Kongresi botëror boshnjak

Me 29 dhjetor 2012 në Sarajevë u themelua Kongresi Botëror Boshnjak, ku për kryetar të saj u zgjodh akademik dr. Mustafa Ceriç, ish Reis Ulemaja i Bosnjës dhe Hercegovinës për plot 20 vjet,(1992-2012).

Në cilësinë e kryetarit të Kongresit Botëror Boshnjak, akademik Mustafa Ceriç vizitën e parë, jashtë Bosnjës, e bëri në Prizren, me datë 25.01.2013 me ftesë të Këshillit Boshnjak të Kosovës, i cili organizoi një tribunë në shtëpinë e kulturës në Prizren, ku ligjërues ishte akademik Mustafa Ceriç. Para kësaj, meqë ishte ditë e premte, namazin e xhumasë Mustafa Ceriç me bashkëpunëtorët e tij e fali në xhaminë e Bajraklisë në Prizren, me ç’rast e mbajti hytben (predikimin) javor të xhumasë dhe udhëhoqi faljen e namazit të përbashkët me xhemat. Ligjërata e tij ishte e nivelit akademik e cila me vëmendje dhe me emocione u përcoll nga xhemati i pranishëm në xhami, për më tepër, kjo ligjëratë do të mbahet në mend gjatë nga besimtarët e pranishëm në xhami. Ligjërata e akademikut është shembull për të gjithë, hoxhallarët, imamët, kryeimamët, myderrizët, myftitë se si duhet të mbahet hytbja (predikimi), javor i xhumasë, të cilin do të ishte e preferuar të marrin si shembull dhe ta aplikojnë në praktikë imamët tanë nëpër xhamia gjatë predikimit të tyre javor të xhumasë.

Pas namazit të xhumasë, në ora 14.oo filloi tribuna e paraparë dhe ligjërata që e mbajti akademik Mustafa Ceriçi. Audienca e pranishme në shtëpinë e kulturës mbeti e befasuar dhe e habitur kur kryetari i sapozgjedhur i Kongresit Botëror Boshnjak Mustafa Ceriç hyri me plis të bardhë në krye duke ecur me plot krenari dhe mburrje, dukej sikur të ishte tamam një shqiptar i Kosovës i viteve të para të pleqërisë. Pas fjalëve përshëndetëse dhe leximit të Deklaratës Themeluese të Kongresit Botëror Boshnjak, moderatori ia dha fjalën dr. Mustafa Ceriçit, i cili në ligjëratën që e mbajti për plotë një orë, përveç tjerash tha: “Jam i lumtur që sot ndodhem në qytetin e bukur të Prizrenit, qytetin në të cilin shekuj me radhë kanë jetuar, jetojnë dhe do të jetojnë popujt me përkatësi dhe kultura të ndryshme, dhe i cili është shembull i bashkëjetesës dhe tolerancës fetare, nacionale, humane, njerëzore, sikurse që është Sarajeva prej nga vij unë. Në cilësinë e kryetarit të porsazgjedhur të Kongresit Botëror Boshnjak, Prizreni është qyteti i parë, të cilin e zgjodha të vizitojë, dhe se nuk është hera e parë që e kam vizituar, porsa sa herë që vijë në Prizren, kam dëshirë prapë ta vizitojë këtë qytet. Më shihni me plisin shqiptar në krye, për disa do të dukem edhe qesharak, por me të vërtet mua më ka hije dhe më rrinë bukur plisi dhe mburrem me të (plisin ia kishte dhuruar kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit Lutfi ef. Ballëku me rastin e pritjes që i kishte bërë në selinë e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren). Por, ky plis në krye që kam, simbolizon tri gjëra të përbashkëta që i kemi me vëllezër tanë shqiptar, e para, neve boshnjakët dhe shqiptarët jemi popull autokton në Ballkan, e dyta, e kemi prejardhjen e përbashkët nga ilirët dhe e treta, e kemi fenë Islame të përbashkët.

