Robert Lewandowski është njeriu i momentit në futbollin europian. Sulmuesi i Bayern Munchen po përjeton një moment magjik, çka konfirmohet nga shifrat e jashtëzkaonshme të ditëve të fundit. Tre ndeshje në harkun e tetë ditëve dhe plot 10 gola të shënuar. Pesë rrjeta në portën e Wolfsburg-ut, për një rekord të vendosur vetëm në 9 minuta lojë.
Dy gola të shënuar përballë Mainz dhe tre në portën e Dinamo Zagreb. Për 27-vjeçarin nuk përbën asnjë ndryshim nëse luan në Bundesligën gjermane apo në Champions League. Në këtë sezon, sulmuesi i Bayernit ka realizuar 10 gola në gjashtë javë të kampionatit, një në Kupën e Gjermanisë dhe tre gola në dy ndeshje të Champions.
Me llogari të thjeshta, në total Lewandowski numëron 14 gola në tetë ndeshje. Shifra të denja për një fenomen të futbollit. Periudha e shkëlqyer pasqyrohet edhe në përfaqësuesen polake: sulmuesi është edhe golashënuesi më i mirë i kualifikueseve të Euro 2016 me 10 gola në 8 ndeshje të luajtura.
Me Lionel Messin të dëmtuar dhe Cristiano Ronaldon që ka humbur shkëlqimin përpara portës, Robert Lewandowski është shndërruar në sulmuesin më të mirë të Europës. Në tre ndeshjet e fundit, lojtari i Bayern Munchen, i vetëm është më efektiv se i gjithë sulmi i Barcelonës, që ka realizuar 5 gola, apo ai i Real Madrid me vetëm tre gola të realizuar./Supersport.al