Kosova ankohet për arrestimet

Qeveria e Kosovës do të kërkojë nga institucionet ndërkombëtare të vendimmarrjes që të reagojnë lidhur me arrestimin e dy shtetasve kosovare nga autoritete serbe në pikën kufitare Konçul. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Reagimi i tij erdhi menjëherë pas deklaratës së ministrit serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, i cili tha se do të ketë reciprocitet në arrestime. “Deklarata e Daçiqit është frustuese dhe elektorale që nuk ka të bëjë aspak me rend dhe ligj. Për arrestimin e dy kosovarëve do të reagojmë tek mekanizmat ndërkombëtarë”, u shpreh për “Zërin”, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Të arrestuarit janë Hasan Abazi, kryetar i Sindikatës së Industrialistëve të Kosovës dhe Adem Murseli. Sipas Daçiq , të dy kosovarët janë arrestuar në akuzat për spiunazh dhe tregti me drogë. Arrestimi i tyre erdhi menjëherë pasi që Policia e Kosovës i arrestoi katër serbë që po bartnin material zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe.

Në vend të lirisë së lëvizjes, që bashkësia ndërkombëtare mendon që e ka arritur me anë të bisedimeve, Serbia po dëshmon që kosovarët nuk janë të sigurt të udhëtojnë dhe të kalojnë kah Serbia. Kështu konsideroi analisti Behxhet Shala.

“Daçiq ka qenë shumë i sinqertë kur ka thënë se Serbia është në gjendje të arrestojë shqiptarë sa herë që arrestohen serbë në Kosovë, pra ka dëshmuar se do të zbatojë reciprocitetin me arrestime. Kështu çdo qytetar i Kosovës që kalon në territorin e Serbisë rrezikohet të arrestohet edhe nëse kurrë në jetën e tij nuk ka bërë ndonjë faj. Prandaj kosovarët do të bënin mirë të mos kalonin nga Serbia kur të udhëtojnë, sepse Beogradi nuk do të ndalet së arrestuari derisa të lirohen serbët e arrestuar në Kosovë”, u shpreh Shala për ‘Zërin”.

Ndërkohë ai akuzoi ndërkombëtarët për mosveprim karshi kësaj politike të Beogradit. “Ndërkombëtarët po tregohen të pasinqertë dhe të pandershëm karshi Kosovës. Ata nuk janë të interesuar që të bëjnë trysni ndaj Serbisë, sepse nuk duan të prishin marrëdhëniet me ta, andaj edhe Serbia ndihet e sigurt derisa vepron dhe deklaron kështu”, tha ai.

“Nuk është as proamerikane e as proevropiane që të burgosen njerëzit me motive politike, siç e dëshmoi Daçiq. Andaj në këtë rast ndërkombëtarët të cilët thirren si miq të Kosovës duhet vepruar”, tha në anën tjetër Avni Zogiani, udhëheqës i organizatës “Çohu”.

“Nëse është serioze marrëdhënie miqësore Kosovë-BE, atëherë Daçiq duhet gjykuar si një antievropian. Përndryshe bie poshtë dhe njolloset termi ‘miqtë ndërkombëtarë’, u shpreh Zogiani.

“Serbia po e trajton Kosovën sikur të ishte gjendje lufte. Serbët me dokumentacion zgjedhor të arrestuar nga Policia e Kosovës i konsideron si robër lufte, kurse shqiptarët e ekstraduar dhe të arrestuar i trajton po ashtu si robër lufte, të cilët dëshiron t’i shkëmbejë tani me serbët e arrestuar”, ishte reagimi i Shpend Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila lëvizje Serbinë e sotme e krahasoi po ashtu me atë të kohës së Millosheviqit.

Ndryshe ministri serb Daçiq, ka vazhduar me deklaratat e tij duke thënë se kushdo që rrezikon rendin kushtetues të Serbisë në periudhën e ardhshme do të arrestohet, derisa të lirohen serbët e arrestuar në Kosovë./indexonline/kohaislame

Artikulli paraprakArrestohet për krim deputeti rumun
Artikulli vijuesMotoçikletat me kabinë