Kryetarët nga radhët e PDK-së, probleme me ligjin

Pesë kryetarët e komunave, anëtarë të PDK-së, kanë probleme me drejtësinë. Disa prej tyre janë dënuar, por asnjëri nuk iu ka “nënshtruar” vendimeve të gjyqësorit.

Kjo nga opozita dhe analistët politikë shihet si pushtet i partisë së kryeministrit Thaçi, mbi organet e drejtësisë.

Aktakuza ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka dërguar në pesë numrin e kryetarëve të komunave që vijnë nga PDK-ja, e që kanë probleme me drejtësinë.

Njëri nga prokurorët e Misionit EULEX ka ngritur aktakuzë për korrupsion në gjykatën Themelore të Prizrenit ndaj kryetarit Muja dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij. Disa muaj më parë Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka shpallur fajtor tashmë ish- kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, për vepra korruptive, duke dënuar atë me tri vjet burgim dhe një mijë e pesëqind euro gjobë për armëmbajtje pa leje, shkruan Zëri.

Pak a shumë “fat” të ngjashëm ka pasur edhe ish-kryetari i Ferizajit, Bajrush Xhemajli, i cili kishte shkaktuar një aksident komunikacioni në qytetin e Prishtinës. Nga ky aksident pati humbur jetën i riu Labinot Rrustemi, ndërsa Gjykata pati marrë vendimin që Xhemajli të dënohet më dy vjet e gjysmë burgim.

Probleme me drejtësinë në vend ka edhe Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, meqenëse besohet se ai ka kryer vepër penale të shkeljes së statusit të barabartë të banorëve të Kosovës.

Organet e drejtësisë janë duke u marrë edhe me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili dyshohet se ka bërë shpërdorim të detyrës zyrtare. Ai dyshohet se ka ndikuar në dhënien tenderit për ndërtimin e objektit të ri të Komunës.

Opozita ka vlerësuar se këto janë shembuj se pushteti në Kosovës është i paprekshëm nga drejtësia.kohaislame

Artikulli paraprakFlamuri i Maqedonisë hiqet nga ‘NEWBORN’
Artikulli vijuesSerbia, me tre skenarë për Kosovën