Kritika e librit: Jusuf Buxhovi falsifikon historinë e Kosovës

0
152

Nga ALBERT RAMAJ, NURI BEXHETI, XHEMAL AHMETI*

Para do kohësh u botua në Prishtinë libri trevëllimësh me titullin “Kosova – Antika, Mesjeta, Perandoria Osmane, nga Konferenca e Londrës deri në Protektoratin ndërkombëtar”, autor i të cilit është Jusuf Buxhovi. Libri në fjalë bëri jehonë të madhe dhe nga një numër i konsiderueshëm i mediave kosovare u prit me pompozitet.
Libri i Buxhovit hyn ndër ata libra që janë pjesë e polemikës historiografike, e cila ka më shumë se njëzet vjet që po përkujdeset gjithandej për trazira dhe thellim armiqësish ndër popujt e Europës juglindore. Është fjala për një polemikë që mund të cilësohet si betejë historianësh në garën e tyre se kush prej tyre do ta gjejë recetën më të mirë për të dëshmuar autoktoninë e këtij ose atij populli. Secili komb, pavarësisht në është “i lashtë” ose “i ri” – në të shumtën e rasteve i përkrahur me subvencione shtetërore ose nga arkat partiake – përpiqet të sjellë argumentin më bindës rreth të drejtës së vetë natyrore për të sunduar mbi toka të caktuara ballkanike. Thënë troç gjithë kjo ka të bëjë me pyetjen: kush ishte i pari këtu?
Brenda hapësirës shqiptare deri më tani ka pasur vetëm disa kritika simbolike rreth “teorisë më të re” të Buxhovit mbi etnogjenezën e shqiptarit të sotëm. Në librat e tij autori u drejton një kritikë të ashpër universiteteve shqiptare dhe institucioneve të tjera arsimore, të cilat, sipas mendimit të tij, janë bërë instrument i historiografisë tendencioze serbo-greke, sidomos për faktin që me injorancën e tyre këto institucione famën antike ua paskëshin lënë pa të drejtë grekëve (Buxhovi, Kosova, libri I, f. 270). Me një vetëbindje gati narcisoide gazetari kosovar Jusuf Buxhovi bën thirrje për një historiografi shkencore, të pastër dhe objektive. Historianët e tjerë, ata që etnogjenezën shqiptare e shohin ndryshe prej tij, Buxhovi i difamon si albanofobë.
Por çka nënkupton Buxhovi nën togfjalëshin “historiografi objektive dhe shkencore”?

Përse reagojmë ne?
Ne i lexuam me kujdes tri vëllimet e librit “Kosova…” të Jusuf Buxhovit. Tezat që paraqet Buxhovi, sikurse që do të shihet më poshtë, nuk janë të reja. Kësisoj përpjekjesh datojnë që nga shekulli XIX – e re është gjeografia e tyre dhe mënyra e interpretimit të tyre. Aty formulohen teza që jo vetëm janë në kundërshtim, por edhe përmbysin gjithë studimet e bëra në dyzet vjetët e fundit mbi Europën Juglindore në hapësirën anglosaksone, gjermanofone dhe frankofone.
Vendosëm të reagojmë ngase ne, fatkeqësisht, na u desh të konstatojmë që Buxhovi jo vetëm keqpërdor burimet në mënyrë dramatike gjatë interpretimit të tyre (si Ciceroni etj., lexo më poshtë), por shpeshherë ato që ai i paraqet si burime nuk janë fare të tilla dhe janë vetëm riprodhime e interpretime të huaja, të cilave po ashtu u mungojnë burimet parësore.
Autorët e këtij shkrimi nuk mëtojnë të testojnë metodën dekonstruktive të Derrida-së mbi kurrizin e historiografisë shqiptare, por thjesht ndiejnë detyrim të marrin anën për një historiografi objektive dhe të dijes, për një histori “ad fontes”, për një histori të burimeve ashtu siç janë edhe atëherë kur ato burime do të thyenin ëndrrat tona romantike duke na përplasur para pasqyrës e duke na dhënë një identitet krejt ndryshe nga ai tek i cili kemi besuar tërë jetës. Jemi të vetëdijshëm se mund të akuzohemi me gjithfarë epitetesh nga ata që janë mësuar ta shkruajnë historinë si ep ose si këngë dasmash folklorike, por për hir të një katarsi të nevojshëm në shoqëritë tona po e marrim parasysh rrezikun e fyerjeve të mundshme dhe bëjmë thirrje për një histori objektive dhe pa urrejtje.

