Mali i Zi dëbon priftin serb

0
183

Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka marrë vendim për dëbimin e Priftit të Kishës Ortodokse serbe të Podgoricës, Velibor Xhomiç.

 

Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka marrë vendim për dëbimin e Priftit të Kishës Ortodokse serbe të Podgoricës Velibor Xhomiç nga shteti, pasi sipas Agjencisë për Siguri Kombëtare ai paraqet pengesë dhe rrezik për sigurinë kombëtare të Malit të Zi. MPB i ka dhënë afat Xhomiçit që deri sonte në orën 18 të largohet nga Mali i Zi.

Pas katër vitesh procesi gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Malit të Zi, Ministria e Brendshme ka nxjerrë një vendim përfundimtar, në bazë të cilit urdhërohet që Xhomiç duhet të largohet nga Mali i Zi.velibor xhomiç

“Ministria e Brendshme në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin ka për detyrë të respektojë qëndrimet e autoriteteve publike, në këtë rast Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe në procedurën përkatëse ka nxjerrë një vendim përfundimtar që duhet të zbatohet menjëherë”, thuhet në komunikatën e MPB e Malit të Zi.

Xhomiç, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Mitropolitit të Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi, Amfillohije Radoviç, tha mbrëmë se nuk do të largohet nga Mali i Zi.

“Unë jam në Mal të Zi dhe, me lejen e Zotit, do të qëndroj këtu sepse sistemi ligjor i këtij vendi absolutisht ma lejon këtë”, theksoi Xhomiç.

Ai njoftoi se sot do të paraqitet në Qendrën e sigurisë në Podgoricë, për t’u njohur me përmbajtjen e vendimit.