MAKSIMA KUR’ANORE: “LÂ ILÂHE IL-LALL-LLAH” NUK KA ZOT TJETËR PËRVEÇ ALL-LLAHUT

Dr. Mustafa Mahmud

MAKSIMA KUR’ANORE:
“LÂ ILÂHE IL-LALL-LLAH”
NUK KA ZOT TJETËR
PËRVEÇ ALL-LLAHUT

Miku tha:
A nuk pajtohesh me mua në mendimin se ju e teproni shumë në përdorimin e fjalës “Lâ ilâhe-il-lall-llah”, duke e quajtur atë çelës i cili hap çdo derë, me këto fjalë e përcillni të vdekurin, e pritni foshnjën e posalindur, i vendosni ato fjalë në vula, i skalitni në gjerdane, i shtypni në monedha, përpunoni lehva në mure… (thoni) se cili prej jush i shqipton këto fjalë, trupin e vet e ka të ruajtur nga zjarri… e nëse e shqipton njëqind mijë herë, do të hyjë në xhennet, sikur ato fjalë të ishin talisman magjik, magji për dëbimin e gjindëve apo shpellë për mbylljen e tyre, si dhe shkronjat elif-lâm-mîm, kâf-hâ-jâ-ajn-sâd, tâ-sîn-mîm, hâ-mîm, elif-lâm-râ, kuptimin e të cilave as ju vetë nuk e dini. A do ta shpëtoj veten nga dënimi nëse i shqiptoj fjalët “La illahe il-lall-llah”? Nëse po, atëherë ja unë e shqiptoj para teje dhe këtij auditoriumi: Lâ ilâhe il-lall-llah, dhe me këtë a ka marrë fund çdo gjë?

– Jo, me këtë nuk ke thënë asgjë. Maksima kur’anore, “Lâ ilâhe il-lall-llah” e cila do të thotë: “Nuk ka zot tjetër përveç All-llahut” është e dobishme vetëm për atë që e rregullon jetën e vet sipas saj, e jo edhe për atë i cili e përsërit vetëm me gjuhë.

“Lâ ilâhe il-lall-llah” është metodë e punës, stil dhe program i jetës. Të mendojmë pak për domethënien e saj. Kur të themi “Lâ ilâhe il-lall-llah”, atëherë me atë qartë bëjmë me dije se vetëm All-llahu është i denjë për adhurim. Ndërmjet “la -së” dhe “il-la-së”, ndërmjet mohimit dhe pohimit të cilët janë përfshirë në këtë maksimë, ndërmjet tyre gjendet i tërë besimi. Me “la -në” mohuese mohohet hyjnia e çdo gjëje që na mashtron dhe josh nga të mirat e kësaj bote si pasuria, dinjiteti, pozita, sundimi, çdo formë e kënaqësisë, luksi, gratë, krenaria… Të gjitha këtyre haptazi u themi: Jo. Nuk do të adhuroj. Ti nuk je zot. Pastaj i drejtohemi vetes, shpirtrave tanë të cilët shpesh jepen pas këtyre kënaqësive, sepse njeriu shpesh e adhuron edhe vetveten; e adhuron mendimin e vet, epshet e veta, zgjidhjen e vet, vullnetin e vet, aftësitë e veta dhe mendon se me duart e tij i ka kapur skajet e çdo sendi, se në duart e tij është fati i mbarë njerëzimit, dhe në këtë mënyrë e bën veten zot e që shpesh edhe s’është i vetëdijshëm për këtë. Shpirtit të këtillë ne i themi: Jo. Nuk do të adhuroj. Ti nuk je zot. U themi “Jo” të gjithë atyre të cilët kërkojnë nga ne që t’i adhurojmë në vend të Zotit.
Fjala “ilahun” është “failun”, ndërsa failun do të thotë ai i cili vepron. Te ne ai është Zoti, kurse çdo gjë tjetër është mjet. Çdo gjëje dhe çdokujt tjetër përveç All llahut i themi: Jo, nuk do të adhuroj, sepse nuk je zot. Se s’ka zota tjerë përveç All-llahut e vërtetojmë me pjesëzen “il-la” në maksimën e përmendur kur’anore. E ndërmjet këtyre dy pjesëzave, siç e theksuam këtë më lart, qëndron i tërë besimi. Pra, ai i cili është i zënë me grumbullimin e pasurisë, kapitalit, poltroneri ndaj eprorëve, vrapim pas kënaqësive, dhënie pas epsheve, adhurimin e mendimit të vet dhe qëndrimit të vet, ai nuk u ka thënë vendosmërisht zotërinjve të vet: Jo. Ai është në mihrab (altar) të idhujve të tij dhe nëse e shqipton maksimën kur’anore “Lâ ilâhe il-lall-llah”, ai këtë e bën rrejshëm, e shqipton me gjuhën e tij atë që nuk e bën me duart e tij dhe që nuk e dëshmon në praktikën e tij të përditshme.

