Përzgjedhjeve të “Time” nuk u ka munguar kurrë laramia, por me listën e sivjetshme të emrave në garë për njeriun e vitit, revista amerikane befasoi sërish: përkrah Presidentit rus Vladimir Putin, apo kandidatit republikan për Presidencialet Donald Trump, një prej figurave kryesore në nominim rezulton të jetë dhe vet kreu i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.
Madje, në radhitje me rend alfabetik, ai është i pari. Vitin që shkoi, e njëjta revistë e pat cilësuar al-Baghdadin si njeriun më të rrezikshëm të botës. Shpjegimi për vendimin e fundit është fare i thjeshtë: në listën e saj të personazhit të vitit, “Time” vendos ata njerëz që kanë mbushur lajmet më shumë se të tjerët, si për mirë, ashtu edhe për keq.
Dhe një kriter të tillë, udhëheqësi i ISIS-it e përmbush më së miri. “Nuk është nderim të të dalë emri në renditjen tonë, – sqarojnë drejtues të revistës. – Është thjesht pranim i ndikimit, që individi në fjalë ka pasur në mbarë botën. Abu Bakr al-Baghdadi ka frymëzuar një numër të madh ndjekësish të luftojnë sa në kalifatin e vetëshpallur islamik, me territore të pushtuara në Irak e Siri, aq edhe jashtë kufijve, duke organizuar goditje si ato në Tunizi apo Francë.
“Time” ka nxjerrë dikur Adolf Hitlerin si njeriun e vitit, e të njëjtën gjë ka bërë me diktatorin rus Josif Stalin, të shpallur të tille jo një, por dy herë: në 1939-n dhe 1942-shin. Për të parën herë, ky titull i është rezervuar Charles Lindberghut, njeriu që kreu i vetëm të parin fluturim transatlantik, pa ndalesa, nga Nju Jorku në Paris.
Personazhi i vitit i revistës “Time” do të shpallet të mërkurën.