Bombardime në Damask, Brahimi udhëton në Moskë

Aktivistët sirianë kanë bërë të ditur se aeroplanët luftarakë kanë bombarduar sot Damaskun, në ditën e fundit të armëpushimit.

Armëpushimi, në fakt, është dashur të zgjasë gjatë katër ditëve të Festës së Kurban Bajramit, por palët nuk e kanë respektuar dhe kanë vazhduar luftimet.

Armëpushimi ishte propozuar nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi.

Nuk ka pasur raporte të menjëhershme për viktima eventuale nga trazirat e sotme.

Sot, Brahimi do të takohet në Moskë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se do të diskutohen perspektivat diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Siri.

===========

I dërguari ndërkombëtar në Siri, Lakhdar Brahimi zhvillon të hënën bisedime me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Moskë.

Bisedimet vijnë në ditën e fundit të një armëpushimi katër-ditor në Siri, i cili është përcjellë me shkelje të shumta, edhe nga forcat e qeverisë edhe nga kryengritësit.

Brahimi ndërmjetësoi armëpushimin me shpresën e ndërtimit të besimit mes dy palëve për t’i dhënë fund krizës 19-muajshe, e cila ka marrë dhjetëra mijëra jetë njerëzish.

Megjithatë, dhuna ka vazhduar.

Aktivistët thanë se të paktën 110 vetë janë vrarë të dielën, një shifër e ngjashme me viktimat e një dite më parë.

Në kuadër të kësaj shifre hyjnë edhe 16 persona që vdiqën nga sulmet ajrore në fshatin al-Barra, në rajonin malor verior të Sirisë.

Avionët luftarakë sirianë gjithashtu goditën tri rajone perfierike të Damaskut, në përpjekje për të dëbuar forcat kryengritëse.

Artikulli paraprakNë qershor dihet numri i luftëtarëve të UÇK-së
Artikulli vijuesIrani nis stërvitjet ushtarake pranë Irakut