Kim Mehmeti: Zëri i protestës së 9 Majit u pengon edhe vasalëve shqiptarë

Protestës së 9 Majit të thirrur nga Këshilli Opozitar, përveç mediave shqiptare të Maqedonisë, jehonë të madhe po i jepet edhe nga mediat shqiptare në Kosovë e Shqipëri. Së fundmi, në një intervistë për mediat e Tiranës, saktësisht për portalin dritare.net, shkrimtari Kim Mehmeti anëtar i Këshillit Opozitar, ka thënë se protestat e 9 Majit në Shkup do jenë zëri i munguar i shqiptarëve të Maqedonisë dhe jehona e heshtjes së tyre të cilën heshtje, qarqet politike maqedonase, si dhe vasalët shqiptarë të regjimeve maqedonase, e lexuan gabimisht si gjunjëzim dhe nënshtrim i shqiptarëve të këtushëm.

“Heshtje e deritanishme e shqiptarëve të Maqedonisë kishte kuptim krejt tjetër: pritjen që të mbisundojë mençuria dhe të gjithë ta kuptojnë se nuk ndërtohet shtet i të barabartëve me sundues Maqedoni e vasal shqiptarë si dhe, se nuk ka Maqedoni pa shqiptarët”, pohon Kim Mehmeti.

I pyetur çka do të ndryshojë pas 9 Majit, të cilën datë Këshilli Opozitar, si organizator i këtyre protestave, e ka shpallur si ditën ‘D’, Mehmeti thotë se pas këtyre protestave do jetë më e qartë se cili është zëri i vërtet i shqiptarisë së këtushme

“Zëri i shqiptarëve të Maqedonisë nuk është as i përafërt me atë të vasalëve shqiptarë të regjimeve maqedonase, pra ai zë është krejt ndryshe nga ai kryesuesve të BDI-së dhe PDSH-së, të cilët e marrin votën e shqiptarëve, që pastaj, të veprojnë si të ishin degët më të dëgjueshme partiake të partisë maqedonase në pushtet”, thotë Kim Mehmeti.

Lidhur me vështirësitë e organizimit të protestave shqiptare në Maqedoni, Kim Mehmeti pohon se në çdo protestë të shqiptarëve, marrin pjesë edhe qindra të dërguar ose nga policia, ose nga partia shqiptare në pushtet, edhe atë me qëllim të provokojnë dhe t’i komprometojnë organizatorët e protestës.

“Andaj edhe ndodh që në protestat shqiptare të ketë protestues të maskuar, si dhe kurrë të mos e dish se cili çfarë flamuri do valëvitë. Edhe sot, mediat që përhapin gënjeshtra për protestat e 9 Majit, janë mediat e kontrolluara nga BDI-ja dhe satelitët e saj ‘opozitar’, e që kanë redaksi të përbashkët me gjithë mediat proqeveritare – zyrën për informim të VMRO-DPMNE-së”, pohon Mehmeti .

Kim Mehmeti shton se duhet lënë lirshëm të veprojnë edhe ata që janë angazhuar kundër këtyre protestave dhe se atyre vetëm duhet rikujtuar se do vijë dita kur pasardhësit e tyre do i pyesin se ku ishit për 9 Maj që nuk protestuat dhe pse u pengonte zëri i aspiratave të popullit shqiptar? Për të lexuar intervistën e plotë në dritare.net kliko këtu.

Artikulli paraprakBekim Sali: “BESËN” e Çairit e përbëjnë djemtë dhe vajzat më të mira që ka kjo komunë
Artikulli vijuesJa çfarë thonë familjarët e të akuzuarve të rastit ”Monstra” (Video)