“Argumenti” mitologjik i Buxhovit
Mitet që në studimet mbi mitologjinë antike njihen si cikli tebanik (Kerényi, Karl, Die Mythologie der Griechen, dtv. München, 22. Auflage, 1960/2008.) në librin e Buxhovit transferohen si botë mitologjike pellazgo-dardane (libri 1, ff. 57-65.). Pohimet e tij mbështeten në dy indicie: 1) Herodoti pohon që helenët i kanë Zotat e tyre nga egjiptianët dhe pellazgët dhe 2) Biri i Kadmit dhe Harmonies quhej Illyros, ky i fundit themeloi Ilirinë. Llogaria duket mjaft e thjeshtë dhe logjike. Megjithatë nga kultura oborrtare e epokës mikeno-mionike, nga Teba në Boeti, aty ku gjeneologët i gjetën këto tregime mitologjike (750-500 p.e.s.) të shkruara në hekzametrin daktilik të greqishtes së vjetër, kanë mbetur rrënime dhe mbishkrime që tregojnë një histori krejtësisht tjetër dhe të veçantë, duke rrëzuar kështu çdo autoritet të miteve për të shërbyer si argumente shkencore. Ato nuk shërbejnë gjithaq kur orvatemi të bëjmë rikonstruimin e identitetit kulturor të fiseve (Kerényi, po aty, ff. 7-42). Përse?
Kadmoi – babai i Illyrosit – ishte i biri i Agenorit dhe mbreti më i madh i Tebës. Përtej botës së legjendave, sidomos atyre me kuçedrën dhe themelimin e Tebës (të cilën Buxhovi e integron në sqarimin e tij të miteve pellazgo-dardane), ekzistojnë qindra gjetje që nxjerrin në dritë historinë e këtij rajoni në mënyrë më të faktuar duke rikonstruktuar përmasat religjioze të kohës. Në një numër të madh tabelash lineare B gjenden mbi njëqind vula asirike nga shekulli XIII, që argumentojnë varësinë e Tebës nga mbretërit e Mesopotamisë.
Shumica e hetitologëve nisen nga fakti se tebanët janë pjesë e diasporës së mbetur nga invadimet e hershme të ardhura nga rajoni i lumit Tigris. Ky supozim përforcohet edhe më për shkak të luftërave të vazhdueshme të Tebës kundër Athinës dhe për përkrahjen e vijueshme që tebanët u bënin asirasve, persëve dhe perandorive tjera të Azisë Qendrore dhe Anadollit (S. Deger-Jalkotzky, O. Panagl (Hrsg.): Die neuen Linear B-Texte aus Theben, në “Akten des internationalen Forschungskolloquiums an der Österreichischen Akademie der Ëissenschaften am 5. und 6. Dezember 2002”, Ëien 2006). Domethënëse në këtë mes janë letrat e përmbledhura në alfabet pykor dhe në një hetitishte të çalë, të cilat i drejtoheshin mbretit hetit Hattušili II. Hetitologu dhe orientalisti në zë Frank Starke i dëshifroi ato si raporte të tebanëve për mosmarrëveshjet e tyre me ishujt e tjerë të Egjeut verior që rreth çështjes së Trojës. E shumta e letrave përmbajnë emrat e Kadmit dhe të Etoklit (Starke, Die keilschrift-luëischen Texte in Umschrift, Harrassoëitz, Ëiesbaden 1985).
Nga kjo gjendje e fakteve, krahasuar me historinë e rikonstruktuar të Buxhovit, rezulton një përfundim logjik që historianit kosovar afërmendsh nuk do t’i pëlqejë fare:
a.Kadmi fillimisht ishte mbret hetit. Duket sikur – sipas autorëve antikë që i citon edhe Buxhovi – edhe pellazgët dhe të tjerët ta kenë pranuar Kadmin si mbret/zot të tyre.
b.Është e sigurt që hetitët ishin një popull i Azisë së Vogël, që jetonte në Sirinë dhe Palestinën e sotme.
c.Është e sigurt që tebanët korrespondonin në gjuhën hetite, madje edhe atëherë kur greqishtja vlente si “gjuhë universale” e rajonit. Së këndejmi edhe epiteti “barbar” i Herodotit për pasardhësit e hetitëve, të cilët nuk e flisnin greqishten.
d.Sipas kësaj sage, Illyros është biri i Kadmit dhe i gruas së tij Harmonia (ose Niobe, varësisht nga forma e recipimit).
e.Illyrosi themeloi mbretërinë me emrin Iliria.
f.Conclusio: Pra, ilirët, dardanët, përkatësisht shqiptarët dalin si (ashtu si edhe pellazgët, pasi Kadmi ishte edhe babai i Pellazgosit) etni me prejardhje hetite, përkatësisht siriko-palestineze.
Këtu ne nuk dëshirojmë të shumëzojmë edhe më tej spekulimet lidhur me prejar
dhjen e ilirëve, pellazgëve, trakëve etj., por vetëm po përdorim formulën zenonike të paradoksit për të tërhequr vëmendjen në kontingjencën (kontingjencë – nga logjika – formë e dëshmisë e cila siç mund të jetë e saktë, mund të jetë edhe e gabuar) që përmbajnë shumica e teorive që përpiqen të dëshmojnë prejardhjen etnogjenetike të popujve në bazë të arsenalit mitologjik.
Shkencëtari i letërsisë Hanjo Kesting solli, para pak kohësh, një analizë të mrekullueshme krahasimtare të teksteve më të vjetra të qytetërimit (Kesting, Grundschriften der Europäischen Kultur- Antike, Mittelalter, Renaissance und Neuzeit, 3 Bde, Ëallstein Verlag, Göttingen 2012). Në librin e tij të parë mbi Antikën, gjatë krahasimit të Epit të Gilgameshit, veprave të Homerit, Biblës dhe autorëve të tjerë deri te Germania e Tacitit, ai në mënyrë tejet koncize ka dëftuar se si mitet dhe ndodhitë mitike të botës mesopotamike të Gilgameshit mund të gjenden edhe te veprat e Homerit, te Bibla, te Eskili, te Sofokliu, te Platoni, te Virgjili, tek Ovidi e kështu me radhë. Zotat në mënyrë vijueshme ndryshojnë emrat, gratë dhe fëmijët e tyre, ndërsa narrativja mbetet gjithnjë e njëjta (po aty, libri 1 mbi Antikën). Madje edhe Herodoti tërhiqte vëmendjen se ka pasur zhvendosje mitesh në mes të popujve dhe fiseve. Nga historia e kulturës së Antikës dimë që bota e Zotave dhe të të ashtuquajturave vende të shenjta shërbente si pikëtakim për grupe të ndryshme gjuhësore dhe kulturore. Asokohe – kur nuk ishte e pranishme ideja e kombit, e etnisë – dyndjet e popujve, përzierjet, lidhjet dhe asimilimi ishte një normalitet shumë më i fortë se më vonë (Bringmann, Klaus, Kulturgeschichte der Antike, München 2011, ff. 139-141).
Termat kryesorë helenë dhe barbarë, që Buxhovi i përkthen si ilirë dhe grekë, në fjalorin e autorëve antikë nuk kishin asnjë kuptim tjetër përpos se për të dalluar njerëzit në greqishtfolës dhe jogreqishtfolës. Në historinë e Apostujve (6.1) edhe hebrenjtë që jetonin atje quheshin si helenë (Thompson, Studien-Bibel, ribot. i reviduar 1984). Hebrenjtë – sikurse dihet – nuk kishin të bënin asgjë me religjionin dhe kulturën greke. Madje si barbarë janë etiketuar edhe vetë grekët që nuk zotëronin pa gabime gjuhën greke, pra të tillë nuk janë quajtur vetëm “fiset e prapambetura” dhe brutale, që kundërshtonin t’i dorëzonin armët në portat e Polisit (Todorov, Tzvetan, Die Angst vor den Barbaren, Hamburger Ed. 2011, ff. 28-28), por të gjithë ata që nuk flisnin gjuhën e Homerit.