Maksima “Lâ ilâhe il-lall-llah” do të thotë edhe se nuk ka llogarimarrës as kontrollues tjetër përveç All-llahut, i cili është i vetmi i denjë për frikërespekt. Ai i cili i frikësohet dikujt tjetër nuk u ka thënë vendosmërisht dhe me zemër “la” dmth: Jo, të gjithë atyre zotave të rrejshëm, por vazhdimisht atyre u bie në sexhde, u falet dhe kështu bën shirk (i bën shok Zotit – shën. jonë). Ai gënjen kur i shqipton fjalët: “Lâ ilâhe il-lall-llah’.
Nga domethënia e “Lâ ilâhe il-lall-llah” shihet se kjo është obligim, program dhe stil i jetës, qëllimi i së cilës është puna sipas asaj çka do të thotë ajo. Dhe kush vepron sipas kësaj maksime kur’anore, me të vërtetë ajo do t’i jetë talisman me të cilin do të mund të hapë çdo derë, shpëtim në të dy botët dhe rrugë për në xhennet. Ndërsa sa i përket atij i cili e shqipton këtë maksimë vetëm me gjuhë, pa e rregulluar dhe organizuar jetën e vet sipas saj, kjo nuk do t’i sjellë kurrfarë dobie.
Mirëpo, fjalët “Lâ ilâhe il-lall-llah” do të thonë edhe më shumë se kjo. Ato kanë edhe nocionin e tyre të caktuar filozofik. Dr. Zeki Nexhib Mahmudi thotë: “Maksima “Lâ ilâhe il-lall-llah” përmban të pranuarit e ekzistimit të atij që e shqipton këtë maksimë dhe jeton sipas saj, ekzistimin e asaj që kjo maksimë e thotë si dhe ekzistimin e atyre para të cilëve kjo maksimë shqiptohet. Shkurt, ajo konfirmon ekzistimin e vërtetë të individit, All-llahut dhe të atyre para të cilëve individi përkatës e pranon ekzistimin e Zotit. Nga kjo shihet se Islami e hedh poshtë idealizmin në filozofi sikur që këtë e bën njësoj edhe me materializmin. Ai merr një pozitë të mesme. E refuzon idealizmin sepse ai nuk e pranon ekzistimin e të tjerëve dhe të botës objektive, faktin e jashtëm jo të varur nga arsyeja. Çdo gjë në sytë e idealistëve rrjedh sikur të ishte ëndërr, çdo gjë është në tru, çdo mendim del nga mendja. Edhe ti, edhe radioja, rruga, shoqëria, shtypi, lufta, të gjitha këto janë ndodhi, figura dhe ëndrra të cilat zhvillohen në mendje, ndërsa bota e jashtme nuk ka ekzistimin e saj të vërtetë.
Islami, sikur që këtë e theksuam, e refuzon këtë qëndrim idealist ekstrem dhe maksima e tij “Lâ ilâhe il-lall-llah”, sikur që këtë e ka vërejtur dr. Zeki Nexhib Mahmudi, e vërteton ekzistimin e atij që deklaron, ekzistimin e asaj që deklarohet dhe ekzistimin e atyre para të cilëve atë e deklaron, dmth. që individi, All-llahu dhe të tjerët (njerëzit), janë të vërteta të konfirmuara. Maksima “Lâ ilâhe il-lall llah” pra do të thotë stil i jetës dhe qëndrim i caktuar filozofik.
Dhe ja, tash e ke të qartë se shqiptimi yt i maksimës së lartpërmendur kur’anore nuk do të të ndihmojë, sepse ti atë e ke shqiptuar josinqerisht. E ke shqiptuar shehadetin, ndërsa nuk punon, nuk e organizon dhe nuk e rregullon aspak jetën tënde sipas maksimës kur’anore të cilën e ke shqiptuar.

Sa i përket diskutimit për harfet (shkronjat): elif-lâm-mîm, kâfhâ- jâ-ajn-sâd, hâ-mîm, elif-lâm-râ, më lejo që para kësaj të të pyes për shkronjat “sîn” dhe “sâd”, llogaritmin dhe formulën e energjisë, gjë që tërë kjo është fshehtësi për atë i cili nuk e njeh matematikën, gjeometrinë dhe fizikën, ndërsa për ata që i njohin këto dituri secila nga këto “fshehtësi” e ka domethënien e saj të thellë. Ashtu është edhe me harfet të cilat ti i përmend. Domethënien e tyre e njeh vetëm ai të cilit i është zbuluar.

Artikulli paraprakQËNDRIMI ISLAM NDAJ EVOLUCIONIT
Artikulli vijuesMBI MU’XHIZEN