Shtatë vite pas rënies së Kostandinopojës, papa Piu II shkruan për sulltan Mehmetin II një letër (*) unike në natyrën e saj. Epistula e Enea S. Piccolominit, produkt i një eruditi largpamës, diplomati të lindur, laik deri në moshën dyzet vjeçare dhe padyshim me kultin e personalitetit, përmbledh tre rryma raportimi me osmanët dhe fenë rivale: përballjen e dhunshme, të mishëruar nga kryqëzata, misionarizmin konvertues dhepragmatizmin. Ky i fundit qëndron si lajtmotiv në hartimin e epistulës për një mori arsyesh, që fillojnë nga turkofilia gjarpëruese në territoret italiane gjatë shek. XV – në veçanti e lidhur me figurën e Mehmetit II – dhe zgjaten deri te mungesa e një autoriteti perandorak në Perëndim, të cilin papa kërkon ta projektojë te sulltani, në mënyrë që, në rastin e një konvertimi të mundshëm, të mund të kulmonte autoriteti sakral i Selisë së Shenjtë. Hera-herës tregohen kufijtë e dy kulturave dhe valëviten flamujt e luftës me mesazhe të qarta paralajmërimi, por përgjithësisht epistula dominohet nga një monolog i argumentuar teologjikisht mjaft dendur – që nuk i shpëton krejtësisht paragjykimeve të prodhuara nga mungesa e njohurive për Tjetrin – i cili hap pas hapi përpiqet të vërtetojë supremacinë e doktrinës së mbrojtur nga letërshkruesi.
Po ia nisim të të shkruajmë ca gjëra për shpëtimin e lavdinë tënde, por edhe për paqen e përbashkët dhe ngushëllimin e mjaft popujve; e mbi të gjitha të lutemi të kesh vëmendjen ndaj asaj që po të themi […]. Nëse këshillat që të japim janë të mira, përvetësoji; nëse jo, refuzoi dhe hidhe letrën në zjarr. Por mos e refuzo vetëm se është e një të krishteri, madje e kreut të krishtërimit. Në fakt nuk është e vërtetë që të urrejmë, që të duam të vdekur, megjithëse je armik i fesë sonë […]. Urrejmë veprimet e tua, por jo personin tënd.
Dhe sigurisht ti nuk vlen më pak se Justiniani. […] Jemi të vetëdijshëm se paraardhësit e tu të lavdishëm kanë bërë gjëra të mëdha, jo se vepra jote është me vogël: ke fituar mbi Kostandinopojën; kolonia xhenoveze e Peras në rrethinat e Bizantit dhe pjesa më e madhe e Peloponezit u janë dorëzuar ushtrive të tua; në Serbi dhe në Vllahi nuk ke fituar pak toka […]. Të duken gjëra të mëdha, e ne nuk themi se janë të vogla.
Kimagesështu e fillon Piu II qasjen e tij, për të vijuar me përshkrimin e shkatërrimeve të luftës dhe për të kaluar më pas në vlerësimin me tone superlative të veprës së Mehmetit II. Sigurisht që për ligjërimin shqiptar, me nuanca marksiste dhe izolacioniste, të kultivuar pas Luftës së Dytë Botërore kjo gjuhë komunikimi vërteton skemën e ngurrtë me Shqipërinë etike, nga njëra anë, dhe interesat, pragmatizmin dhe pushtetin nga ana tjetër. Pak rëndësi ka pastaj orientimi gjeo-kulturor. Kurse për ligjërimin shqiptar postkomunist (me karakter historik) epistula bie si rrufe në qiell të hapur për dy arsye kryesore, dhe është e ligjshme të supozohet se pikërisht për këto arsye epistula nuk qarkullon as në nivel akademik.
Së pari, ajo evidenton pa asnjë sforcim interpretativ pragmatizmin, që merr dimension tjetër nëse konsiderohet burimi i tij. Epistula nuk është aspak komode për një model qasjeje ndaj të shkuarës shqiptare të shek. XV që e ndan kohën në dy ngjyra, pa komunikim, madje në llogore permanente, dhe, çka është më trishtuese, me pretendimin se nga njëra anë ndodhen e Mira, Virtyti, Etika, Idealizmi, Qytetërimi, kurse nga ana tjetër vargu i antonimeve dhe shkatërrimi. Fundja, përse ta joshësh shkatërrimin me kaq fisnikëri?
Së dyti, shpërfill tërësisht rolin dhe epopenë e Skënderbeut, madje ai territor që ne kemi për zemër ta quajmë si Europë jug-lindore në këtë logjikë të Piut II është asgjë më tepër se një toponim me valencë gjeografike. Thënë ndryshe, Europa e tij, që është gjithsesi koncept gjeo-kulturor thuajse unikal për kohën, mbaron në Hungari. Kjo arsye, e vetme, mjafton për të krijuar një paradoks, nëse imagjinohet për një çast se ç’rol europian projektohet te epopeja në fjalë nga ligjërimi shqiptar postkomunist. Aty ku lexuesi shqiptar pret të ngopet me konfirmimin e radhës se në mesin e shek. XV Arbëria ishte shpatë, shpresë dhe pjesë e Europës, do të gjejë një territor të zhytur në anonimat, të identifikueshëm si Tjetri, ose një hiç në rrafshin gjeopolitik, që behet diçka vetëm si mjet lokal i interesave të largëta:
Ne mendojmë që ti nuk je i informuar aq keq sa të injorosh fuqinë e botës së krishterë, forcën e Spanjës, shpirtin luftarak të Francës, superioritetin e Gjermanisë, energjinë e Anglisë, guximin e Polonisë, vlerën e Hungarisë, pasurinë dhe trimërinë e Italisë. Hungaria e vetme ka vënë në vështirësi ty dhe paraardhësit e tu […]. Ç’do të bëje sikur do të duhej të luftoje kundër italianëve, francezëve ose gjermanëve?