Gjatë gjithë këtyre 100 viteve të shkuara, kemi përjetuar një të kaluar të tmerrshme, në të cilin sa e sa herë me rrallë kemi qenë të sulmuar, të rrezikuar, të vrarë, të ndjekur, të masakruar, të dhunuar, të shpërngulur dhe së fundi edhe me gjenocid të kryer mbi neve boshnjakëve nga armiku i njëjtë, nga populli serb dhe shteti i Serbisë. Por ja, ia arritëm që edhe pas 100 vitesh të mbijetojmë, dhe të jemi në vendin, ku jemi, në troje tona në të cilin shekuj me rrallë kemi jetuar, jetojmë dhe në dashtë Zoti do të jetojmë sa të jetë kjo botë. Të kaluarën, nuk duhet harruar, por do t’i lemë historianëve të shkruajnë dhe të hulumtojnë, por neve tani do të orientohemi kah e ardhmja, se si të organizohemi dhe të jetojmë të lirë, të pavarur, dinjitoz, me fenë dhe kulturën që e kemi, të barabartë me popujt tjerë të Evropës dhe të integruar në Evropën e bashkuar, si e vetmja zgjidhje për neve këtu në këtë Ballkan të trazuar.

Së pari, unë si kryetar i sapozgjedhur i Kongresit Botëror Boshnjak, do të insistojë në hulumtimin e fenomenit shqiptar të Kosovës, dhe të mësoj nga shqiptarët, edhe përkundër plot 100 vitesh pushtim nën Serbi e Jugosllavi, me fanatizëm të paparë e kanë ruajtur, promovuar dhe mbajt gjallë ndjenjën nacionale shqiptare dhe në asnjë moment nuk janë lëkundur dhe devijuar nga vija kombëtare shqiptare. Si shembull ekuivalent i kësaj përpjekjeje nacionale shqiptare është Adem Demaçi, një simbol i rezistencës për kauzën kombëtar shqiptare, i cili edhe pse plotë 30 vite ka kaluar nëpër burgjet jugosllave, për asnjë çast nuk është lëkundur dhe është stoik edhe sot e kësaj dite në qëndrimin e tij, edhe pse me pikëpamjet ideologjike që ka nuk jam pajtuar. Neve boshnjakëve na mungon ndjenja dhe dashuria kombëtare, nacionale boshnjake për shkak të rrethanave të shumta, të cilët tani nuk do të mund të elaborojë për shkak të kohës, por se neve duhet të marrim shembull për këtë vëllezërit shqiptar, prej të cilëve duhet të mësojmë se si duhet me dashtë dhe me u përpjek për çështjen kombëtare.

Ta dini, dhe të mos harroni, se neve për ndërtimin e xhamive na ndihmuan dhe do të na ndihmojnë edhe në të ardhmen arabët dhe turqit, por për çështjen nacionale boshnjake, as kush nuk do t’ju ndihmon juve në këtë aspekt, as nga Perëndimi as nga Lindja, nëse neve vetes nuk i dalim zot të afirmojmë dhe ta zhvillojmë kombin tonë boshnjak. E vetmja garanci për mbrojtjen, kultivimin, zhvillimin dhe përparimin e kombit është shteti i fortë nacional, dhe se pa shtet kombëtar, është i pamundshëm apo është gjysmak zhvillimi, përparimi, edukimi, dhe se shteti i fortë është i vetmi garant edhe i mbijetesës nacionale, fetare, kulturore, shoqërore, ekonomike etj. Ja ku e kemi shembullin më të mirë, për momentin shqiptarët i kanë dy shtete e gjysmë, e neve boshnjakëve nuk e kemi shtetin tonë nacional, e kemi Bosnjën e Hercegovinën kuazi shtet, si mund të themi që e kemi shtetin tonë, kur ai shtet është i sajuar dhe i përpiluar ashtu që duart të kemi të lidhura, neve akoma nuk po mund të pranojmë pavarësinë e Kosovës, për shkak të vetos të përfaqësuesit serb në kryesinë e Bosnjës dhe Hercegovinës. Në takimin e parë që do të kem me qeverinë e Kosovës, do të nënshkruajë memorandumin e bashkëpunimit mes qeverisë së Kosovës dhe Kongresit Botëror Boshnjak, dhe gjëja e parë që do të bëjë do të jetë pranimi i pavarësisë së Republikës së Kosovë nga Kongresi Botëror Boshnjak në emër të të gjithë boshnjakëve të botës. Së dyti, në çdo takim që do të kem ku do të shkojë dhe vizitojë, do të kërkojë, e sidomos nga shtetet islame njohjen dhe pranimin e pavarësisë së Kosovë dhe se nuk do të ndalem në asnjë çast gjersa edhe Republika e Kosovës të pranohet me të drejta të barabarta si shtet i pavarur dhe sovran në Kombet e Bashkuara.

