Kurbani dhe rregullat e tij

Kurbani dhe rregullat e tij

Ndryshe nga Fitër Bajrami që karakterizohet me mbylljen e Ramazanit dhe dhënien e Zekati Fitrit, Bajrami i dytë, i cili përkon me kohën kur kryhen ritet e Haxhit, karakterizohet me therjen e Kurbanit.
Kurban do të thotë të therësh një kafshë të caktuar sipas disa rregullave të caktuara për hir të Allahut të Madhërishëm.

Me Kurbanin e Bajramit manifestohet qartë falënderimi dhe madhërimi i Allahut të Lartësuar si dhe mëshira, solidariteti, përulësia dhe sinqeriteti i besimtarëve mes tyre. Gjithashtu Kurbani i Bajramit, është dhe një ringjallje e rrugës së pastër që ndoqi babai i profetëve, Ibrahimi (alejhisselam) i cili ishte i gatshëm të flijonte birin e tij Ismailin për të çuar në vend urdhërin e Allahut. E pasi Allahu i Madhëruar ia zëvendësoi Ibrahimit (alejhisselam) flijimin e djalit të tij me një kurban të madh, ajo mbeti një shëmbëlltyrë dhe kujtim i mirë për brezat e mëvonshëm.
Therja e Kurbanit në ditën e Kurban Bajramit është sunet i fortë (suneh muekkedeh). Për ta zbatuar sa më mirë këtë rit të rëndësishëm duhet të ndiqen këto rregulla:

1-) Kur të hyjë hëna e re e Dhul-hixhes nuk duhet që personi i cili ka vendosur të bëjë kurban të presë thonjtë ose të heqë apo shkurtojë qimet kudo qofshin ato në trupin e tij. Kjo vazhdon deri në prerjen e kurbanit.
2-) Nuk duhet që kafsha e veçuar për kurban të qethet, sepse leshi i saj është pjesë e kafshës e cila është destinuar për këtë adhurim të posaçëm. Ndërsa përsa i përket qumështit të saj duhet të milet sepse është në dobi të njerëzve dhe mund t’i sjellë dëm kafshës.

3-) Kafsha e Kurbanit duhet të jetë e majme dhe jo në moshë të vogël. Deveja përshembull, duhet t’i ketë mbushur pesë vjet, lopa duhet të ketë plotësuar dy vjet, dhija duhet të ketë plotësuar vitin, kurse delja së paku të jetë gjashtë muajshe.

4-) Deveja dhe lopët vlejnë për shtatë persona ndërsa delja dhe dhia për një person. Personat janë të ndryshëm dhe nuk futen në numërim familjarët e tij. Pra një dele mjafton si kurban për të gjithë pjestarët e familjes siç tregohet në hadithet profetike.

5-) Kafsha e veçuar për kurban duhet të jetë e shëndoshë fizikisht dhe pa të meta të dukshme në trupin e saj. Mos të jetë e sëmurë, e verbër ose e çalë. Mos të jetë me veshë të prera ose të shqyera, mos të jetë me bisht të këputur ose të prerë, si dhe mos të ketë brirë të këputur ose të thyer. Ndërsa për sa i përket disa të metave fizike të vogla tek veshët apo gjetkë nuk prish punë.
Nëqoftëse kafsha e kurbanit bëhet më ndonjë të metë pasi që është veçuar për kurban, edhe kjo nuk prish punë.

6-) Kurbani theret pas namazit të bajramit dhe nuk është i vlefshëm nëse theret para namazit. Për këtë arsye Profeti (alejhissalatu uesselam) kur pa se Ebu Burde kish therur kurbanin para namazit të bajramit, e urdhëroi që të bënte një kurban tjetër përveç tij. Transmetoi Buhariu.
Koha e kurbanit fillon që pas namazit të Bajramit dhe vazhdon deri në ditën e katërt para se të perëndojë dielli. Këto ditë quhen Ditët e Teshrikut.

7-) Është e pëlqyeshme që çdo njeri ta therë vetë Kurbanin e tij siç ka vepruar vetë i Dërguari i Allahut, por nëse dikush nuk di të therë, ose nuk ka mundësi, mund t’ia lërë në dorë dikujt tjetër.
Është e domosdoshme që kurbani të theret me emrin e Allahut, pra gjatë therjes të thuhet “Bismilah” si dhe është e pëlqyeshme që pas saj të thuhet “Allahu ekber”, ose mund të thotë: “Bismil-lah, o Zot pranoje këtë kurban nga filani (përmend emrin e tij) dhe familja e tij!” Që të dyja format janë të vërtetuara në hadithe të sakta.

Nuk lejohet që kasapit t’i jepet si hak pune lëkura e kurbanit ose diç tjetër prej tij, por mund t’i jepet diçka tjetër si shpërblim. Lëkura mund të dhurohet por jo të shitet. E njëjta gjë vlen edhe për mishin.

9-) Lejohet që gruaja e pasur të presë kurban nga pasuria e saj dhe t’ia japë mishin si sadaka burrit dhe fëmijëve të saj, kur këta nuk janë në gjëndje ta bëjnë vetë kurbanin.

10-) Dijetarë të ndryshëm kanë këshilluar që mishi i kurbanit të ndahet në tri pjesë; një pjesë për vete, një pjesë të jepet sadaka dhe një pjese të dhurohet, pasi Allahu në Kur’an thotë: “Hani prej mishit të tyre dhe ushqeni atë që lyp dhe atë që nuk lyp!” Suretu El-Haxh 36. Pra ata persona që nuk lypin janë ata nevojtarë që nuk e shfaqin veten e tyre. Të tillëve u dhurohet mishi (kryesisht farefisit dhe fshinjëve), kurse atyre që lypin u jepet në formë sadakaje sepse e pranojnë diçka të tillë.
Përveç këtyre rregullave muslimanët duhet të kenë parasysh dhe kujdesin që duhet të kenë për kafshën dhe mëshirën që tregojnë ndaj saj. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Kur të therni, bëjeni atë në mënyrën më të mirë, mpriheni tehun e thikës dhe rehatojeni kafshën në therje!” Transmetoi Muslimi.

Artikulli paraprakKryeministri i Hungarisë: Të mbështesim Sirinë me 3 miliardë euro
Artikulli vijuesTifozët e Maccabi Tel Aviv nuk i mirëpresin refugjatët