Maqedonia do të rimarrë 5 miliardë euro që janë nxjerrë ilegalish

Rregullorja e re e Bashkimit Europian mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi Maqedoninë. Me këtë rregullore lehtësohet konfiskimi i pasurive të patundshmërive të fituara në mënyrë ilegale, apo parave të paligjshme të deponuara në llogari bankare të ndonjërit prej shteteve të BE-së. Nisur nga kjo, Maqedonia do të kërkojë kthimin e pronës dhe parave që dikush e ka fituar në mënyrë të paligjshme dhe e ka nxjerrë jashtë shtetit. Sipas hulumtimit të organizatës ndërkombëtare “Global Financial Integrity” nga Uashingtoni, në dhjetë vitet e fundit nga Maqedonia në mënyrë ilegale janë nxjerrë rreth 5 miliardë euro, por nuk ka të dhëna të sakta se sa prej tyre janë transferuar në llogari bankare në shtetet e BE-së, shkruan portali maqedonas Plusinfo. Sipas rregullores së re ligjore, vendet e BE-së duhet të mundësojnë konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme dhe paratë nga prona e shitur e patundshme, ose nga llogaritë bankare, do të shkojnë direkt në buxhetin e shtetit apo te shtetasi, të cilit ia kanë marrë pronën në mënyrë të paligjshme.

 

Në këtë mënyrë do të veprohej edhe në rast se i padituri është i sëmurë ose ka ikur nga shteti. Komisarja europiane, Monika Luis Makovej, ka sqaruar se nëse një shtet ka qytetarë që kanë pronë të fituar joligjërisht në një shtet të BE-së, atëherë ai shtet duhet të bashkëpunojë gjatë konfiskimit të asaj prone. Kire Naumov, zëvendësministër i Financave i Maqedonisë, i ashtuquajtur “zëvendësministër plotësues”, meqë është emëruar nga opozita pas Marrëveshjes së Përzhinos, sqaron se kjo rregullore do t’i hapë derën Maqedonisë që të kërkojë paratë e fituara në mënyrë të paligjshme. Por, ai ka shtuar se si fillim, edhe Maqedonia duhet të miratojë një ligj të përshtatshëm. “Opozita do të paraqesë propozim-ligj përkatës me atë të BE-së, por nuk presim që përbërja parlamentare ta përkrahë. Për një zgjidhje të këtillë ligjore do të mund të flitej pas zgjedhjeve”, ka thënë Naumovi.

Artikulli paraprakMogherini: Bëni gjënë e duhur, miratoni reformën në drejtësi, silleni vendin në BE
Artikulli vijuesGetoizimi si mënyrë jetese