LUM PËR TË DASHURUARIT (…vetëm për burra)

Nëse hedhim një vështrim të shpejtë në publikimet e televizionit, radios, gazetave, revistave dhe forumeve elektronike, kur kanë të bëjnë me raportet bashkëshortore gjatë dekadës së fundit, na bëjnë të qartë se kemi një problem të vërtetë në jetën bashkëshortore, i cili në gjeneratat e mëhershme nuk u shfaq deri në këtë shkallë. Shkaku për këtë ndoshta është fjala e gjysheve tona: “Ka humbur bereqeti sot”.

Përkundër faktit që jetesa në të kaluarën ishte e vështirë dhe më e rreptë, ata kishin më shumë dashuri, afërsi dhe qëndrueshmëri, gjëra këto që i fitonin me metodat që i njihnin asokohe. Ndërkohë sot kur kemi më shumë dije, filozofojmë më shumë, kemi më shumë fuqi dhe teknologji, kemi më pak rehati dhe lumturi në jetën tonë. Problemet bashkëshortore janë shtuar, jeta është bërë e zorshme dhe më pak normale, ndaj lidhjet tona shoqërore janë më të ftohta dhe të fabrikuara.

Në një tubim u fola shoqeve të motrës sime me këto fjalë: “Gjeni atë që është fetar dhe i moralshëm, çdo e mirë materiale e jetës mund të ndryshojë, ndërsa bërthama e fesë mbetet. Ai që është fetar të nderon në mirësi dhe nuk të bën padrejtësi në vështirësi”. Mirëpo ato më sollën tregime dhe rrëfenja, që vërtetonin injorancën, keqbërjen dhe padrejtësinë e disa burrave që njihen tek njerëzit si praktikantë të fesë. Fatkeqësisht në shumë raste realiteti dëshmon një padrejtësi, kur klasifikohen disa njerëz se qenkan fetarë, ndërsa njohin vetëm anën e jashtme të tyre, pa njohur fare jetën praktike të tyre: a ke jetuar me të, a ke udhëtuar me të, a ke pasur allishverish me të?! Ja çfarë mashtrimi të bën pamja e jashtme dhe njohja e cunguar!

Këto raste na bëjnë të meditojmë më shumë mbi hadithin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “Kur t’ju vijë ai, feja dhe mirësjellja e të cilit ju pëlqen, martojeni” dhe të bëjmë pyetjen: Pse i Dërguari bëri ndarje midis fesë dhe mirësjelljes, ndërsa dihet se ai fliste fjalë kuptimplota dhe sikur ato dy fjalë të kishin një kuptim të njëjtë me siguri do t’i shprehte me një fjalë? A thua është një theksim shtesë për rëndësinë e mirësjelljes, që peshon sa rëndësia e fesë në një martesë? Apo është një aludim, se një njeri mund të jetë fetar, por i varfër në mirësjellje, sepse fillimisht s’ka arritur ta kuptojë mirë këtë fe? Apo është një bashkim midis besimit me zemër (feja) dhe sjelljes në këtë botë me mirësjellje? Apo u jep shenjë pikërisht burrave, se feja ju jep më shumë të drejta juve sesa grave në shikim të parë, kurse në realitet ato janë përgjegjësi të shumëfishuara dhe se keqpërdorimi i të drejtave mund ta shndërrojë burrin në një zullumqar dhe diktator e jo bashkëshort i dashuruar, do të përdredhë qafën e gruas, ashtu si i ka përdredhur tekstet fetare. Kurse sikur feja dhe mirësjellja të bëheshin bashkë, atëherë mirësia dhe respekti do të mateshin në proporcion me atë që burri bën për gruan dhe jo në proporcion me atë që ai pret prej saj, sepse e dimë që “më i miri ndër jush është më i miri për familjen”. Kësisoj konceptet e burrërisë do të shndërrohen në një ngarkesë lodhëse dhe në një llogari dhe jo në një nder që shfaqet me lartësi dhe muskuj.

Ditët e sotme, jeta moderne, globalizimi dhe krizat na kanë shkaktuar pasoja të egra, të cilat kanë çelur hapësirë për ankesa, qarje të shpirtit dhe frustrime. Burri ngushtohet me situatën e keqe ekonomike dhe me problemet e punës, apo edhe të Umetit, ashtu që frymëmarrjen e parë te familja dhe te gruaja do ta nxjerrë duke i ngarkuar edhe ata me një pjesë të fajit dhe njëkohësisht do të injorojë detyrimet e dashurisë dhe mbikëqyrjes ndaj tyre. Boll i kam problemet me stresin sesi do të vazhdojë jetesa dhe nuk kam kohë të dëgjoj fjalime të llojit: “Shtëpitë e lumtura”, “Si t’ia shprehësh dashurinë bashkëshortes”, “Si ta përhapësh gëzimin nëpër shtëpi…” etj. Po qe se gruaja përpiqet të shprehë dashurinë apo të jetë romantike në jetën bashkëshortore, përgjigjja do të jetë: Ngadalë se nuk jemi më adoleshentë!! Sikur dashuria paska një kohë të caktuar gjatë jetës dhe nuk qenka ndjenjë e vazhdueshme, as nuk paska natyrë ripërtëritëse. Këta nuk e kanë kuptuar ajetin e martesës, i cili shënohet në shumë ftesa dasmash, por ende nuk ka arritur të bëhet rregullore e jetës bashkëshortore. Ai që mendon thellë për fjalët “dashuri” dhe “mëshirë” të përmendura në ajetin e sures Rum: “Prej argumenteve të Tij është se nga vetja juaj krijoi bashkëshortet që të gjeni prehje tek ato dhe futi midis jush dashuri dhe mëshirë”, do ta kuptojë dallimin mes prirjes së brendshme për pëlqim, që është simpatia dhe ndjenjës që vjen si rezultat i sjelljes praktike të vazhdueshme, që është e lidhur me mëshirën, e që është dashuria. Këtë e mësojmë nga komenti i Ibën Abasit, radijallahu anhuma: “Dashuria është burri ta dojë gruan, ndërsa mëshira është ta mëshirojë duke mos i bërë keq asaj. Dashuria dhe mëshira nuk janë ndonjë dhembshuri momentale, por janë një burim i butësisë së përhershme, mirësjelljes së lartë dhe jetesës së ndershme”. Arsyetimi se “jam tip nervoz”, situatat e vështira, pleqëria, fëmijët etj., janë prej arsyeve që gjenden të gatshme dhe shumë të lehta, mirëpo dijetarët na kanë tërhequr vërejtjen: “Umeti do të ketë mirësi, përderisa nuk arsyeton vetveten”.