Neve e kemi themeluar Kongresin Botëror Boshnjak me qëllim të ruajtjes, avancimit, përparimit dhe zhvillimit të të gjithë boshnjakëve kudo qofshin në botë, me të vetmin arsye që të jemi të përgatitur në të gjitha aspektet e mundura që të mos na ndodh përsëri gjenocidi që e përjetuam. Sikurse hebrenjtë që e kanë përjetuar holokaustin, pas së cilës e kanë themeluar Kongresin Botëror Hebrenj i cili angazhohet dhe lufton për të drejtat e hebrenjve kudo nëpër botë, ashtu edhe neve boshnjakët duam nëpërmes Kongresit Botëror Boshnjak të angazhohemi dhe të veprojmë për boshnjakët në Bosnjë e Hercegovinë, për boshnjakët në rajonin e Ballkanit (Sanxhak, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni,
Shqipëri, Slloveni dhe Kroaci), për boshnjakët në diasporë (Austri, Zvicër, Gjermani, Danimarkë, Suedi, Norvegji, SHBA, Kanada e kështu me radhë), si dhe për boshnjakët në Turqi të cilët janë tani turq të natyralizuar por akoma kanë mbetur me ndjenja nacionale boshnjake. Poashtu do të kërkojmë anëtarësinë e Kongresit Botëror Boshnjak nëpër të gjitha forumet dhe organizmat ndërkombëtar ashtu sikurse që është i anëtarësuar Kongresi Botëror Hebrenj. Ne duhet bërë një politikë të mençur dhe largpamëse duke zhvilluar të gjitha mundësit demokratike, politike, diplomatike, ekonomike, strategjike, shkencore, hulumtuese në të katër anët e botës, kudo qofshin ata, për të përparuar, kultivuar, zhvilluar dhe mbijetuar përkatësinë tonë nacionale boshnjake dhe fetare islame. Prej këtu ku jam tani për momentin ku flas, kërkoj dhe bëjë apel të gjithë boshnjakëve kudo qofshin ata, të kenë për bazë dhe të thirren në këto tre parime, e para, në rast se nuk mund të ndihmojnë boshnjakun, bile mos ta pengojnë, e dyta, kudo qofshin në cilin shtet qofshin le të inkuadrohen sa më tepër që mund të bëjnë nëpër të gjitha institucionet shtetërore, shoqërore, sportive, politike, kulturore, fetare, pasi që vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndikojnë dhe të mund të mbijetojnë, e treta, le të mësojnë sa më parë që munden gjuhën a atij shteti në të cilin jetojnë, normal duke e ruajtur edhe gjuhën e vet amtare boshnjake. Kjo është mënyra me të cilin hebrenjtë shekuj me radhë kanë arritur që të ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe fetar dhe kanë arritur të arrijnë zhvillimin më të lartë të mundur ekonomik, shkencor, teknologjik, informativ, politike, shoqëror etj.