Diku e quan ‘të urtë’, diku tjetër ‘princ fisnik’, ‘njeri racional’ dhe ‘jo pa inteligjencë’, diku madje e lartëson mbi Epikurin. Dyndja e epiteteve dhe e krahasimeve sjell në mendje laicizimin e formateve ‘athleta Cristi’ e ‘dilecti filii’, të shpërndarë dendur deri në shekullin e kaluar. Dhe pasi e ka dekoruar ligjërimin me joshje të tilla, Piu II propozon hapin vendimtar, konvertimin, i cili do t’i dhurojë Mehmetit II lavdinë e kërkuar në realitet dhe në histori:
Nëse do ta shtrish autoritetin tënd mbi të krishterët dhe ta shndërrosh emrin në më të lavdishmin e mundshëm, nuk ke nevojë për flori, armë, ushtri, flota. Diçka e thjesht mund të të transformojë në më të madhin, më të fuqishmin dhe më të famshmin njeri të kohës sonë […]: pak ujë që të pagëzohesh dhe të adoptosh ritet e krishtera e të besosh në Ungjill. Po e bëre, nuk do të këtë princ në tokë që të mund të ta kalojë për nga lavdia dhe të afrohet për nga pushteti. Do të të quajmë perandor i Greqisë dhe Orientit, e ajo çfarë tani zotëron me dhunë dhe joligjërisht do ta kesh me gjitha të drejtat. Të gjithë të krishterët do të të jenë të devotshëm dhe do të të zgjedhin si gjykatës […]. Selia e Shenjtë do të ketë ndaj teje të njëjtën dashuri që ushqen për mbretërit e tjerë, madje aq e madhe sa do të jetë pushteti yt mbi të tyrin.
Çdo pushtim, dhunim, nënshtrim, vrasje, dëbim e shkatërrim i Mehmetit II këmbehet me ca pika ujë, madje pas këtij gjesti atij i premtohet supremacia ndaj homologëve të kohës: gjaku lahet me ujë dhe shkëmbehen pozicionet në dikotomitë barbar/civil, besnik/i pabesë, vrasës/fisnik, pushtues/sovran i lavdishëm. Fragmenti «do të të quajmë perandor i Greqisë dhe Orientit, e ajo çfarë tani zotëron me dhunë dhe joligjërisht do ta kesh me gjitha të drejtat» është sinteza e pranimit në “botën e civilizuar”, ku hyrja dhe kategoria ‘e civilizuar’ përcaktohen nga institucioni fetar dominues. Pak rëndësi ka dhuna, ndërsa flamuri që i bën asaj hije po:
Çfarë do të ndodh me ty një herë që të jesh bërë i krishterë? Shumë do të kalojnë në anën tende dhe do të konsiderohet bekim [për to: D.D.] të qenurit nënshtetas i yti.
Piu II shkon edhe më tej, pasi tregohet i gatshëm t’ia kalojë administrimin e Ballkanit, përfshi vendin e arbërve, një turko-osmani, madje edhe vetë mbrojtjen e Kishës Katolike:
Sa janë ata [ballkanas: D.D.] që refuzojnë t’i nënshtrohen autoritetit tënd vetëm e vetëm se nuk je i krishterë? […] Por sikur të ishe i pagëzuar dhe bashkë me ne të rrugëtoje në shtëpinë e Zotit sipas ortodoksisë [Kishës Katolike: D. D], ata nuk do të ki
shin aq frikë nga sundimi yt dhe ne nuk do t’i ndihmonim kundër teje, por madje do të kërkonim ndërhyrjen tënde kundër tyre, sepse nganjëherë uzurpojnë prerogativa të Kishës së Romës.
Asnjeri prej tyre [të nënshtruarve: D.D.] nuk të do […]. Por nëse do të shikonin të krishterë, do të donin jashtëzakonisht, do të uronin prosperitet dhe do të përpiqeshin të kontribuonin për lavdinë tënde […]. Kështu do të sigurosh shpëtimin e shpirtit tënd, kështu do të mundësosh të mirën e popullit turk, kështu do të përmbushen aspiratat e tua […], kështu Greqia, Italia, e tërë Europa do të të admirojnë […]. Në të kundërt, nëse i refuzon këshillat tona, lavdia jote do të shpërndahet si tymi.
Për Piun II pak rëndësi kishte nëse Arbëria pushtohej ose jo, nëse pushtuesi vinte nga Orienti apo gjetkë dhe cila ishte gjendja e popullsisë. Rëndësia qëndronte te feja e pushtetit – që përkthehet në shtrirje të autoritetit papnor në Ballkanin gati osman – pra, thënë ndryshe, te këndvështrimi i interesave e jo tek etika. Ai vepronte si drejtues shteti. Kjo është politikë. Këto janë interesa. Këtu nuk ka vend për analiza me etikë kalorësiake në stilin e eposit të kreshnikëve, nga të cilat dominohet ai ligjërim shqiptar që historinë e keqpërdor për trendin ideologjik të radhës dhe promovimin ose lustrimin e karrierave personale. E nuk është nevoja për ndonjë kozmopolitizëm të sforcuar, në emër të së ardhmes apo njeriut, porse thjesht interpretimi i ngjarjeve sipas kontekstit ku ato konsumohen dhe jo sipas nevojave, imagjinatës e bindjeve të vëzhguesit aktual.**
Doan Dani