Në kuadrin e njërit prej aktiviteteve më të mëdha mbarëkombëtare të femrës muslimane në Ballkan, nën kujdesin e Shoqatës Kulturore “Gruaja”,“Karvani i Femrës Muslimane”, pas një udhëtimi mbresëlënës në shtator të vitit 2015 në qytetin e Peshkopisë, ndaloi këtë vit në Kukës, në qytetin e mikpritjes dhe bujarisë.
Prej mëse 1 dekade, rrugëtimi i Karvanit të Femrës Muslimane ka vijuar në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe të trevave shqiptare.
Evenimenti u organizua ditën e shtunë, më datë 30 prill 2016, në orën 11:00, në sallën e Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina”.
Dhjetëra dhe qindra intelektuale, gra dhe vajza nga qyteti i Tiranës, Kukësit, Hasit, Prizrenit, Prishtinës dhe rrethinave përreth u bënë pjesë e këtij karvani.
Kjo veprimtari kaq e rëndësishme kulturore u realizua si fryt i bashkëpunimit me Myftininë e Kukësit dhe aktiviste të këtij qyteti dhe të të rrethit të Hasit, ku përmendim znj. Farie Imeri, znj. Eriana Cengu dhe znj. Shpresa Kapica.
Nën moderimin e znj. Diana Syla, arritën të përcillen bukur dhe me emocion tek të gjithë të pranishmit mesazhet e qarta, përmes temës së këtij karvani: “Mbill dashuri, të korrësh respekt”.
Aktiviteti u çel me pjesë nga Kurani Famëlartë nga vajzat e Hasit, Rejhana Ukperaj dhe Enisa Xhaferi. Më tej pjesëmarrëset u njohën me një reportazh të shkurtër të rrugëtimit të Karvanit të Femrës Muslimane ndër vite.
Më pas aktiviteti u përshëndet nga znj. Arjeta Pelinku, zv.drejtoreshë e Shoqatës Kulturore “Gruaja”. Ajo falënderoi përzemërsisht në emër të drejtoreshës znj. Ndriçime Zekaj dhe të saj të gjitha pjesëmarrëset në sallë. Ndër të tjera ajo tha, – “Kemi mbërritur sot në qendrën verilindore të Shqipërisë, në qytetin e Kukësit, ku aktiviteti mban moton “Mbill dashuri, të korrësh respekt”, për të trajtuar në mënyrë të veçantë raportet sa delikate dhe aq të rëndësishme midis prindërve dhe fëmijëve të tyre. Marrëdhënia prind – fëmijë është prej atyre lidhjeve të forta, të pashpjegueshme, së cilës shpesh kërkuesit janë munduar t’i gjejnë një tjetër shkak, veç faktit së vazhdimësisë jetësore, për t’i dhënë përgjigje pyetjes së përse është kështu siç është, e fortë, edhe në rastet kur nuk është tërësisht e shëndoshë dhe e konsoliduar.”
U vijua më tej me fjalën përshëndetëse të znj. Farie Imeri, një grua e nderuar e qytetit të Kukësit, aktiviste dhe përçuese e mësimeve të bukura islame ndër brezat e rinj të këtij qyteti.
Takimi vijoi me ligjëratën me temë “Mbill dashuri, të korrësh respekt”, mbajtur nga prof. Besa Ismaili, zv.dekane në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë. Ajo është një zë i rëndësishëm në mbrotjen e të drejtat të gruas muslimane dhe në çështjet e dialogut ndërfetar.
Argëtimi i radhës ishte konkursi për njohuritë rreth qytetit të Kukësit, rubrikë mjaft interaktive, ku u shpërndanë shpërblime për fitueset, si dhe loja “Mundja e dorës”, ku fituesja u vlerësua me Kupën e Karvanit. Kuizi u drejtua nga znj. Armida Plumbi, përgjegjëse e masmedias pranë SHKG-së.
