Kosovën e braktisin edhe veteranët e UÇK-së: Luftuan për një jetë më të mirë, gjetën zhgënjimin (Video)

0
185

Pakkush do të mendonte se një pjesëtar i UÇK-së, 15 vjet pas luftës do të braktiste gjithçka për t’u shndërruar në një azilkërkues të pashpresë. Jeta e vështirë, varfëria dhe pamundësia për të gjetur një punë, detyruan Maisor Ruhanin të ndjek rrugën e azilit.
Në shtëpinë e tij në fshatin Prapashticë, tashmë jeton i vetëm i ati i tij, për të cilin duket se jeta ka rezervuar pleqëri të vetmuar dhe aspak të lehtë. Sytë i mbushen me lot kur kujton jetën e të birit në luftë dhe vështirësitë që familja përjetoi në vitet e lirisë. 66-vjeçari thotë se i biri shkoi në Perëndim për të punuar, në mënyrë që të paguante borxhet e grumbulluara ndër vite.

“Nuk kemi me çfarë të jetojmë, nuk kemi të blejmë asgjë. Jeta është shumë e vështirë pasi këtu nuk kemi as edhe një mjek, por unë jam mësuar tashmë”, thotë Gani Ruhani.

Fal internetit, komunikimi me ish-pjesëtarin e UÇK-së që mori rrugën e mërgimit nuk është i vështirë.

“Papunësia dhe mungesa e perspektivës më detyroi të largohesha. Unë nuk do të largohesha kurrë nga vendi im, pasi për atë vend kam luftuar, por pasi pashë rrethanat dhe kushtet u detyrova të ikja për një jetë më të mirë”, thotë ish-pjesëtari i UCK-së.

Maisor Ruhani tregon se u fundos shpresa e fundit për t’u punësuar në vendin e punës së babait të tij, pasi ai të dilte në pension, pasi pavarësisht përpjekjeve përgjigja që merrte ishte negative.

“Kam konkurruar për punë në Ujësjellës, aty ku punonte babai im, por nuk më kanë pranuar. Duhet të kesh lidhje me qeveritarë për të fituar një vend punë”, thotë ai.

Maisori, bashkë me dy shokë, u larguan nga Kosova para dy muajsh me autobusin e linjës Prishtinë-Beograd, për të shkuar në qytetin serb të Suboticës. Aty kaluan kufirin Serbi-Hungari në këmbë, për t’u takuar më vonë me sekserët, një turk dhe një hungarez, të cilët ndihmuan në transportimin e tyre deri në Austri.

“Kemi paguar 1500 euro për person”, thotë ai.

Franca bëhet destinacioni i radhës dhe një shpresë më shumë për Maisorin dhe shokët e tij, pasi për dy javë ata morën dy përgjigje negative të azilit në Austri.

Se shteti nuk është kujdesur sa duhet për të siguruar mirëqenie për veteranët e luftës së UCK-së, e thekson edhe përfaqësuesi i tyre. Xhevdet Qeriqi, thotë: “Maisorin e njoh nga protestat dhe gjithmonë është ankuar për situatën ekonomike dhe papunësinë. Prandaj, ai me shumë shokë të tjerë janë larguar”.

Viti 2015 do t’i gjejë sërish veteranët e UCK-së nëpër protesta ose duke reaguar në forma të ndryshme në kërkim të të drejtave të tyre që u takojnë me ligj. I mbetet qeverisë së Kosovës që të kujdeset për ta, por edhe për shumë të rinj kosovarë që nuk gjejnë dot një vend pune dhe marrin rrugën e emigrimit ilegal. /Top Channel/