Çështja Ilire
Historiografi i sotëm është i detyruar që edhe strukturat organizative politike e kulturore të mbretërive ilire dhe dardane t’i vështrojë në këtë kontekst. Posaçërisht në ilirologji kjo lloj perspektive është me rëndësi kapitale, sepse përderisa te grekët dhe romakët mund të fiksohen disa karakteristika kulturore-identitare, te figurat sunduese ilire kjo gjendje është shumë më komplekse dhe, pra, më spekulative (N. G. L. Hammond, Illyrians and North-Ëest Greeks, në CAH, V. I2 1994, 427 f.; J. Morris, Archaeology and Archaic Greek History, në N. Fisher, H. Van Ëees [s. o. A. 2] 40 f.; 50; 57). Studiuesi i Antikës i vdekur në vitin 2001 Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond përshkruan raportet e brendshme të Ilirisë si një konglomerat bashkësish fisnore dhe popujsh (koinons), të cilët zinxhirin e urdhrave mbretërorë i pranonin vetëm në kohëra lufte, atëherë kur viheshin në rrezik burimet e tyre ekonomike (po aty). Në të njëjtat rezultate del edhe arkeologu gjerman i Mesjetës së hershme dhe botuesi i Leksikonit Real të Antikës gjermane Heiko Steuer, i cili shkruan se në Iliri mbreti kishte kompetencë vetëm në kohëra lufte përderisa në kohë paqeje zotëronte një “liri, një an-arki në kuptimin më burimor të fjalës” (Steuer, Häuptling, Häuptlingstum, Artikel në: “Reallexikon der Germanischen Altertumskunde”, 13 (1999) 291-31, 1 298 f.). Pierre Carlier në studimin e tij “Rois illyriens et “roi des Illyriens”” i ka konfirmuar edhe më bindshëm këto rezultate duke shpjeguar se pikërisht kjo mungesë e fakteve materiale është arsyeja se përse mbi perandoritë mbretërore ilire ekzistojnë aq pak fakte (me përjashtim të disa monedhave në greqishte dhe latinishte), gjë që pamundëson krijimin e një historie më pak spekulative rreth rolit të ilirëve në kohë të caktuara (Carlier, Rois illyriens et “roi des Illyriens”, në “Ill”. I [s. o. A. 1] 39-46, N. G. L. Hammond, The Illyrian Kingdoms, circa 400 – 167 B. C., ABSA 61, 1966, 239-253. 6 z. B. „Könige” der Encheleis, Taulantier, Ardiaier, Stellen bei CAarlier 47. 1994).

