Kriza me migrantë: Ja cilat lëshime i ben BE për Turqinë

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për t’i ofruar Turqisë koncesione financiare dhe politike nëse ajo ndalon migrantët nga arritja në Greqi, shkruan REL.

Pas bisedimeve në Bruksel, të cilat kanë përfunduar në orët e para të ditës së sotme, liderët evropianë i kanë dhënë presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk, mandatin për të përfunduar marrëveshjen me Turqinë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Turqia do të pranojë prapa të gjithë migrantët që kalojnë Detin Egje dhe arrijnë në Greqi.

Në këmbim, BE-ja do të marrë refugjatë sirianë direkt nga Turqia, do t’i sigurojë asaj 6 miliardë euro ndihma dhe do të përshpejtojë negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE dhe planet për liberalizimin e vizave.

Po sipas marrëveshjes, BE-ja, për çdo migrant të kthyer në Turqi, do të pranojë një refugjat sirian derisa numri i tyre të arrijë në 72,000.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka hartuar planin me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu, në një samit para dhjetë ditësh, ka thënë se finalizimi i marrëveshjes nuk do të jetë i lehtë, porse të gjithë udhëheqësit evropianë duan një marrëveshje për të ngadalësuar ose ndaluar arritjen e mijëra migrantëve në ishujt grekë, në baza ditore.

Që nga janari i vitit 2015, mbi një milion migrantë dhe refugjatë kanë hyrë në BE, duke arritur në Greqi me anije nga Turqia. Vetëm këtë vit, në BE kanë arritur mbi 132,000 veta.

Dhjetëra-mijëra kanë mbetur të bllokuar në Greqi, pasi rruga e tyre në veri është bllokuar.

Merkel ka thënë se pjesa më e madhe e debatit të BE-së është fokusuar në adresimin e kritikave të grupeve të të drejtave të njeriut, në lidhje me kthimin e migrantëve në Turqi, një vend ku respektimi i të drejtave të njeriut është përkeqësuar.

Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, ka paralajmëruar se plani për të kthyer njerëzit në Turqi “është në buzë të së drejtës ndërkombëtare” dhe vështirë i zbatueshëm.

Tusk, me ofertën në duar, do të takojë Davutoglun sot.

Sigurimi i marrëveshjes nuk është i sigurt. Davutoglu ka thënë të enjten se nuk do të pranojë që Turqia të bëhet një “burg i hapur” për migrantët.

Marrëveshja po ashtu rrezikohet nga mospajtimet në lidhje me negociatat e anëtarësimit të Turqisë në BE, e sidomos nga konflikti midis Qipros dhe Turqisë, e cila nuk e njeh Qeverinë e Qipros greke.

Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, ka thënë se mund të përdorë veton për të bllokuar marrëveshjen, nëse Ankaraja nuk i jep Qipros të drejtat e njëjta, sikur vendeve të tjera të BE-së, për të pasur qasje në portet dhe aeroportet turke.

Artikulli paraprakVIDEO – Urrejtësit e Islamit dojn me na pa të përçamë
Artikulli vijuesTë humburit përshëndesin Hitlerin