëhiqej nga uria për sa më shumë krah të lirë pune, se sa nga respektimi i ligjeve në fuqi.

Rajmond Kurdedja, 42 vjeç iu drejtua kompanisë në Sharrë, pasi policia bashkiake ia bëri të pamundur mbledhjen e kanoçeve, bidonave apo metalit në landfill apo në kazanët e plehrave nëpër Tiranë. Ai i tha BIRN se takoi Besnik Brahjen dhe u punësua menjëherë, ndonëse e la punën një muaj më vonë.

“Shkova, kërkova punë dhe fillova menjëherë turni i tretë. Nuk më kërkuan asnjë dokument. Më regjistruan emrin dhe kaq,” i tha Kurdedja BIRN.

Ai tregon se puna në landfill ishte e organizuar në tre turne, ndërsa ai e gjeti shpesh veten të rrethuar nga fëmijë-punëtorë. Puna më e lehtë, sipas Kurdedjes ishte tek ndarja e plehrave në transportier, por pagesa ishte më e ulët.

Ai vetë zgjodhi të punojë te “lopata” (kështu e quajnë punëtorët procesin e punës pranë fadromës që grumbullon plehrat) për 1 mijë lekë nata.

Njësoj si punonjësit e tjerë, edhe Kurdedja ankohet për kushtet e sigurisë në punë apo për mungesën e pajisjeve më elementare. Nuk kishte doreza dhe as masa mbrojtëse për sistemin e frymëmarrjes.

“Fillova të kisha probleme shëndetësore nga kundërmimi dhe puna e rëndë. Nuk e përballova dot. Tek fadroma ku hapeshin plehrat të merrej fryma. Pata shumë dhimbje koke. Ishe i detyruar të rrije 8 orë në këmbë, të ndajë kartonin, plastmasin, metalin dhe një sekondë të të shihnin duke u shlodhur, të bërtisnin përgjegjësit,” thotë Kurdedja.

“Vetëm për kaq pushoheshe nga puna,” shton ai.

Dëshmi të ngjashme për kushtet gati çnjerëzore të punës i dhanë BIRN edhe punonjës të tjerë të landfillit. Gentian Zenollari, një tjetër punonjës tregoi se incidentet me çarje duarsh apo dëmtime të tjera nga shishe të thyera apo shiringa ishin një normalitet i punës së tyre.

“Askush nuk mante përgjegjësi, madje në shumë raste nuk tregonim se rrezikonim vendin e punës,” thotë Zenollari.

Punonjësit thonë njëzeri se nuk kishin asnjë informacion nëse kompania i kishte siguruar e madje as nuk kishin dëgjuar se Kodi i Punës e detyronte atë për të zbatuar një paketë rregullash në dobi të punonjësve.

“Çdo datë 8 të muajit, ne rreshtoheshim përballë zyrës së financës dhe merrnim rrogën. Gruaja që ishte aty na pyeste për emrin, kontrollonte në lista dhe na jepte lekët,” përfundoi Rajmond Kurdedja për BIRN.

/BIRN/

Artikulli paraprakAto që nuk dini për Apple: Përse në iPhone, koha ka mbetur gjithmonë 9:41?
Artikulli vijuesDosja e Shefave XVIII: Grabovci caktonte komisionet dhe përzgjidhte kandidatët