Paradigmat dhe mungesa e fakteve
Përkundër kësaj faktologjie gati inekzistuese (një ankesë e ardhur kryesisht nga arkeologët) në ilirologji ka një paradigmë e cila përfaqësohet nga shumë shkencëtarë seriozë, në mesin e tyre edhe historianë me zë të kohës, si Peter Bartl, Peter Jordan, Klaus Steinke, Ëilfried Fiedler, Ëalter Raunig, Noel Malcolm, Edgar Hösch, Karl Kaser, Ëolfgang Zeitler, Joachim Matzinger, Stefan Troebst etj. Ky ekip hulumtuesish nuk përmendet fare në historiografinë e Buxhovit, ngase këta vijimësinë e shqiptarëve të sotëm nga ilirët e paraqesin vetëm si të mundshme (kontingjente – e mundshme ose jo). Në historiografinë e Buxhovit për ilirët, dardanët dhe shqiptarët paraqitet vetëm doktrina shtetërore nga “Historia e Popullit Shqiptar” (Akademia e Shkencave, Toena, Tiranë 2002), e shoqëruar me citatet e tjetërsuara të Peter Bartl-it, Stadtmüller-it dhe shkencëtarëve të tjerë të variantit të kontingjencës. Buxhovi nuk përmend në listën e burimeve Michael Ëheitmann-in (Balkanchronik), historiani aktual që është në po të njëjtën linjë me të dhe me historinë zyrtare shqiptare. Burim kryesor (madje edhe duke e keqpërdorur, siç do të shihet te çështja dardane) të dy librave ka vetëm Historinë zyrtare.

Dardania – trake apo ilire?
Grupin tjetër të shkencëtarëve, të cilët e përjashtojnë teorinë e prejardhjes ilire së shqiptarëve, Buxhovi e denoncon si propagandues të historiografisë serbe; në fakt historiografia serbe bën gjithçka që shqiptarët t’i lokalizojë si të ardhur nga Kaukazi ose Palestina, çfarë edhe Buxhovi e bën padashje me argumentet e tij mitologjike. Buxhovi e hesht faktin se kjo teori që i identifikon shqiptarët si pasardhës të trakëve rrjedh nga linguistët me famë botërore, si Gustav Ëeigand, Georg Solta, Françoise Bader, Claude Brügger etj. Për ne mjafton vetëm të dimë të lexojmë për të parë se këta autorë nuk janë serbë. Edhe pse Buxhovi përjashton tezën trake, ai si duket “pavetëdijshëm” bëhet përkrahës i saj. Si?
Për arsye se Buxhovi Dioklecianin dhe Justinianin i paraqet si figura që sigurojnë vijimësinë e traditës pellazgo-iliro-dardane, mbretër të cilët kontribuojnë që Dardania të ngrihet në djepin e fundit dhe më me rëndësi të kulturave antike. Me këtë Buxhovi in silentio provon të ushqejë tezën e supremacisë kosovare ndaj trojeve të tjera shqiptare. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës shtresa të caktuara intelektualësh kosovarë, në favor të krijimit të një identiteti të veçantë, orvaten që famën e Ilirisë ta bartin nga Dalmacia dhe Adriatiku shqiptar i Durrësit – në të njëjtën mënyrë si edhe ilirologët modernë slloveno-kroatë – dhe ta zhvendosin në Kosovën e sotme. Me këtë Buxhovi rreket të vërë në lëvizje një rikonfigurim të vetëdijes panshqiptare, e cila nuk do ta absorbonte më Shqipërinë si “mëmëdhe”, si deri më tani, por Kosovën. Një strategji identike me atë të serbëve, të cilët dëshirojnë ta stampojnë Kosovën si “djep të kombit
serb” (Buxhovi, Kosova, libri I, ff. 235-499).

