Kur jemi alergjik në ushqim, a duhet shmangur ushqimi apo jo?

Sipas rekomandimeve aktuale, në rast se kemi alergji ndaj ndonjë lloj ushqimi duhet ta shmangim atë, në mënyrë që të parandalojmë reaksionet alergjike me komplikime serioze.

Mirëpo, një studim i ri amerikan që është publikuar në takimin e përvitshëm të Kolegjit Amerikan për Alergji, Astmë dhe Imunologji, jep një ide tjetër të qasjes për alergjinë dhe tejndjeshmërinë ndaj ushqimeve të caktuara.

Autorët e këtij studimi thonë se nëse jemi alergjik ndaj një ushqimi të caktuar, kjo nuk do të thotë se jemi alergjikë ndaj të gjithë përbërësve të atij ushqimi. Sipas tyre, personat që janë alergjikë ndaj vezëve, mund të vazhdojnë ta konsumojnë të verdhën e vesë, ndërkohë që e bardha e vesë shkakton alergji.

Po ashtu, ata thonë se tejndjeshmëria ndaj një lloji të ushqimit mund të ndihmojë në zbulimin e alergjive në ushqimet tjera. Disa ushqime madje mund të shkaktojnë reaksione të kryqëzuara alergjike. Për shembull, personat që janë alergjikë në oktapodë, do të jenë njëkohësisht alergjikë edhe në gaforre, karkaleca deti etj. Ngjashëm, edhe njerëzit që kanë alergji në molla, do të jenë alergjikë në kajsi, dardha, kumbulla dhe luleshtrydhe.

Më tej, autorët e këtij studimi këshillojnë që të bëhen të gjitha testet alergjike për personat që dyshohet se kanë alergji ndaj një lloji të caktuar ushqimi për të përcaktuar edhe alergjitë në ushqimet tjera, në mënyrë që të shmanget më e keqja. /Mjeku

Artikulli paraprakShpend Ahmeti: deklarohet socialist (i majtë)
Artikulli vijuesPërdorimi i tepërt i telefonit, shkakton ankth