Shefi i Grupit Parlamentar të Listës serbe në Kuvendin e Kosovës Sllavko Simiç së bashku me deputetët tjerë të kësaj Liste sot dërguan ankesën e tyre e nënshkruar nga dhjetë deputetë, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në lidhje me Ligjin për Trepçën, e cila u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e Listës Serbe kanë grirë punën e tyre në Kuvend menjëherë pas miratimit të Ligjit për Trepçën, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas dorëzimit të ankesës, shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe në Kosovë, Sllavko Simiç, në një deklaratë për media u shpreh se miratimi i këtij ligji ka shkelur disa procedura të cilat duhet të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
“Miratimin e Ligjit për Trepçën nuk respekton të drejtat e popullit serb, për këtë arsye ligji për Trepçën duhet të rishikohet dhe të pranohet në pajtim me nenin 81.1 dhe poashtu me Kushtetutën e Kosovës. Gjithashtu Ligji për Trepçën nuk ka marrë parasysh komisionin për komunitetin dhe me këtë është shkelur neni 78 i Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu ligji nuk është rishqyrtuar dhe nuk janë konsultuar anëtarët e këtij komuniteti, me çka është shkelur neni 68 Kushtetutës”, tha Simiç.
Ai ka thënë se me shkeljen e këtyre procedurave janë cenuar edhe të drejtat e popullit serb që jeton në Kosovë dhe për këtë arsye Lisa Serbe thërret të merret përgjegjësia për shkak të shkeljes së nenit 58 të Kushtetutës së Kosovës, me të cilin mbrohen të drejtat e komuniteteve pakicë.
“Ne presim që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë kërkesën tonë në mënyrë profesionale dhe me shumë përgjegjësi t’i shqyrtojë dhe t’i rishikojë të gjitha faktet në lidhje me shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës, si dhe ta shpallë të pavlefshëm dhe ta shfuqizojë ligjin e miratuar”, tha Simiç.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Simiç tha se për neve është më me rëndësi parashtrimi i ankesës. Sipas tij, Presidenti nuk mund të nënshkruaj këtë ligj për sa kohë që Kushtetuesja nuk nxjerr një vendim.
Ai theksoi se për pjesëmarrjen e tyre të ardhshme në Kuvend do të konsultohen me Qeverinë e Serbisë, me përfaqësuesit brenda Listës Serbe dhe po ashtu me institucionet relevante të zyrtarëve ndërkombëtarë në Prishtinë.
Simiç tha se për çështjen e Trepçës nevojitet një koncensus i hapur, duke shtuar se duhet të insistohet në bisedime për të mos cenuar të drejtat e statusit të pronësisë.
Ai gjithashtu njoftoi se Lista Serbe në ditët në vijim do të paraqesë edhe një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese edhe për Ligjin e Investimeve Strategjike, duke konsideruar se ai kërcënon interesat e serbëve të Kosovës.