Kërkohet lirimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj qytetarë të shumtë kanë protestuar sot kundër arrestimit të tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Rrustem, Hetem dhe Sabit Geci, duke kërkuar nga EULEX-i lirimin e menjëhershëm të tyre.

Protestuesit mbanin në duar pankartat me mbishkrime “Liri për çlirimtarët”, “EULEX, ke humbur rrugën”, “Kriminelët janë në veri”, “Rrustemi, Hetemi, Sabiti, të pafajshëm”, etj. dhe brohorisnin, “UÇK, UÇK”.

Hysni Ngucati, kryetar i degës së Organizatës së Invalidëve të Luftës në Skenderaj, ka thënë se forcimi institucional i FSK-së, është bërë halë në sy të atyre që ende e shohin Kosovën pjesë të Serbisë.

“Le ta kenë të qartë të gjithë tradhtarët se kot e kanë të përpiqen për ta ndalur ritmin e FSK-së, tani të pranuar edhe ndërkombëtarisht”, theksoi Ngucati.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të hutohet tepër dhe të humb kohë për t’i përmbushur standardet, por duhet t’i përmbushë standardet që populli i Kosovës i kërkon.

“Standard mbi standard është interesi i Kosovës, e ai interes po rrezikohet në mënyra më banale dhe në vazhdimësi, duke cenuar vlerat e UÇK-së, vlera të cilat u fituan me gjak”, ka thënë mes tjerash Ngucati.

Ai ka thënë se EULEX-i e ka humbur rrugën, sepse në Drenicë nuk ka kriminelë, por ata janë në veri të Mitrovicës.

Lirimin e të arrestuarve, në emër të banorëve të Llaushës e ka kërkuar edhe kryetari i këtij fshati, Faik Geci. Ai ka thënë se arrestimet e fundit janë bërë me qëllim të denigrimit të vlerave të luftës dhe me qëllim të njollosjes së saj.kohaislame

Artikulli paraprakKuçi: Herave tjera do të reagojmë!
Artikulli vijuesTë pagjeturit, plagë e hapur