Dua të ceki para jush, vetëm një detaj të diplomacisë tinëzare serbe, e cila me mjeshtëri dhe mençuri di të përgatisë kurthe në të cilin bën të bien shumë diplomatë dhe politikan, e së fundi në këtë grackë ra edhe sekretari gjeneral i OKB-së Ban Ki Mun. Kohë më parë, me rastin e votimit të Palestinës për Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Serbia nga ana e vetë votoi pro anëtarësimit të Palestinës në OKB, ndërsa e urdhëroi përfaqësuesin serb në kryesinë e Bosnjës dhe Hercegovinës që të ve veto për pranim të Palestinës nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës, ashtu që Bosnja u bllokua dhe si kompromis i vetëm mbeti vota e saj abstenuese në votim në OKB. E njëjtë veproi edhe Shqipëria, nuk kam njohuri më të gjera për këtë gjest të Shqipërisë, pse edhe ajo veproi ashtu sikurse neve që ndodhi me rastin e Bosnjës.

Pas kësaj në takimin e Organizatës së Konferencës Islamike, para të gjithë anëtarëve të saj jam sulmuar ashpër nga sekretari gjeneral i OIC-së z. Ekmeludin Ihsanogllu, se si është e mundur që Serbia të votojë pro Palestinës, që ka kryer gjenocid mbi juve boshnjakët, e juve shteti i Bosnjës keni abstenuar në votë pro Palestinës. Kurrë nuk kam qenë në pozitë më të keqe në jetë, i shkreti Ihsanogllu dhe të gjithë shtetet tjera e dinë që Bosnja dhe Hercegovina si shtet ekziston, por nuk i kanë të njohura detajet se si neve boshnjakët duart i kemi të lidhura për veprim çfarëdo qoftë nacional autentik të pavarur, dhe se në këtë mënyrë Serbia fiton beteja diplomatike nëpër botë. Rasti i dytë ka të bëjë me Vuk Jeremiçin, një diplomat i shkathtë serb, i cili e shtini në kurth edhe vet shefin e tij Ban Ki Munin. Si kryesues i radhës që është Vuk Jeremiçi në krye të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara organizoi një koncert në të cilin u ekzekutua edhe kënga apo himni nacionalist serb ”Marshi në Drinë” dhe të cilin e vu në lajthitje edhe vet shefin e tij, sekretarin gjeneral të OKB-së Ban Ki Munin që të duartrokiste për këtë gjest mashtrues të kryesuesit të tij Vuk Jeremiçit. Kjo i bie njëjtë që sikurse të të vijë ndonjë mysafir i ftuar në shtëpinë tënde dhe të këndon një këngë që ti nuk e do, e ti me siguri nuk do të kishe duartrokitë, por e kishe përzënë nga shtëpia si person i padëshiruar- non grata”.

Në përfundim, kjo ligjëratë e akademikut Mustafa Ceriç, kryetarit të Kongresit Botëror Boshnjak, do të ishte një mësim dhe shembull i mirë edhe për neve shqiptarët se si duhet ecur përpara në përparimin, zhvillimin e popullit shqiptar kudo qoftë në trojet tona, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi, në diasporë si dhe në Turqi që vetëm me përpjekje politike, diplomatike, me mençuri dhe shkathtësi duke i përmbledhur të gjitha kapacitetet kreative, kulturore, shkencore, politike, diplomatike, dhe duke i vu në lëvizje të gjithë mekanizmat të mund të ecim dhe të çojmë përpara zhvillimin tonë politik, shtetëror, diplomatik në arenën ndërkombëtare, e jo sikurse neve që bëjnë tani aktualisht me folklorizëm dhe me një politikë të ngushtë dhe të mbyllur hermetikisht nga vetëm një apo disa liderë shtetëror politik se do të mund të dalim fitues në përballje me politikën serbe, shembull konkret i kemi bisedimet që janë duke u zhvilluar për momentin në Bruksel, e për të cilin mendojnë se do të dalin fitues në përballje në tavolinë me palën serbe, jam skeptik në këtë aspekt, por do të dëshiroja që kësaj here të gaboj, dhe të mos paragjykoj!

 

Faik Miftari

Artikulli paraprakFamilja e Esedit lëshon Sirinë
Artikulli vijuesPasojat e devijimit moral