Është e lehtë t’i quajmë gratë mendjelehta, që janë të lidhura pas dashurisë së titruar nëpër serialet turke dhe perëndimore, madje për këtë t’i përshkruajmë të trasha në mendje, të marra dhe me logjikë sipërfaqësore pa analizuar shkaqet, që i detyruan gratë tona të lidhen me “Gjymyshin dhe Mehmetin”, ndërsa një ndër shkaqet fshihet mu te humbja e ndjenjës për dashurinë e dhembshurinë në jetën e vërtetë. Këtij zjarri i hedh edhe më shumë benzinë qëndrimi i disa burrave, se “s’ka si bëhet më mirë”, “asaj që nuk i pëlqen le t’i bjerë murit me kokë” dhe “le të pijë ujë supermarketi”…!

Megjithëse dashuria është një ndër themelet kryesore të fesë dhe kulturës islame ne po dridhemi nga të studiuarit dhe thellimit në të, ndërkohë që ligjet e reja në ministritë e arsimit së shpejti do të fusin lëndën e edukatës seksuale për fëmijët tanë, kurse ata fillimisht nuk dinë si të dashurojnë dhe si të sillen me gratë, duke filluar me nënat dhe motrat e tyre e duke mbaruar me nuset dhe bijat e tyre, në të ardhmen.

Dashuria është një ndër themelet kryesore të kësaj feje, ndaj raportin më të plotë midis robërve dhe Zotit të tyre, Allahu e përshkroi me ndjenjën e dashurisë: “…i Do dhe e duan…”. Pse nuk tha: e nderojnë, i binden apo i kanë frikë? Pse e zgjodhi pikërisht dashurinë Allahu, që të përshkruajë lidhjen më të fortë dhe litarin që nuk këputet midis Tij dhe robërve të Tij? Komentuesit thonë: “Pasimi i vërtetë dhe puna për Allahun nuk arrihen pa dashuri, dashuria është çelësi për të fituar dhe arritur shkallët më të larta tek Allahu”.

“Burrat nuk janë emocionalë” është një arsye, që burrat e shprehin me qëllim që t’i ikin detyrimeve emocionale kundrejt familjes! Bëjmë pyetjen: Si u arrit të priten emocionet nga jetimi dhe i shkreti që kishte humbur nënën dhe babanë, kurse ata të dy janë shkolla e parë që ia mëson njeriut dashurinë? Ai nuk kishte vëllezër, as krah e as mbështetje? Egërsohej nga errësira e zemrave të hallkut, ndaj i braktiste duke shkuar me dhen, apo duke u vetmuar në shpellë. Pastaj doli para dynjasë për ta mbushur me dashuri dhe emocione si pejgamber, bashkëshort, baba dhe mësues. Ai, paqja dhe bekimet qofshin me të, na ka
lajmëruar, se do të vijnë njerëz që do të krenohen se janë zemërgurë dhe të vrazhdë, ndaj duke kryer shtyllën e fundit të kësaj feje, në Haxhillëkun e Lamtumirës i ftoi qartë: “Silluni mirë me gratë, ato nuk i nderon kush përveçse i ndershmi dhe nuk i përçmon përveçse i poshtri”.

Ai e puthte zonjën Aishe në ballë, vraponte me të, lozte me të, thumbohej madje edhe shpirti kur i doli ishte duke pastruar dhëmbët me misvakun, që ajo ia kishte zbutur me pështymën e saj…!

O burra, dija fitohet duke e kërkuar, ndërsa dashuria duke e kultivuar. Kush mbjell dashuri do ta korrë atë dhe kush mbjellë ngurtësi dhe vrazhdësi do t’i korrë gjithashtu, ose do të shohë gruan e tij të rendi pas një dashurie të supozuar virtuale në televizion!

Nuk kemi nevojë të importojmë e as të titrojmë romantikën. Ne kemi nevojë të ngjallim trashëgiminë tonë romantike dhe ta praktikojmë atë. Ashtu burrat do të mund të dalin nga shtëpitë e bijave të Hatixhes dhe Aishes për t’u përballur me lodhjet dhe ngacmimet e dynjasë në përditshmëri. Nëse ecet kështu, sa e mirë qenka romantika dhe lum për të dashuruarit./albislam

DR. DEJMA TARIK TAHBUB

nga arabishtja: Omer B.

Artikulli paraprak18 të vrarë në dy sulme në Afghanistan
Artikulli vijuesPse All-llahu nuk na ndihmon kundër tyre?