“Kurir”: Gjorgje Kastriotiç është serb, arnautët na vodhën heroin

0
174

BEOGRAD – “Hate speech” nuk është vetëm thirrje për vrasje e terrorizëm. “Gjuhë urrejtje” është edhe kur denigron një popull dhe e quan atë pa histori, edhe kur shan një komb dhe e cilëson hajdut heronjsh dhe pa origjinë. Kjo ndodh rëndom në median serbe. Ajo që të bën përshtypje është se: nëse çmenduri të tilla në Shqipëri botohen nga media fare periferike, në Serbi gjuha e urrejtjes dhe denigrimit të shqiptarëve është normë dhe standard. “Gazeta Shqiptare” sjell sot të përkthyer një artikull të botuar në dy prej gazetave kryesore të Beogradit, “Telegraf” dhe “Kurir”. SHKRIMI NE MEDIAN SERBE Origjina serbo-ortodokse e Gjorgjes nuk është në diskutim. Historiani anglez Eduard Gibbon në librin e tij “Historia e venitjes dhe rënies së Perandorisë Romake” e vitit 1788, në mënyrë të qartë ka shkruar se Kastriotiç e ka origjinën nga dinastia e vjetër serbe e Braniloviçëve të Zetës. Populli dhe historianët serbë e kanë pasur të lehtë të hedhin poshtë kalorësit dhe heronjtë serbë. Ngaqë janë harruar nga historianët serbë, këta heronj janë duke rënë në errësirën e harresës, apo thjesht po konfiskohen dhe përvetësohen nga njerëz të tjerë! Një fat i tillë i ka ndodhur kalorësit serb dhe gjeneralit të Papës, Gjorgje Braniloviç Kastriotiç, të cilin shqiptarët e kanë deklaruar për heroin e tyre kombëtar. Madje, edhe flamurin e tij e kanë kthyer në simbolin e tyre kombëtar. Emri i tij i vërtetë tani pothuajse është harruar, por në sajë të propagandës shqiptare, e tërë bota e njeh atë. Emri i tij është Skënderbeu. Gjyshi i Gjorgjes u shpërngul në Janinë të Epirit, si Kefalija serb (në shtetin mesjetar serb: i pari i pleqësisë së qytetit). Babai i tij, Gjon Gjorgje Kastriotiç është quajtur Princi i Epirit, krahinë që përfshinte Matin, Mirditën dhe Dibrën. Nëna e tij, Vojislava ishte princeshë me prejardhje serbe nga familja e Tribaldas. Gjon Kastriotiç ishte ndër të parët, i cili u bëri ballë inkursioneve ushtarake të Bajazitit I, por rezistenca e tij nuk kishte sukses. Sulltani e bëri atë të paguajë haraç dhe për të siguruar besnikërinë e fisnikërisë serbe në territorin e Shqipërisë, Sulltani e mori Gjorgjen dhe vëllezërit e tij si pengje. Në gjykatën turke, Gjorgje u konvertua në islam. Ai u diplomua në shkollën prestigjioze ushtarake në Edirne dhe si komandant i ushtrisë turke korri shumë fitore. Për shkak të virtyteve të tij ushtarake, ai fitoi pseudonimin Iskander Bej, sepse turqit krahasonin Gjorgjen për aftësitë e tij ushtarake me Aleksandrin e Madh. Kur serbi tjetër i harruar, Janko Sibinjanin (Janosh Huniadi) i mundi turqit në Nish më 1443, Gjorgje e la ushtrinë turke dhe u kthye në qytetin e tij. Ai pranoi ortodoksinë, mblodhi anëtarët e fisit dhe ndërmori betejë pamëshirshme kundër Perandorisë Osmane. Ai shpejt mori kontrollin e prerë dhe udhëhoqi luftën kundër turqve, por edhe kundër mbretit armik të Napolit në 25 vitet e ardhshme. Nën patronazhin e Venedikut, Gjorgje u emërua në mars 1444 si komandant i aleancës ushtarake të parisë nga Shqipëria Veriore e sotme dhe Zeta. Perandoria Osmane që nga viti 1443 deri në 1478 katër herë u përpoq pa sukses për të pushtuar këto toka. Dy herë Sulltani personalisht udhëhoqi një ushtri. Papa Kaliktus III e njohu meritën e tij në luftën kundër osmanëve, këtij fisniku serb, duke i dhënë titullin – gjeneral i madh i Selisë së Shenjtë. PAS SKENDEBEUT Gjatë shekullit të 15 otomanët pushtuan Bosnjën serbe dhe Konstantinopolin. Skënderbeu rezistoi deri 1468. Më 17 janar 1468 Gjorgje Braniloviç Kastriotiç – Skënderbeu vdiq nga malaria. Pas vdekjes së Skënderbeut, Kruja ra nën sundimin e drejtpërdrejtë të Venedikut, deri sa u pushtua nga turqit në 1478. Lavdia e Skënderbeut për shekuj me radhë ka qenë ruajtur në Evropën e krishterë, ndërsa në Shqipëri është lënë në harresë fakti se ai ka qenë një kundërshtar i madh i Islamit. Në mungesë të heronjve të tyre mesjetarë, arnautët (sepse atëherë emri i Shqipërisë nuk ekzistonte) përvetësuan Skënderbeun. Më 1898, Naim Frashëri botoi librin “Istori’e Skënderbeut”, ku Skënderbeu u shpall heroi më i madh i të gjitha kohërave nga arnautët, duke injoruar faktin se Gjorgje luftoi vetëm kundër islamizimit të arnautëve. Skënderbeu nuk është thjesht kalorës serb, po historianët tanë hoqën dorë lehtë duke e harruar atë. Arnautët e kanë kuptuar se historia nuk mund të bazohet mbi heronj të vjedhur. Kështu, nën mbështetjen e plotë të shkollës perëndimore të historisë, ata tani përdorin një tjetër gënjeshtër e madhe – duke pretenduar se janë pasardhës të ilirëve në Ballkan.