Kosovës po ia kthejnë shpinën investitorët

Kriza politike, niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë, si dhe pengesat e të bërit biznes kanë bërë që investitorët e huaj të mos e shohin Kosovën si vend ku do të mund të investonin kapitalin e tyre.
Madje edhe diaspora po ia kthen shpinën vendlindjes. Në bazë të të dhënave që posedon Gazeta Fjala, ata gjithnjë e më pak po blejnë toka e banesa në Kosovë.
Për tre muajt e parë të këtij viti investimet në Kosovë kanë qenë 10.7 milionë euro më të ulëta se sa në periudhën e njëjtë të vitit 2015, shkruan Gazeta Fjala. Ndërkaq, nga remitencat kanë ardhur 2.2 për qind më pak para se një vit më parë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në muajt janar, shkurt, mars të vitit 2016 Investimet e Huaja Direkte të pranuara në Kosovë, arritën vlerën prej 72 milionë euro që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 82.7 milionë euro të regjistruar në këto muaj vjet.
Më pak investime nga Turqia dhe Zvicra
Dy vendet me kapitalin më ta madh të investuar në shtetin më të ri të Evropës, Turqia dhe Zvicra i kanë zvogëluar më së shumti investimet e tyre në Kosovë. Nga 20 milionë sa kanë qenë më parë investimet turke për tre muaj tani kanë rënë në 17 milionë euro. Derisa ato nga Zvicra kanë rënë në 12.4 milionë euro nga 19.5 milionë euro.
Më së shumti ka rënie të transaksioneve në tregun e patundshmërive.
Derisa vjet në janar ishin investuar 21.7 milionë euro për blerje të tokave e objekteve tjera të banimit sivjet janë investuar vetëm 9 milionë, në të njëjtin muaj.
“Zvogëlim i IHD-ve në Kosovë u evidentua në sektorin e patundshmërive, sektor që shënoi vlerën prej 44.5 milionë euro (11.5 milionë euro më pak krahasuar me TM1 2015), pastaj sektori i shërbimeve financiare që kishte vlerën prej 14.1 milionë euro (7.4 milionë euro më pak krahasuar me TM1 2015)”, thuhet në raportin e BQK-së.
Këto të dhëna, sipas njohësve të ekonomisë dëshmojnë se dy burimet më të rëndësishme të rritjes ekonomike në vend, si remitencat dhe Investimet e huaja, kanë shënuar rënie.
“Remitencat shënuan rënie vjetore prej 2.2 për qind, përderisa investimet e huaja shënuan rënie prej 12.9 për qind”.
Ndërkohë që në vend kanë rënë edhe investimet në aksione për 9 për qind. Sipas BQK-së investimet e huaja në formë të borxhit kanë shënuar vlerën e rreth 16. 3 milion eurove, vlerë kjo e cila është më e ulët për 22. 5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Investitorët e pasigurt
Mjedisi politik, duket të jetë një nga arsyet kryesore, pse investitorët tërhiqen nga Kosova.
Kryetari i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, pati thënë në një intervistë për Gazetën Fjala se në bërjen e biznesit ndikon edhe mjedisi politik, i cili nuk është i mjaftueshëm as për investimet e brendshme e as ato të jashtme.
“Faktorët politikë janë faktorë të rëndësishëm dhe me ndikim të madh si në të bërit biznes ashtu edhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, dhe në këtë aspekt është e natyrshme që investitorët i kushtojnë rëndësi të madhe edhe analizimit të mjedisit politik, i cili fatkeqësisht nuk është shumë i favorshëm për nxitjen as të investimeve të jashtme e as të brendshme”, ka thënë Zeka.
Sipas tij, gjërat po ndodhin në mënyrë të pastrukturuar mirë, mirëpo ai thotë se Kosova ka mekanizma ku mund të zgjidhen këto çështje.
“Kam përshtypjen se gjithçka po ndodh në mënyrë të pastrukturuar dhe të pamenduar mirë. Le t’i kthehemi vendimit për themelimin në vitin 2013 të zonave të lira ekonomike dhe të shohim ku jemi sot – asnjëra prej tyre nuk është funksionalizuar. Për të gjitha këto çështje, unë besoj që Kosova tashmë ka edhe mekanizma të mirëfilltë ku këto mund të diskutohen dhe zgjidhen në mënyrë institucionale, siç është rasti me Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, i cili megjithatë ka mundur të bëjë punë shumë më të mirë në këto 4 vite të funksionimit”, ka deklaruar ai.
E në anën tjetër, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Blerim Grainca, kishte thënë se siguria fizike e investitorëve, është një pengesë tjetër për investimet, pavarësisht asaj financiare.
“Ju po shihni se sot në vendin tonë, ndoshta s’ka fare investitorë, ose ka shumë pak, për shkak të rreziqeve që kanë në shkallën e rrezikut fizik, që u kanoset investimeve të tyre”, ka thënë Granica, me datën 1 mars, bazuar në transkriptin e mbledhjes së komisionit”. /Gazeta Fjala/

Artikulli paraprakKelani: Aktivizimi i më shumë policëve, rutinë e verës
Artikulli vijuesBeqaj akuzon Avdullah Hotin se “po e fut Kosovën në borxhe”