Bilbliografia si ilustrim
Lexuesit mund të mbeten të qetë. Ata që kanë lexuar njëherë “Historia e Popullit Shqiptar” mund të lënë anash librin “Kosova – Perandoria osmane”, sepse s’do të humbin gjë. Është një përsëritje e mërzitshme e historiografisë shqiptare. Aty-këtu Buxhovi përmend libra si “Kosovo a Short History” të Malcolm-it, “Crescent and the Eagle” të Georg Gaërych-it (I. B. Tauris, London 2006) ose atë të Oliver Jens Schmitt-it “Skanderbeg” (Skanderbeg – Der neue Alexander auf dem Balkan, Pustet Verlag, Regensburg 2009), por ata ai nuk i përdor vërtet. Ai komenton dhe replikon me “Skënderbeun” e Schmitt-it pa bërë transparente se çfarë ka shkruar Schmitt-i. Asgjë nuk argumenton, por vetëm shkruan se studimi i profesorit nga Vjena nuk qëndron dhe pikë (libri II, f. 71).
Indicie tjetër që flet për huazimin e gati të plotë të veprës “Historia e Popullit Shqiptar” është edhe mungesa e informacioneve dhe dijes nga ana e të dyja palëve. Si “Historia” ashtu edhe Buxhovi shkruajnë për proceset e kohës osmane pa pasur ndonjë ide që vetëm në mes të viteve 2001 dhe 2007 janë botuar së paku 50 studime në anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht, libra që sjellin burime të reja dhe të detajuara dhe që demantojnë interpretimet e shumta të viteve të pasLuftës së dytë botërore deri në vitet *0 të shekullit të kaluar.

Historiani pa asnjë burim të 50 viteve të fundit
Vetëm një historian që nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë si duhet guxon që pansllavizmin ta reduktojë në një konflikt ruso-osman (Buxhovi, Kosova, libri II, ff. 168-175). Pansllavizmi ishte më shumë një program kulturor antiperëndimor (N. J. Danileëskij, Rusia dhe Europa, 1880. Iëan Krijeëski und Aleksej Chomjakov), i cili mbijetesën e sllavizmit e shihte vetëm përmes shkatërrimit të Perëndimit (të inkurajuar më vonë edhe nga Osëald Spengler). Buxhovi tematizon pansllavizmin sllavojugor dhe nuk di të thotë se, përpos serbëve, të gjithë sllavët e tjerë nuk ishin vetëm kundër monarkisë Austro-Hungareze dhe osmanëve, por edhe kundër Rusisë, siç mund të lexohet edhe në deklaratën e dalë nga Kuvendi i popujve sllavojugorë të mbajtur në Nish më 7 dhjetor të vitit 1914 (Ëeithmann, Michael Ë., Balkanchronik, 2000 Jahre zëischen Orient und Okzident, Teil III, Pustet/ Styria Verlag, 2. und erëeiterte Auflage 1997).
St. Gallen-Prishtinë, 2012.

E përktheu nga gjermanishtja Blerim CANAJ
*Autorët
Albert Ramaj, teolog dhe filozof, Drejtor i Institutit Shqiptar të St. Gallen-it (www.albanisches-institut.ch).
Nuri Bexheti, historian, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe udhëheqës i programeve për Histori pranë Institutit Shqiptar të St. Gallen-it.
Xhemal Ahmeti, historian, udhëheqës i programeve për Historine e Re dhe Letërsinë pranë Institutit Shqiptar të St. Gallen-it.