Më pas u shfaq një material filmik “Margaritari i zemrës sime”, e cila i dedikohej sakrificës dhe rolit madhor në familje të nënave kuksiane, i realizuar në bashkëpunim me Televizionin Kontakt.
Ilahitë e interpretuara nga zëri brilant i Eugena Aliut dhe korit të vajzave të Hasit dhe korit të vajzave të Kukësit ishin ndër momentet më të bukura dhe më të këndshme. Përmendim këtu ilahitë “La Ilahe Ilallah”, “Më fal oj nanë”, “Allahume Sali Ala Muhamed”, kënga tradicionale “Artizane e Lumës” etj. Gjithashtu u interpretuan poezitë “Ajo” nga Olta Ismaili, “O ti që do Xhenetin” nga Alesa Ferizolli dhe një ese dedikuar Kukësit nga Florida Dema.
Drama “Dialogu mes adoleshentit dhe nënës” i sjellë në skenë nga vajzat e grupit artistik të Kukësit, nën kujdesin e mësueseve Farie Imeri dhe Eriana Cengu, përcolli emocione të forta, ndjenja të gjalla dhe përlotje. Trajtohej raporti midis adoleshentëve të sotëm dhe nënave të tyre. Mesazhi i saj ishte respekti që duhet treguar karshi prindit dhe rruga që duhet ndjekur për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndoshë të mbushur me dashuri dhe mëshirë.
Znj. Farie Imeri, znj. Eriana Cengu dhe znj. Shpresa Kapica, edukatore të sa e sa vogëlushëve në qytetin e Kukësit dhe Krumës, qenë të gatshme të ndihmonin në organizimin dhe realizimin sa më me sukses të këtij karvani, e cila me kontributin dhe punën e saj na bashkëpunim me aktiviste të tjera, sollën në skenë edhe mozaikun e poezive dhe ilahive, që përçuan emocione të veçanta e të papërsëritshme tek të gjitha të pranishmet.
Prezantimi i “sëndukut të karvanit” nxorri në pah ndjenjën e solidaritetit dhe të humanizmit, mbështetjen dhe përkrahjen që duhet të bëjmë ndaj njëri-tjetrit. Shuma e grumbulluar në këtë sënduk, nga kontributi material që dhuroi gjithsecila, mundësoi ndihmesën financiare të një familjeje të varfër kuksiane.
Ashtu siç ishte prezente në hapjen e këtij aktiviteti, edhe në mbyllje të tij, ishte znj. Arjeta Pelinku (zv. drejtoreshë e SHKG) e cila akordoi çertifikata mirënjohjeje për të ftuarat e nderit, i falënderoi ato për të gjithë kontributin e dhënë nëpërmjet dhuratave simbolike, në shenjë vlerësimi dhe respekti.
Në përmbyllje të aktivitetit u dha ëmbëlsira tradicionale nga qyteti i Peshkopisë, përfaqësuar nga znj. Kadife Dedja për qytetin e Kukësit, përfaqësuar nga znj. Desantila Cengu.
Evenimente të tilla të cilat përcjellin mesazhe të mëdha dhe të qarta, të mbeten gjatë në mendje. Ndjenja më e lartë dhe më e çmuar, që përshkoi secilën nga pjesëmarrëset ishte ndjenja e bashkimit dhe unitetit mes femrave të mbarë trojeve shqiptare.
Aktiviteti u përcoll edhe nga TV KUKËSI, një nga televizonet lokale të zonës, ku u pasqyruan përshtypjet shumë pozitive të qytetarëve në lidhje me këtë eveniment të SHKG-së.
Pas veprimtarisë, karvani vijoi me ngrënien e drekës dhe shëtitjet nëpër pika turistike të qytetit të Kukësit dhe Prizrenit.
Destinacioni i radhës i Karvanit të Femrës Muslimane pritet të jetë qyteti i Tiranës.