“Kurrë mos u dorëzo”, mesazhi i gazetarit palestinez që u lirua nga burgu

Gazetari palestinez, Mohammed al-Qeeq, që kishte mbajtur një grevë urie 94 ditore gjatë kohës sa është mbajtur në arrest nga forcat izraelite, pas lirimit javën e kaluar u ka bërë thirrje të burgosurve tjerë të ngrejnë zërin kundër politikave të padrejta të arrestimit nga Izraeli.

Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency, ai rrëfen përvojën e hidhur në burg me theks të veçantë në padrejtësitë izraelite që mbajnë palestinezët nëpër burgje pa qenë të gjykuar fare.

“Ka qenë një përvojë e hidhur, por që më ka mësuar për të ngritur zërin për të drejtat i mia dhe për lirinë time dhe të kundërshtoj okupimin (izraelit)” deklaroi al-Qeeq, duke iu referuar qëndrimit të tij prapa hekurave dhe grevës së urisë.

Ai tha se të burgosurit politik palestinezë do të vazhdojnë “luftën e tyre me grevë urie” deri në anulimin e politikës së Izraelit për arrestime administrative. Sipas kësaj mase, të arrestuarit mund të mbahen në burg deri në një vit pa qenë fare të gjykuar në ndonjë proces gjyqësor.

“Greva jonë e urisë ka thyer arrogancën e Izraelit dhe ka dëshmuar se besimi në drejtësinë e kauzës sonë do të çojë në fitore”, tha Qeeq. Ai shtoi se të burgosurit palestinezë do të vazhdojnë me grevë urie deri në arritjen e të drejtës legjitime.

Al-Qeeq filloi grevën e urisë tre ditë pas arrestimit të tij nën pretekstin se ka provokuar. Gazetari 33 vjeçar përfundoi grevën e tij pas 94 ditëve, pas një marrëveshjeje të arritur për ta liruar nga paraburgimi më 19 maj.

“Izraelitët tentuan në forma të ndryshme të ndalojnë grevën time, por secila përpjekje e tyre dështoi”, tha al-Qeeq duke komentuar rolin e popullit palestinez gjatë përkrahjes që i ka dhënë. “Solidarizimi i popullit ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në drejtim të detyrimit të autoriteteve izraelite të nënshkruajnë marrëveshjen për lirimin tim”, tha ai.

 

Artikulli paraprakEfektet e shëndetshme të lëngut të qershisë
Artikulli vijuesNë barnatoret e Maqedonisë do të fillojë shitja e vajit të kanabisit