– “Feja është pjesë thelbësore e natyrës së njeriut dhe domosdoshmëri e patjetërsueshme e humanizmit. Mund të ndodhë, që njeriu të bëjë pa dije, por nuk kemi parë në histori, ndonjë shoqëri, që ia ka dalë pa fenë!”
– [Prej argumenteve të mungesës së bazamentit të fortë në dije, është edhe animi nga ekstremizmi dhe abuzimi me përdorimin e termit ‘haram’, ndërsa All-llahu i Madhëruar urdhëron: “All-llahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” – (Kur’ani, El-Bekare: 185)]
– “Leximi i Kur’anit, të forcon kur dobësoshesh, të tërheq vëmendjen kur hutohesh, të kujton kur harron, të mbush me besim dhe shpresë për të nesërmen dhe dëbon prej teje çdo ndjenjë pesimizmi dhe zhgënjimi në jetë!”
– “Të përkushtuarit nuk janë melekë të pastër, as profetë të pagabueshëm… Ata janë njerëz, i binden Zotit, por edhe gabojnë! Ata shpejt kujtohen dhe kthehen, pendohen dhe kërkojnë falje, duke u kthyer nga Zoti i tyre!”
– “Ata që kthehen nga All-llahu kalojnë një ndryshim të madh në vetveten e tyre, që e bën njeriun të ndjehet si të ishte rinovuar, teksa ndryshojnë konceptet dhe qëllimet e tyre në jetë, si dhe vështrimet mbi jetën, veten dhe Zotin e gjithësisë!”
– “Është budallallëk të refuzohet gjëja, jo për ndonjë të metë, por vetëm për faktin se është e vjetër! Njësoj, si mirëpritja e një gjëje, jo për shkak të ndonjë vetie a dobie, por vetëm për faktin se është e re!? Po, sa gjëra të vjetra janë plot dobi, ndërkohë që sa gjëra të reja janë shumë dëmsjellëse!”
– “Muslimani nuk është pronë e vetvetes së tij, ai është pronë e fesë dhe ymmetit të tij; jeta e tij, shëndeti i tij, pasuria e tij dhe krejt mirësitë e All-llahut! Ato janë vendosur amanet në dorën e tij! Prandaj, të jetë i kujdesshëm, sepse nuk i lejohet abuzimi me to!”
– “Çdo ndërtim, reformë a ndryshim social, që nuk ngrihet mbi përmirësimin e individit, zgjimin e ndërgjegjes dhe përsosjen e moralit, i ngjan më shumë një ndërtimi mbi një dunë rëre!”
– “Sahabët kanë pasur mendime të ndryshme rreth gjërave, edhe në kohën e vetë Resulull-llahut (a.s) dhe, Resulull-llahu (a.s) e ka miratuar këtë ndryshim, pa kritikuar njeri, sepse diversiteti në mendim është legjitim, ndërsa përçarja e dënueshme!”
– “Skllevërit e kësaj bote, nuk mund të jenë sinqertë në adhurimin e tyre ndaj All-llahut, sepse, All-llahu nuk i vendosur dikujt dy zemra në gjoksin e tij!”
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 19 gusht 2016