Të enjten në rend dite në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të diskutohet dhe votohet draftrezoluta me titull: “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës”.
Paraprakisht draftrezoluta e hartuar nga deputeti spanjoll, Agustin Conde, është votuar në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Serbia vazhdon të luajë rol të rëndësishëm edhe kur bëhet fjalë për hartimin e raporteve të cilat Kosova obligohet t’i zbatojë. Me propozimin e delegacionit serb draftrezolutës i janë shtuar katër amendamente. Kosova është treguar e pafuqishme t’i bllokojë këto propozime, shkruante dje “Koha Ditore”.
Pika 7.4 e rezolutës e propozuar nga Serbia i kërkon Kosovës t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet që dalin nga dialogu, veçanërisht ta zbatojë Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit/Komunave me Shumicë Serbe. Amendamenti tjetër kërkon angazhim për mbrojtjen e tërë trashëgimisë kulturore, me theks të veçantë të trashëgimisë kulturore të komuniteteve joshumicë pavarësisht refuzimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO-s).
“Asambleja inkurajon misionin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-un) për ta forcuar bashkëpunimin me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, dhe i inkurajon autoritetet në Prishtinë që t’i përdorin mekanizmat në dispozicion, të cilët janë tashmë të gatshëm”, është amendamenti tjetër i futur në draft.
Kurse amendamenti i fundit kërkon rritjen e bashkëpunimit me qëllim të shpërbërjes së rrjeteve kriminale transnacionale që veprojnë në rajon; “të bëhet përparim në çështjen e personave të pagjetur; dhe autoritet e Kosovës t’i lehtësojnë hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës”.
Në Strasburg, dhjetorin e vitit të kaluar, prezent ka qenë edhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës. Por në takimet e komisionit, delegacioni kosovar nuk ka pasur të drejtë të propozojë amendamente. Ka pasur vetëm të drejtë fjale, por jo edhe të drejtë vote. Ndërsa në sesion kur do të debatohet dhe votohet Rezoluta, delegacioni i Kosovës ka vetëm të drejtë pjesëmarrjeje si mysafir, pa të drejtë fjale dhe vote.
Kosova do të përfaqësohet në Asamblenë Parlamentare të KE-së nga nënkryetarët e Kuvendit – Xhavit Haliti (PDK), Aida Dërguti (Vetëvendosje) dhe Slobodan Petroviq (Lista Serbe).
Gazeta ka siguruar një kabllogram të Ambasadës së Kosovës në Bruksel, ku flitet për pafuqinë e delegacionit të Kosovës që të shmangë propozimet e Serbisë. Aty shihet edhe mungesa e një koordinimi në veprime, derisa në punimet e Komisionit nuk ka qenë i pranishëm asnjë përfaqësues nga Shqipëria.
Punimet e Komisionit më 7 dhjetor të vitit 2015 i ka ndjekur delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, dhe deputeti i “Vetëvendosjes”, Ilir Deda. Raportuesi për Kosovën, Conde, duke e arsyetuar raportin, ka thënë se ai është i balancuar dhe se është përpjekur të theksojë disa përparime që janë arritur në Kosovë, përfshirë zgjedhjet parlamentare më 2014. Ai ka vlerësuar se edhe situata e sigurisë ka shënuar progres, “por megjithatë sulmet e motivuara etnikisht vazhdojnë të ndodhin dhe kërkojmë vigjilencë nga autoritetet dhe po ashtu nuk duhet t’i minimizojnë aktet e tilla”.
Deputeti spanjoll sikurse e ka cekur edhe raporti, ka dhënë kritika për metodat e dhunës të përdorura në Kuvend nga opozita.
Raporti është vlerësuar real edhe nga përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, lordi Donald Anderson. Sipas kabllogramit, kryesuesja e Komisionit, Dora Bakoiannis, ka kërkuar edhe opinionin e delegacionit të Kosovës, duke ia dhënë fjalën Xhavit Halitit dhe Ilir Dedës.
Haliti citohet të ketë thënë se sa i përket pikës 6 të draftrezolutës, ndan opinion ndryshe për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit, duke thënë se veprimet e Beogradit po krijojnë një klimë jo të favorshme në Kosovë, duke ilustruar rastin UNESCO-s. Ndërkaq Deda, në fjalën e tij, u është referuar amendamenteve (që delegacioni i Serbisë, pritej t’i prezantonte), duke i vlerësuar si të bazuara në fakte të shtrembëruara, “andaj si të tilla ato nuk do të ndihmonin as rezolutën e as raportin e z. Conde”.
Më pas në diskutim janë paraqitur edhe dy anëtarët e Komisionit.
Alan Destexhe nga Belgjika ka theksuar faktin se dëshira e Kosovës që në bashkëpunim me UNESCO-n të mbrojë trashëgiminë ishte pozitive, por kjo nuk u arrit për tri vota. “Andaj duhet kërkuar një zgjidhje afatgjate për mbrojtjen e trashëgimisë serbe në Kosovë”, ka propozuar ai. Destexhe ka përmendur 17 raste të sulmeve të cilat i thekson raporti.
Në emër të delegacionit të Serbisë ka folur Aleksandra Gjuroviq, e cila raportin e ka vlerësuar si objektiv dhe të drejtë. Por ka theksuar se megjithëse delegacioni nga Serbia ishte pajtuar qysh më 2013, që punimet e këtij Komisioni t’i ndjekin përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës, duke respektuar parimin e neutralitetit, kjo nuk është respektuar. “Por edhe që ky delegacion të jetë gjithëpërfshirës me pjesëmarrje edhe të serbëve.
Kjo nuk po ndodh”, citohet të ketë thënë Gjuroviq. Sa i përket raportit, ajo shprehu vërejtjet në lidhje me zgjedhjet e vitit 2014, duke theksuar se në raport nuk janë përmendur parregullsitë e natyrave të ndryshme. Ajo po ashtu ka thënë se kur flitet për vlerësimin rreth hapave ligjorë për krijimin e dhomave speciale, “duhet theksuar se është miratuar ligji për mbështetje financiare të të akuzuarve, gjë që nuk kontribuon në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”. Ndërsa dërgimin e marrëveshjes për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese e ka vlerësuar si sulm ndaj dialogut.
Pas diskutimeve draftrezoluta është votuar nga anëtarët e Komisionit. Në punimet e Komisionit prej 85 anëtarëve ishin prezentë më pak se gjysma e tyre.
“Duhet pasur në vëmendje që në raste të tilla si kjo, paraprakisht të kemi një koordinim më të mirë ndërinstitucional por edhe ndërshtetëror, për rezolutat nga KE-ja gjithnjë duhet të bëhet përpjekje të amendamentohet me vlerësimet dhe pikëpamjet e Kosovës, ose të paktën të bllokojmë pikëpamjet e Serbisë”, është rekomandimi i dhënë nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.
Ndryshe, nga 25-29 janar ligjvënësit nga vendet e Evropës do të paraqesin raporte dhe do të miratojnë rezoluta për çështje të rëndësishme ndërkombëtare. Përveç Kosovës, mes tjerash, do të diskutohet edhe për terrorizmin ndërkombëtar dhe krizën e refugjatëve në BE.