Kosova e Turqia rrisin bashkëpunimin ushtarak

Kosova dhe Turqia vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet e tyre dypalëshe, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ushtarak.

Mentor Vrajolli, një studiues i lartë në Qendrën e Studimeve të Sigurisë të Kosovës, tha për SETimes se vizita e shkurtit e Ministrit të Mbrojtjes të Turqisë Ismet Jillmaz në Prishtinë hapi një kapitull të rëndësishëm midis të dy vendeve.

Kosova po kryen një shqyrtim strategjik të sektorit të saj të sigurisë dhe gjatë disa viteve të tjera është parashikuar se procesi do të rezultojë në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri të vendit.

“Me gjithë përmasat, krijimi i ushtrisë ka koston e saj” , tha Vrajolli për SETimes.

“Kështu që mbështetja ushtarake turke apo çdo mbështetje nga çdo anëtar tjetër i NATO-s është shumë e rëndësishme për Kosovën në këtë fazë”.

Me Kosovën në një pikë të rëndësishme në diskutimet e saj me Serbinë lidhur me të ardhmen e Kosovës së veriut, Jillmaz ofroi mbështetje të plotë për Prishtinën. Gjatë vizitës së tij, ai i tha Ministrit të Forcës së Sigurisë të Kosovës Agim Çeku se parlamenti turk ka rënë dakord të japë për forcën një sasi ndihme financiare që nuk është bërë e njohur.

“Dera ndaj dialogut nuk duhet të jetë kurrë e mbyllur sepse mosmarrëveshje të reja mund të sjellin armiqësi të reja”, tha Jillmazi. “Për ne, ruajtja e integriteti territorial të Kosovës dhe sovranitetit politik të Kosovës është jetike dhe duhet të mbështetet e të mbrohet. Besojmë se Kosova shpejt do të marrë vendin e saj në komunitetin ndërkombëtar”, tha ai

Jillmaz shtoi se “Kosova është një vend i pavarur dhe i barabartë në Ballkan. Kosova duhet të ketë ushtrinë e saj siç e kanë të gjitha vendet e pavarura dhe sovrane.”

Çeku u tha gazetarëve se mbështetja e Turqisë është “shumë konkrete, shumë e çmuar dhe shumë e nevojshme për të ardhmen”.

Turqia ishte një nga vendet e para për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka mbështetur Kosovën në fushën e administratës publike, shëndetësisë, arsimit, ushtrisë dhe bujqësisë.

Si një anëtare e NATO-s Turqia ka rreth 350 trupa që shërbejnë në Kosovë si paqeruajtës në KFOR. Ka gjithashtu prani të policisë turke dhe civilë në Kosovë si pjesë e EULEX-it, OSBE-së e UNMIK-ut.

“Kosova e Turqia ndajnë lidhje të ngushta vëllazërie dhe miqësie që e kanë prejardhjen nga historia e gjatë dhe kultura e përbashkët. Si një vend ballkanik edhe vetë, Turqia e konsideron integritetin territorial dhe stabilitetin në Kosovë si një element thelbësor të paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, tha për SETimes ambasada turke në Prishtinë.kohaislame

Artikulli paraprakKoreja e Veriut “sulmon” Shtëpinë e Bardhë
Artikulli vijuesSuarez i hapur për largim